Fisnik PASHOLLI
Shkup, 4 shtator – Gati 80 për qind e eksportit të Maqedonisë shkon në dhjetë shtetet anëtare të BE-së, me përjashtim të Kosovës dhe Serbisë. Në vitin e kaluar në Gjermani kemi eksportuar mallra me vlerë prej më shumë se dy miliardë euro, edhe atë më së shumti pjesë të veturave që i prodhojnë investitorët e huaj në zonat e lira, shkruan gazeta KOHA. Gjithashtu, 47 për qind e eksportit të tërësishëm të Maqedonisë shkon për Gjermani. Analiza e eksportit të Maqedonisë në vitin 2016 tregon se nga eksporti i vlefshëm prej 4.3 miliardë euro, më shumë se gjysma e tij, apo 2.5 miliardë ero, janë prodhime intermediare , gjegjësisht gjysmë-përpunime për përpunim të mëtejshëm , pastaj 1.1 miliardë euro janë prodhime për konsum të gjerë dhe 706 milionë euro janë prodhime kapitale. Nga ana tjetër, madje 40 për qind e eksportit në shtetin më të fuqishëm industrial në Evropë ka të bëjë me pesë prodhime si pjesë të industrisë automobilistike. Të dhënat e Entit të statistikës së Maqedonisë, tregojnë koncentrimin e madh të eksportit në pak shtete. Katalizatorët e Xhonson Metit, pjesët për ndezjen e veturës dhe të ngjashme, feronikeli dhe veshmbathja, janë atutë kryesore eksportuese të Maqedonisë. Analizat tregojnë se shumica e prodhimeve që Maqedonia eksporton jashtë, janë lëndë të para ose gjysmë prodhime që në ndonjë shtet tjetër inkorporohen në prodhime të gatshme.
XHONSON METI KRYESON EKSPORTIN
Ndër 100 prodhimet që më së shumti eksportohen, ka fare pak prodhime të gatshme me fazë më të lartë të përpunimit ose prodhime për konsum final. Në vitin e kaluar në Gjermani kemi eksportuar mallra me vlerë prej më shumë se dy miliardë euro, edhe atë më së shumti pjesë të veturave që i prodhojnë investitorët e huaj në zonat e lira. Eksporti më i madh realizohet nga ana e Xhonson Metit përmes katalizatorëve dhe pastruesve të gazrave që përdoren në industrinë automobilistike gjermane, që si eksport në vitin e kaluar arritën në 1.2 miliardë euro. Prodhimi i tretë më i eksportuar është përçuesi për ndezje me vlerë prej 195 milion euro dhe iniciatorët dhe përshpejtuesit e reagimit me vlerë prej 161 milionë euro. Në vendin e pestë janë sedilet që i prodhon fabrika e Xhonson Kontroll në Shtip. Në Gjermani eksportohen edhe lloje të ndryshme të tekstilit.
Bullgaria është partneri i dytë eksportues i Maqedonisë, ku plasohet 5 për qind e eksportit, raporton KOHA. Ndër prodhimet më të eksportuara janë në fqinjin lindor janë xehet, duhani dhe gypat e çelikut. Xeherorja Buçim është eksportues më i madh në Bullgari i xehes së hekurit, me vlerë prej 45 milionë euro. Tregu i tretë më i rëndësishëm eksportues për Maqedoninë është Serbia, ku eksporti arin vlerën prej 194 milionë euro, respektivisht 4.5 për qind të totalit të eksportit. Në këtë shtet më shumë eksportohen ilaçe me vlerë prej 12 milionë euro, si paletë e prodhimeve të fabrikës Alkaloid. Në vendin e dytë me 10 milionë euro të vlerës së eksportit janë prodhimet e hekurit të përshkuara me plastikë, ndërsa në vendin e tretë janë gypat e çelikut me vlerë prej afër 9 milionë euro. Në Serbi eksportojmë edhe vaj luledielli prej 8 milionë euro dhe energji elektrike të vlefshme 5.5 milionë euro. Në vitin e kaluar në Serbi janë eksportuar edhe pemë dhe perime të ndryshme si dhe ëmbëlsira të ndryshme.
Tregu i katërt eksportues për Maqedoninë është Kosova, ku shkon 4,4 për qind e eksportit me vlerë prej afër 190 milionë euro. Prodhimi më i eksportuar në Kosovë janë derivatet e naftës OKTA, me vlerë prej afër 17 milionë euro. Janë eksportuar në vitin e kaluar edhe çimentoja e USJE-s me vlerë prej 9.2 milionë euro. Në vendin e tretë të eksportit janë gypat e çelikut të përshkuara me plastikë të vlefshme 7 milionë euro, të pasuara nga ilaçet dhe shufrat e hekurit.
