Rrushi i freskët dhe mollët me nga 12 milionë euro, si dhe domatet dhe lakra me nga 15 milionë euro janë pemë-perimet më të eksportuara në Maqedoni në vitin e kaluar. Nga ana tjetër, Rusia me eksport të vlefshëm 7.5 milionë euro është shteti ku më shumë eksportojmë perime, ndërsa Serbia me pesë milionë euro rrush, shteti ku shesim më shumë pemë
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 16 korrik – Rrushi i freskët dhe mollët me nga 12ë milion euro, si dhe domatet dhe lakra me nga 15 milionë euro, janë pemë-perimet më të eksportuara në Maqedoni në vitin e kaluar. Nga ana tjetër, Rusia me eksport të vlefshëm 7.5 milionë euro është shteti ku më shumë eksportojmë perime. Më së shumti pemë dhe atë rrush në vitin e kaluar me vlerë prej pesë milionë euro në vitin 2017 si shtet kemi eksportuar në Serbi, shkruan gazeta KOHA.
Sipas analizës së revistës “Kapital”, eksporti i pemë-perimeve në vitin e kaluar ishte 150 milionë euro. Rekordi i eksportit në periudhën e kaluar arriti kulminacionin në vitin 2016 me 171 milionë euro, duke shënuar rritje për 67 milionë euro në raport me vitin 2017, kur u shënua eksport i pemë-perimeve prej 104 milionë euro. Agronomët thonë se Maqedonia, krahas shumave të mëdha të subvencioneve prej afër qindra milionë euro, që për çdo vit ju ndahen fermerëve, akoma nuk ka shfrytëzuar kushtet e volitshme klimatike, por edhe traditën e bujqësisë vendore për të prodhuar më shumë prodhime bujqësore që mund të plasohen në tregjet e jashtme.
Agronomët kërkojnë një angazhim më të madh të shtetit në gjetjen e tregjeve të reja për prodhimet bujqësore, por edhe orientimin e fermerëve që të plotësojnë standardet e ndryshme që kërkohen për pemë-perimet në tregjet e jashtme, duke filluar nga ato për sasitë maksimale të pesticideve që mund të përdoren, periudhën e karencës apo të bëhet kujdes se pas përdorimit të një pesticide duhet të shikohet karenca e tyre (karenca është data kur spërkatet bima dhe koha e caktuar që produkti i bimës të mos përdorët).
Nëse produkti i bimës përdoret më herët sesa karenca e paraparë, atëherë fryti i përdorur mund të ketë efekte negative në konsumatori. Probleme me kadencën, para disa vitesh shkaktuan edhe telashe të mëdha me eksportin e trangujve nga Maqedonia në shtetet e jashtme.
Njëherazi, analizat tregojnë se potencial më të madh për eksport nga Maqedonia kanë pemët, pjeshkat, kumbullat, dredhëzat dhe sidomos qershitë , vishnjat, boronicat dhe mjedrat. Gjithashtu edhe mollët japoneze kanë një potencial të madh eksporti.
Sa i takon perimeve, trangujt, por edhe lulelakra dhe brokula, patëllxhani i zi, kungujt, si dhe kërpudhat kanë mundësi të madhe të për eksport.
Të dhënat më tej tregojnë se shtetet fqinje që janë anëtare të CEFTA-s, Rusia dhe shtetet e Bashkimit Evropian janë destinacionet kryesore eksportuese të pemë perimeve të freskëta vendore.
Sipas agronomëve, është me interes për bujqësinë e Maqedonisë të bëhet orientimi i prodhimit sipas predispozitave që kanë regjionet e caktuara për prodhimin e pemëve, perimeve apo prodhimeve blegtorale. Kërkohet të bëhet edhe planifikimi i prodhimit sipas trendeve të zhvillimit të tregut për të mënjanuar mundësinë e paraqitjes së tepricës së prodhimit të një kulture të caktuar bujqësore dhe mungesën e një kulture tjetër në treg, që si pasojë sjell çrregullimin dhe disbalansin e çmimeve të atij produkti, ku një vit është i papërballueshëm për konsumatorin, ndërsa viti tjetër është i vështirë për prodhuesin.
Në ndërkohë, analiza tregon se në vitin e kaluar kemi eksportuar edhe pjeshka në vlerë prej afër 3.8 milionë euro, kumbulla në vlerë prej 2.7 milionë euro, shalqi në vlerë prej 2.5 milionë euro, vishnje dhe qershi në vlerë prej 1.5 milion euro, persimoni apo mollë japoneze me 900 mijë euro, kajsitë me afër 500 mijë euro, dredhëzat me afër 400 mijë euro etj.
Ndër perimet më të eksportuara në vitin 2017 me afër 9 milionë euro ishin specat, kërpudhat me 6 milionë euro, trangujt me afër 3.2 milionë euro, qepa me një milion euro, patatet me 800 mijë euro, patëllxhani i zi me 450 mijë euro, lulelakra dhe brokoli me afër 140 mijë euro etj
Ndryshe, sipas njohësve të bujqësisë dhe organizatave të fermerëve në Maqedoni, prodhimi stihik dhe laraman në vend të atij të specializuar bujqësor dhe orientimi për tu marrë me bujqësi si mjet ekzistence dhe jo si biznes fitimprurës, janë shkaqet kryesore të problemeve të përvitshme me plasmanin e sigurt të prodhimeve bujqësore të fermerëve në shtet. (koha.mk)