Meqenëse ky “shoku ynë” i klasës prej ish-komunisti, kur u vetëdijesua se lëkurën nuk do ta shiste shtrenjtë, por do ta jepte “toptan veresie” dhe kur e kuptoi se kanë ndryshuar kohët, qe detyruar të ndërrojë qimen e ujkut, mendjen, “bajrakun”, shaminë e kuqe prej pionieri, të ndërrojë “din e iman” dhe në fund kur ndryshoi fytyrën, u zbulua se kush ishte në të vërtetë!
Nga Fadil LUSHI
Dikur moti kur përfundonin punët ndërtimore te hapësirat e Universitetit të Tetovës, më rastisi të takohem me një mjeshtër “marangoz” gjegjësisht me një punëtor që asokohe merrej me punimin e drurit. Ishte duke mbërthyer dyert e fundit në godinën e sipërpërmendur. Iu afrova dhe i dëshirova punë të mbarë. Më pastaj, meqenëse isha i prirur të di gjithçka rreth “zanatit” të tij, i parashtrova pyetjen paksa hipotetike: “Hë, më qafsh,i dashur mjeshtër! Pa më trego, pse këto dyer nuk kanë çelësa?!” Dhe ai me atë sjelljen e tij prej aristokrati, ma ktheu “hazërxhevapin”: “Këto dyer nuk kanë nevojë për hapës, sepse këto nuk janë dyer frigoriferi dhe, për këtë arsye, asnjëherë nuk do të mbyllen!” Që përgjigjja e tij kishte kuptim metaforik, unë e kuptova mirë, por ama një ish-“shoku im” i klasës, i cili edhe pas kohës së diktaturës së egër, sikur ia do “qejfi” të sillet vërdallë, lëre që hiç fare nuk e “kapi” shprehjen me kuptim të figurshëm të mjeshtrit, por edhe e kundërshtoi me vendosmëri mendimin ndryshe të qytetarit tonë mendjendritur dhe të vjetër. Që ish-komunistit s’i eci “zari” dhe që nuk i dolën “hesapet”,respektivisht nuk arriti që t’i “qërojë a t’i ndajë lakrat” me “ustain”, qe detyruar të shtrembërojë fytyrën dhe t’i nxjerrë dhëmbët jashtë. Se ku “degdisi” a ku iku me bishtin ndër shalë, një dreq i mallkuar e mori vesh. Që unë për “kryeplak” të shkrimit të radhës “nuk zgjodha” tempullin që rrezaton dritë, dije, dashuri dhe paqe…, që unë “nuk zgjodha” mjeshtrin që mbërtheu dyert e kështjellës së pamposhtur të qytetit tim, që unë “nuk i zgjodha” studentët dhe pedagogët e tyre të respektuar, që unë “nuk zgjodha” temë tjetër paksa më humane dhe më emancipuese për këtë shkrim, sot e gjithë ditën e Perëndisë, “edhe përtej forcës së mendjes a të logjikës sime, nuk arrita ta zbuloj, a ta diktoj arsyen!” Por ama,pse për shkrimin tim, unë vendosa ta “zgjedh” ish-“shokun” e klasës për kryebandit, “thashethemexhi” e krye -“hafijexhi” të komunistëve të dikurshëm, kam një strajcë me “sebepe” dhe një “furgon” me argumente bindëse!
