Kanë nisur grumbullimet e para të mbështetësve të opozitës në bulevard, ndërkohë që rreth orës 20:00 pritet të nisë protesta e nëntë kombëtare.
Afro 1700 efektivë policie janë angazhuar për mbarëvajtjen e kësaj proteste, për të cilën është thënë se do të jetë e qetë. Ndërkaq Kryeministria dhe Kuvendi janë thurur me gardh dhe kordon metalik.
Ndërkohë, mësohet se Kryeministria është blinduar me dyer metalike, që të mos shkatërrohet.
Disa paleta janë sjellë nga të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike para godinës së kreut të qeverisë.
Pak përpara se të nisë protesta, ambasadat e huaja në vendin tonë kanë bërë thirrje që të shmanget dhuna, duke i konsideruar akte të tilla si të patolerueshme.
Kujtojmë që protesta e fundit u mbajt më 8 qershor, datë kur presidenti Ilir Meta bëri me dije zhdekretimin e 30 qershorit si datë të mbajtjes së zgjedhjeve lokale.
Ky vendim u përshëndet nga opozita që kërkoi si hap të radhës largimin e Edi Ramës si kryeministër, ndërkohë që ky i fundit e konsideroi vendimin nul duke vijuar i vetëm fushatën elektorale.
Situata është paraqitur e tensionuar këtë javë në Shkodër, Burrel, Kamëz, e bashki të tjera të drejtuara nga të djathtët, që kanë mobilizuar mbështetës që të shkatërrojnë materialet zgjedhore për të pamundësuar mbajtjen e zgjedhjeve.