Kryeministri i Spanjës Rajoy rrëzohet me një mocion votëbesimi

Për Spanjën është një ditë historike: Parlamenti e rrëzoi kryeministrin Mariano Rajoy. Konservatori Rajoy është kryeministri i parë spanjoll, që rrëzohet në një mocion votëbesimi.

Kryeministri e pa se kjo ditë po i afrohej. Që para votimit në Parlament, Rajoy pranoi se qe mundur. Kryetari i Partisë konservatore Popullore Partido Popular (PP) e pranoi dështimin dhe tha se për të kishte qenë nder që shërbeu si kryeministër i Spanjës: “I falenderoj të gjithë spanjollët për mbështetjen e tyre. Paçi fat!”. Rajoy duhet t’i paraqitet tani mbretit Felipe VI dhe t’i njoftojë atij dorëheqjen.

Socialistët (PSOE), të cilët e paraqitën mocionin konstruktiv të votëbesimit në parlament, mund të jenë të sigurtë se do ta kenë që të enjten në mbrëmje shumicën absolute në parlament. Në fakt, mocioni u mbështet nga 180 prej 350 deputetëve të Parlamentit. Me këtë është hapur rruga për shefin e socialistëve Pedro Sanchez, i cili bëhet pasardhës i Rajoyt.

Megjithatë, Sanchezi nuk duhet ta ketë të lehtë. Partia socialiste e tij – e cila i humbi zgjedhjet parlamentare në vitin 2016 – ka vetëm 84 vota. Kurse Partia Popullore e Rajoyt ka 134 mandate në Parlament.

Pedro SanchezPedro Sanchez

Një aferë korrupsioni e rrëzoi Rajoy

Rajoy, i cili ka qenë kryeministër që në vitin 2011, drejtonte që prej zgjedhjeve të vitit 2016 një qeveri minoriteti. Ai do ta kishte mbajtur në pushtet Partido Popular të tij, po të kishte dhënë dorëheqjen para votimit. Por kjo “nuk do të kishte qenë as në interesin e Spanjës, as në interesin e PP, që në këtë rast ecin paralelisht”, tha sekretarja e përgjithshme e Partisë Popullore, Maria Dolores de Cospedal në Madrid. Megjithatë, PP tani është krejtësisht e vetmuar. Edhe vetë aleatët e saj të deritashëm, Ciudadanos-it (qytetarët) liberalë i patën kërkuar Rajoyt të jepte dorëheqjen dhe të shpallë zgjedhje të reja.

Vërtet që Ciudadanos nuk i mbështetën socialistët, por Sanchezi e gjeti shumicën edhe pa ta: veç 84 deputetëve të PSOE, ai pati mbështetjen e Aleancës Unidos Podemos, e cila ka 67 mandate në parlament, si dhe disa parti rajonale – midis  të tjerash edhe nga rajonet e krizës Katalonjë – si dhe partia baske PNV.

Socialistët e paraqitën mocionin konstruktiv të votëbesimit si reagim ndaj vendimeve të Gjykatave në aferën e korrupsionit rreth partisë së Rajoyt. Gjykata Nacionale për Çështjet penale e pati dënuar partinë e Rajoyt për shkak të përfshirjes në një skandal korrupsioni me një gjobë prej 245.000 eurosh. Disa ish-anëtarë të partisë morën dënime disavjeçare me burgim./DW/