Tiranë, 22 janar – Kryeministri Edi Rama bëri betimin si ministër për Europën dhe Punët e Jashtme pasditen e sotme në Presidencë, njofton ATSH-ja.
Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit përkatës, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, e njëkohësisht Kryeministër, Z. Edi Rama, u betua duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë.
Sipas njoftimit nga zyra e Presidentit Ilir Meta, ky i fundit duke i dorëzur dekretin, i uroi suksese në këtë detyrë shumë të rëndësishme.
Në ceremoni ishte i pranishëm Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit të Republikës.