Kryesia e Bashkimit Demokratik për Integrim sot në selinë e partisë në Reçicë të Tetovës po mban mbledhjen e radhës. Në fillim të mbledhjes, siç citohet në njoftimi zyrtar, kryetari Ali Ahmeti ftoi anëtarët e kryesisë për një minutë heshtje në nderim të Sekretarit të Përgjithshëm Abdilaqim Ademi pasi që kjo ishte mbledhja e parë e këtij organi në mungesë të tij. Më pas, Kryesia Qëndrore e BDI- së njëzëri përshëndeti miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve ditë më parë në Kuvend, që simbolizon përmbylljen e pjesës normative të Marrëveshjes së Ohrit. por njëkohësisht përmbyll edhe një kapitull të rëndësishëm të veprimtarisë të partisë si kolektiv.
Në fjalën e vet hyrëse, Ahmeti rrumbullakësoi kapitullin e parë të veprimtarisë politike të BDI duke rikujtuar çështjet kapitale në këto 17 vite duke theksuar se nga kjo mbledhje duhet të ndërtohet BDI-ja e së nesërmes. “Fitore në të gjitha proceset zgjedhore: parlamentare, lokale, presidenciale, dhe referendum, zgjedhjet parlamentare të vitit 2002, referendumin për ndarjen territoriale në vitin 2004, zgjedhjet lokale të vitit 2005, zgjedhjet parlamentare të vitit 2006, zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2008, zgjedhjet lokale dhe presidenciale më 2009, zgjedhjet e hershme parlamentare më 2011, përsëri ato të parakohshmet në 2014, zgjedhjet e fundit në dhjetor të vitit 2016, zgjedhjet lokale te vitit 2017”, tha në fjalën e tij lideri i BDI-së Ali Ahmeti.
Ai gjithashtu duke përmendur të arriturat kryesore në këtë 17 vjeçar theksoi ndryshimet kushtetuese në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit, ndarjen territoriale, Ligjin për simbolet kombëtare, zyrtarizimin e plotë të përdorimit të gjuhës shqipe, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në institucionet e shtetit, rrumbullakësimin e infrastrukturës në arsimin sipëror me legalizimin e USHT-së, hapjen e fakulteteve të reja, konvikteve, sallave të reja sportive, themelimin e universitetit shtetëror shqiptar në Shkup si dhe themelimin e shumë shkollave, çerdheve, sallave sportive.
Ai gjithashtu përmendi edhe ndërtimin e zonave të lira ekonomike në Strugë, Kërçovë, Tetovë, Shkup, Likovë, Në planin ndërkombëtar ai veçoi marrjen e statusit vend kandidat për anëtarësim në BE,liberalizimin e vizave me vendet e BE, hapjen e dialogut të lartë inkuadrues me BE-në, mbylljen e marrëveshjes me Bullgarinë për fqinjësinë e mirë. U përmend gjithashtu edhe fillimi i gasifikimit për Shkup, Tetovë dhe Gostivar, ndërtimi i shumë rrugëve dhe autostradës Kërçovë – Strugë, lidhja energjetike me Shqipërinë, kalim të kufirit me Kosovën dhe Shqipërinë pa pasaporta, demarkacioni i vijës kufitare me Kosovën, njohjen e pavarësisë së Kosovës, mbledhjet e përbashketa qeveritare me Kosovën dhe Shqipërinë
Nër të arriturat e BDI-së Ahmeti përmendi edhe sheshin Skënderbeu, sheshin Iliria, sheshin e flamurit, përmendoret e Skënderbeut, Hasan Prishtinës, Isa Boletini, Josif Bageri, Nexhat Agolli, Pjetër Bogdani në Shkup. Vazhdoi me shënimin e 100 vjetorit të alfabetit, 100 vetorit të lindjes së Nënës Terezë si dhe 100 vjetorit të flamurit. Teatrin shqiptar në Shkup, biblioteka dhe teatri në Tetovë, Muzeu i Manastirit dhe Muzeu i Lirisë, Qendra Memoriale Nëna Shqiptare në Zajaz. Përmendi hapjen e ujësjellësve në vendbanime shqiptare, qendra urgjente në Tetovë dhe qendra spitalore, subvencione bujqësore, bursa arsimore dhe projekte të tjera të panumërta. “Para nesh mbetet të adresohen fuqishëm edhe Reformat në sundimin e së drejtës dhe çështja e emrit si parakusht për integrim në NATO dhe BE”, tha në fjalën e tij lideri i BDI-së Ali Ahmeti. Mbledhja e Kryesisë po vijon me raport të detajuar nga përfaqësuesit e pushtetit ekzekutiv për punën e bërë deri tani.