Kryeministri Zoran Zaev sot në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë u takua me ambasadoren e OSBE-së, Nina Suomalainen. Në takim, kumtoi shërbimi qeveritar për media, është përshëndetur përcaktimi i kryeministrit Zaev që të udhëheqë Qeveri reformuese, e cila do të punojë në interes të të gjithë qytetarëve.
“Vetëm përmes procesit të përkushtuar reformues mundemi t’i realizojmë interesat strategjike të Republikës së Maqedonisë, perspektivat drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s dhe për këtë kemi për qëllim të definojmë agjendë afatshkurte dhe afatmesme”, ka theksuar kryeministri Zaev. Ai ka theksuar se Qeveria e re zhvillon politika konstruktive sepse vetëm përmes angazhimeve të përbashkëta, në nivel politik dhe shoqëror, mund të përshpejtohet ndërtimi i institucioneve demokratike, profesionale dhe të pavarura, që do të kontribuojnë drejtë jetës cilësore të të gjithë qytetarëve.
Në takim u bisedua për mundësinë që Misioni i OSBE-së të ndihmojë në proceset reformuese në gjyqësi, media, polici, marrëdhëniet ndëretnike dhe në disa sfera tjera. “Bashkërisht është konstatuar se formimi i Qeverisë së re reformuese hap mundësi të vërtetë për progresin e Republikës së Maqedonisë”, theksohet në kumtesën e Qeverisë.