Ky ish -“shoku ynë”i klasës, edhe pas disa dekadash, sikur me gjithë “mend” kërkon të drejtën e lirisë së mendimit dhe të shprehjes…, sikur kërkon që të jetë i barabartë me të barabartët, sidomos me ata që kanë “hise” në ndërtimin e kauzës së popullit…, sikur harron se vendin e ka në koshin e plehrave të historisë…, sikur sot e gjithë ditën e Perëndisë kërkon vend diku në cepin e kuvendit të burrave, vetëm e vetëm që të “ngritë bishtin” prej ish-komunisti…, sikur harron se e drejta e tij është e suprimuar një herë e përgjithmonë…, sikur nuk beson se koha e sundimit me kërbaç ka kaluar…, sikur ende beson se fjala e tij ende qëndron në tokë…, sikur nuk ndërgjegjësohet se flet ashtu “havadan”…, sikur ende shpreson se një ditë do ta detyrojë a do ta shtrëngojë me dhunë katundarin fisnik që t’ia prashitë vreshtin në këmbim të një certifikate të lindjes,martesës a të vdekjes, sikur ende beson se në një të ardhme të afërt, kujtesës pamore dhe dëgjimore të dëshmitarëve të heshtur ndoshta do t’i”bjerë damllaja!”Ky “shoku ynë” i klasës që ka moshën time, ky “kryepordhë prej opingari” dhe ca të tjerë të tillë si ai, sikur ende besojnë se njerëzit që i ka përreth një ditë do t’ia kthejnë “emrin e mirë ose nderin që gëzonte dikur dhe që i ishte përlyer gabimisht!”…, pavarësisht se në kohën e monizmit, ashtu “ashiqare”, kishte bashkëpunuar me organet e ndjekjes dhe të hetuesisë! Ky “shoku ynë”i klasës, sikur harron se është një trup i huaj në mushkërinë tonë, në ndejat dhe në familjet tona! Dhe sa herë që e takon, aq herë të ik mendja te trëndafili i egër, i cili pa vullnetin tënd, mbin mu te pragu i derës së shtëpisë. Ky ish-“dosti ynë”, ta kujton atë meselenë e matrapazit të mëhallës sonë, që dikur bënte jetë rrugaçësh dhe pasi ta hante bukën, lëre që nuk shprehte mirënjohjen, por për “inat të linte qimen e ujkut te dera”…, dhe pikërisht kjo “qimja e ujkut”, shumë kohë më pas, krijoi një mijë ngatërresa ndër familje, mes lagjesh dhe ndër gjeneratat shqiptare! Ky ish-“shoku” i klasës sonë, është njësoj si ai guraleci që “detyrohesh” ta mbash gjithë ditën në këpucë a në mbathje…, dhe ngandonjëherë, nga “përtacia jonë e tepruar,lejojmë” që të na e lëndojë faqen e poshtme të këmbës sonë! Ky “shoku ynë” i klasës, ma kujton atë kafshën e vogël gjitare, që e ka trupin të mbuluar nga sipër me gjemba të fortë…, dhe sa herë do t’ia “prekësh prapanicën dhe topat e kandarit”, aq herë i rrudh turinjtë!
Meqenëse ky “shoku ynë” i klasës prej ish-komunisti, kur u vetëdijesua se lëkurën nuk do ta shiste shtrenjtë, por do ta jepte “toptan veresie” dhe kur e kuptoi se kanë ndryshuar kohët, qe detyruar të ndërrojë qimen e ujkut, mendjen, “bajrakun”, shaminë e kuqe prej pionieri, të ndërrojë “din e iman” dhe në fund kur ndryshoi fytyrën, u zbulua se kush ishte në të vërtetë! Krejt këtë e bëri për të kërkuar a edhe për të gjetur rrugë të reja për të arritur qëllimet e tij. Edhe krahas përpjekjeve të tij për të ndryshuar gjë, kjo nuk ndodhi, jo se asnjeri nga ne “nuk i dolëm krah, jo se asnjeri nuk dëgjoi shpjegimin e tij me vëmendje, jo se nuk e kuptuam arsyetimin”, jo se dërdëlliti lloj-lloj gjepurash, por sepse e gjithë kjo nuk u peshua në “terezi”! Dhe ti,”shoku ynë” i klasës, nëse të ka ngelur diç nga herdhet e tua, prano gabimet dhe kërko ndjesë prej bashkëqytetarëve të cilët nga veprimet e tua dikur hiqnin të zitë e ullirit…, bëje ndjesën si burrat, pavarësisht se je një “çerek” burrë prej ligaçi…, nëse nuk do ta bësh faljen…, bëj kujdes dhe ki parasysh se një ditë do të detyrohesh që para meje, para lagjes dhe gjithë krahinës sonë të japësh llogari për bëmat e tua. Nëse nuk do të veprosh si të themi ne, atëherë bëje së paku para ndërgjegjes sate (nëse e ke!). Ndryshe nuk bën…, sepse njerëzit e tu nuk të shpëtojnë as me lekë, as me shkrime të porositura dhe në instancë të fundit, as me elozhe të ndërtuara nga kalemxhinjtë komunistë!Tungjatjeta, të dashur miq! (koha.mk)