Në vendin e pestë lidhur me eksportin është Belgjika me afër 4 për qind të totalit të shitjes jashtë. Në këtë shtet kemi eksportuar mallra për 170 milionë euro, edhe atë autobusët e Van Holl me vlerë prej 125 milionë euro. Pasojnë duhani me vlerë prej 21 milionë euro dhe sedilet të vlefshme me 1.8 milion euro. Pason Italia në vendin e gjashtë me 3.7 vlerë të eksportit total që në të holla vlenë 158 milionë euro. Koftorat për ngrohje me vlerë prej 12 milionë euro janë të parat për eksport, pasojnë pjesët për këpucë dhe xehet e ferosiciliumit dhe feronikelit.
Në vendin e shtatë është Greqia me 3.5 për qind të totalit të eksportit dhe me vlerë në të holla prej 147 milionë euro. Në këtë shtet fqinje kemi eksportuar duhan, prodhime të tekstilit, si këmisha, veshje të brendshme, shufra hekuri dhe mermer. Rumania është në vendin e nëntë, me 2.8 për qind të totalit të eksportit të vlefshëm 122 milionë euro. Në Rumani eksportojmë më shumë pjesë për vetura që prodhohen në Maqedoni, e që përbëjnë madje 64 për qind të eksportit në këtë shtet. Eksporti në Spanjë vlen 106 milionë euro dhe kap 2.5 për qind të totalit të shitjeve jashtë. Gjithashtu, dominojnë me mbi 90 për qind në eksportin në Spanjë, pjesët e ndryshme për vetura. Në vendin e dhjetë lidhur me eksportin është Kroacia me vlerë prej 80 milionë euro dhe totalin prej 1.9 për qind. Në këtë shtet më shumë eksportojmë profile dhe materiale hekuri për ndërtimin e anijeve, ilaçe, verë dhe gypa.
EKSPORTOHEN LËNDË TË PARA-GJYSMË PRODHIME
Analizat tregojnë se shumica e prodhimeve që Maqedonia eksporton jashtë janë lëndë të para, ose gjysmë prodhime që në ndonjë shtet tjetër inkorporohen në prodhime të gatshme. Ndër 100 prodhimet që më së shumti eksportohen nga vendi, ka fare pak prodhime të gatshme me fazë më të lartë të përpunimit ose prodhime për konsum final. Ndër to radhiten autobusët, barnat, këmishat dhe prodhimet e tjera të tekstilit, cigaret, ëmbëlsirat, ajvari, salsiçet etj. Analiza e eksportit të Maqedonisë në vitin 2016 tregon se nga eksporti i vlefshëm prej 4.3 miliardë euro, më shumë se gjysma apo 2.5 miliardë ero janë prodhime intermediare, gjegjësisht gjysmë-përpunime që parashikohen për përpunim të mëtejshëm, pastaj 1.1 miliardë euro janë prodhime për konsum të gjerë dhe 706 milionë euro janë prodhime kapitale. Analiza e prodhimeve më të eksportuara nga Maqedonia, tregon se në gishta mund të numërohen prodhimet me fazë finale të përpunimit apo që janë të dedikuar për konsum final. Të dhënat statistikore për vitin e kaluar, sipas prodhimeve, tregojnë se në eksport pjesëmarrje më të madhe janë katalizatorët, pjesët për ndezjen e veturës dhe të ngjashme, feronikeli dhe veshmbathja. Nga top lista e dhjetë prodhimeve më të eksportuara, madje gjashtë prodhohen nga investitorët e huaj në zonat e lira ekonomike. Prej tyre, i vetmi prodhim i gatshëm janë autobusët e “Van Holl” , ndërsa prodhimet e tjera janë metale dhe lëndë të para, si feronikeli , duhani, ferosiliciumi dhe këmishat e prodhuara me sistemin lon. Gjithashtu, më shumë se gjysma e eksportit realizohet nga kompanitë e huaja, që shumë pak shfrytëzojnë lëndët e para vendore, por të njëjtat e importojnë për përpunim si dhe falë subvencioneve të majme shtetërore si dhe fuqinë e lirë punëtore që në mesatare paguhet 16 mijë denarë, por ka mjaft raste edhe të pagave më të ulëta që paguajnë investitorët e huaj. Gjithashtu, analiza e top 100 prodhimeve më të eksportuara nga Maqedonia tregon se në gishta mund të numërohen prodhimet me fazë finale të përpunimit, apo që janë të dedikuar për konsum final.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.