Kryeprokurori evropian

Prezenca e një Kryeprokurori evropian është kodi që do të zhbllokojë Prokurorinë si një nga institucionet më të rëndësishme dhe më të drejta të një shteti. Duke shpresuar që ky propozimi i cili është gjithnjë i bazuar në fakte dhe i prirur në zgjidhje, do të dëgjohet, shteti do t’i bëjë nder vetes së tij, sepse populli do t’a respektojë dhe besojë më shumë

Nga Dr. Arben TARAVARI

Maqedonia e Veriut ka nevojë titanike për një prokurori normale, me parametra të duhur, të cilët fatkeqësisht nuk i përmbush dot institucioni që thirret nën emrin e “mbledhësit” të provave në emër të drejtësisë! Prokuroria jonë ashtu si shumica e institucioneve shtetërore është kthyer nga një prej ndërtesave më të rëndësishme të shtetit, në një portal që prodhon lajme të çuditshme! Ashtu si masmedia që dikur ishte burim i sigurt informacioni dhe më pas filloi të zhvillonte fenomenin e “fakenews” ndryshe shqip-lajme të rreme, ashtu edhe tek ne, në Maqedoni të Veriut na u zhvillua fenomeni i Prokurorisë të Rreme!

Mirëpo dallimi është se fenomenin e lajmit të rremë e luftoi dhe e lufton më shumë se të gjithë vet Media, duke denoncuar përditë persona që bëjnë një gjë të tillë, tek ne Prokuroria nuk bën as më të voglën lëvizje të shpëtojë Prokurorinë! Supozojmë se Prokuroria e Rreme ishte fenomen i së kaluarës aspak të ndritur të shtetit tonë, e zëmë se kjo e tashmja është shembull për t’u marrë shënim, por puna është se edhe sikur të jetë kështu, besimi i popullit tek ky institucion është diku afër zeros. Nëse nesër do të bëhej një anketë jam shumë konfident që pjesa dërrmuese e qytetarëve do zgjidhnin më mirë të besonin një prokurori evropiano-perëndimore se sa prokurorinë e shtëpisë së tyre!

Pra, mosbesimi tek Prokuroria si institucion është në përmasa shqetësuese, dhe pa dashur të nënvlerësojë apo aq më shumë përçmojë aftësitë profesionale dhe morale të çdo banori të Maqedonisë së Veriut që punon si prokuror, besoj që ka domosdoshmëri që Kryeprokurori të jetë një i deleguar nga Evropa Institucionale, me këtë nënkuptoj të vijë nga ndonjë shtet i Bashkimit Evropian.

Dhe nuk është rasti të shtrohet pyetja shoviniste-megalomane “pse, nuk dimë ne që të na i zgjidhë hallet bota?” sepse vjen dhe përgjigja direkt që është : Po, ne nuk dimë! Ose të paktën kemi nevojë për ndihmë! Nuk dua të dekurajoj ato burra dhe gra, djem dhe vajza, që ende zgjedhin shtetin tonë si vend për të jetuar, por ata që janë profesionistë të vërtetë, populli që e do këtë vend dhjetëra herë më shumë se politikanët, e dinë qartë që ne duhet patjetër të kemi dorë evropiane në fushën e drejtësisë, pavarësisht që ndihma e tyre është urgjente në çdo vend. Ne jemi mësuar të marrim ndihma nga Evropa, madje me miliona euro që pa as më të voglin skrupull i kanë vjedhur Bosët e Politikës për të ndërtuar Mbretëritë ku shërbehen me qumësht dallëndysheje dhe lajnë këmbët me shurup trëndafili, po, ne Evropa dhe Amerika na ka dhënë, na ka parë që kemi vjedhur, është keqardhur për ne. Por Evropa na do ne shumë më shumë se ç’na duan politikanë të caktuar, ndaj është aty për të n’a ndihmuar prapë. Ndihma kryesore që na duhet më shumë se në fonde, është në inteligjencë dhe menaxhim profesional. Dhe pika nevralgjike, vatra që po të sanohet do të përmirësonte shumë gjëra, është pa mëdyshje Prokuroria. Një Kryeprokuror gjerman, holandez, zviceran apo suedez, mjafton të jetë i zgjedhur nga BE-ja, do të ishte një terapi efektive për të rritur të paktën besimin e popullit tek ky institucion që është nga më të pabesueshimit. Të vërteta apo mite mbi të qarkullojnë bëma të tmerrshme, ku jetët e njerëzve kanë qenë si fasuleta, përdore dhe hidh! Por kryesorja është se thuhet që Vetingu-Procesi i Pastrimit-duhet të fillojë nga Prokuroria e Para se aty rri shumë ujë i ndenjur! Dhe është logjike dhe e drejtë. Mirëpo u lodhëm nga surpriza të zeza, ku një prokuror i besuar, na akuzohet papritur për krime, dhe anasjelltas, që është i pafajshëm por ja ka ngritur kurthin një prokuror tjetër për inat!

Ndaj prezenca e një Kryeprokurori evropian është kodi që do të zhbllokojë Prokurorinë si një nga institucionet më të rëndësishme dhe më të drejta të një shteti. Duke shpresuar që ky propozimi i cili është gjithnjë i bazuar në fakte dhe i prirur në zgjidhje, do të dëgjohet, shteti do t’i bëjë nder vetes së tij, sepse populli do t’a respektojë dhe besojë më shumë.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)