Lubjanë, 15 mars – Kryeministri slloven, Miro Cerar, mbrëmë vonë ka dhënë dorëheqje nga funksioni, vetëm disa orë pasi Gjykata supreme e Sllovenisë e anuloi referendumin në të cilin votuesit me shumicë të ngushtë e miratuan projektin për ndërtimin e hekurudhës në vlerë prej një miliardë euro dhe kërkoi mbajtje të plebishitit të ri.
“Forcat e të kaluarës nuk na lejojnë të punojmë në interes të gjeneratave të ardhshme”, deklaroi Cerar në konferencën për shtyp në Lubjanë në të cilën e bëri të ditur dorëheqjen e tij.
Ai theksoi se vendimi i Gjykatës ishte “pika e fundit që e mbushi gotën” dhe prandaj “e kthen pushtetin në duart e popullit”.
Cerar paralajmëroi edhe se do të mbetet në funksionin e kryeministrit deri në zgjedhjen e qeverisë së re.
Termini i rregullt për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në Slloveni është qershori i këtij viti, por dorëheqja e Cerarit mund të çojë deri në organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.
Gjykata supreme sllovene dje e anuloi referendumin nga shtatori i vitit të kaluar në të cilin 53,5 për qind e votuesve e mbështetën propozimin për ndërtimin e hekurudhës së gjatë 27 kilometra midis qytetit Divaça dhe portit adriatik në Koler.
Lideri i organizatës qytetare Tatimpaguesit nuk heqin dorë, Vili Kovaçin, ka parashtruar kërkesë deri te Gjykata për anulimin e referendumit, me elaborimin se Qeveria ka miratuar 95.000 euro mjete buxhetore për mbështetjen e fushatës së referendumit.
“Fushata qeveritare ishte e papranueshme e njëanshme”, vlerësoi Gjykata dhe urdhëroi që Komisioni shtetëror i zgjedhjeve të caktojë datë të re për referendum.
Kovaçin dhe organizata e tij mendojnë se linja hekurudhore është një projekt jashtëzakonisht i shtrenjtë dhe bëri thirrje për hedhje poshtë të propozimit.
Qeveria e Sllovenisë deri më tani ka marrë 44,3 milionë euro nga BE-ja për përgatitjen e ndërtimit, ndërsa Hungaria fqinje paralajmëroi investim të rreth 200 milionë eurove në këtë projekt.