Kryeparlamentari kosovar merr dhuratë të dedikuar nga Modric

Luka Modric është shpallur “The Best” nga FIFA dhe UEFA për vitin 2018. Ai është favoriti kryesor për të fituar edhe “Topin e Artë” për këtë vit kalendarik. Paraqitja e kroatit me Real Madridin, sezonin e kaluar, ishte vërtet mbresëlënëse. Ai ishte pjesë e rëndësishme e fitimit të Champions-it të tretë radhazi, nën drejtimin e Zinedine Zidane, nga mbretërorët madrilenë.

Po ashtu, ai i priu Kroacisë në një fushatë të jashtëzakonshme në finalet e Botërorit të Rusisë, kësaj vere, duke e dërguar kombëtaren e tij deri në finalen e madhe me Francën. Historia e tij e fëmijërisë, që përket me luftërat e përgjakshme në Ballkan, e bërë tashmë e njohur, e bën edhe më rrezatues si model, sepse u ngrit nga bariu i dhive në luftë te ylli i futbollit botëror.

Në fakt, historia e tij është ngjashme pak a shumë me çdo fëmijë kosovar të asaj kohe, që përjetoi genocidin serb. Prandaj, Modric është shumë i dashur në Kosovë. Ylli kroat ka bërë një veprim konfirmues në këtë drejtim, duke i dërguar një dhuratë të veçantë kryeparlamentarit kosovar, Kadri Veseli. Numri një i Partisë Demokratike të Kosovës, ka njoftuar me krenari se ka marrë dhuratë fanellën e Modric te Real Madridi, me nënshkrim.

Ka qenë vetë Veseli, ai që e ka publikuar këtë moment, duke hedhur në Facebook foton e Modricit, duke i nënshkruar fanellën dhuratë. Kryeparlamentari kosvar e ka quajtur Modricin si futbollistin më të mirë në botë. “Ndjenjë shumë e mirë të kesh një dhuratë si kjo, me dedikim personal nga futbollisti më i mirë në botë”, – ka shkruar Veseli.

WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com