Londër, 23 korrik – Boris Xhonson është figurë kontroverse në politikën dhe gazetarinë britanike. Për mbështetësit ai është mendjemprehtë, i popullarizuar dhe tërheqës, përderisa për ata të cilët e kritikojnë thonë se është elitar, jo i sinqertë, dembel dhe përdor gjuhë raciste dhe homofobike.
Ka diplomuar për shkenca klasike në Universitetin e Oksfordit, në Londër është punësuar si këshilltar për menaxhment, por kishte dhënë dorëheqje pas vetëm një jave.
Ai e filloi karrierën si gazetar, e jo si politikan, por shumë shpejtë ra në telashe. Filloi në Tajmsin londinez ku kishte shkaktuar skandal kur kishte shkruar një shkrim për një zbulim arkeologjik – kishte trilluar një deklaratë për të cilin kishte gënjyer se e kishte marrë nga historiani Kolin Lukas, nuni i tij. Për këtë skandal ishte përjashtuar nga Tajmsi.
Ishte kthyer si gazetar i orientuar anti evropian zbavitës dhe mendjemprehtë. Kishte punuar si korrespondent i Dejli star nga Brukseli dhe artikujt e tij kanë ndikuar fuqishëm në rritjen e qëndrimeve euroskeptike të së djathtës britanike.
Boris Xhonsoni ishte kryetar i Londrës nga viti 2008 deri në vitin 2016 dhe në dy vitet e ardhshme ministër i Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe.
Presidenti amerikan Donald Tramp e mbështeste në garën për trashëgimtar të Thereza Mej. Njëherit, për shkak të mbështetjes nga Trampi dhe ngjashmërisë së stilit të flokëve, Xhonsonin e quajnë “Trampi anglez”.
Xhonson është i njohur për mbështetjen për bregzitin, por kur qytetarët në referendum zgjodhën daljen nga BE-ja, ai qëndroi në anën e negociatave me Brukselin, duke hedhur poshtë idenë për pagesën e llogarisë për daljen prej 39 miliardë funteve.
Lideri i ri i konservatorëve është ithtar për zhvillim të sektorit të biznesit të gjelbër dhe promovon mbrojtje të mjedisit jetësor, ngasjen e biçikletës…
Vitin e kaluar bashkëshortja Marina Viler, avokate dhe shkrimtare pas 25 viteve martesë e përzuri nga shtëpia për shkak të tradhtisë. Janë të njohura pesë afera të tij jashtëmartesore.
U lind më 19 qershor të vitit 1964 në Nju-Jork. Babai i tij ka origjinë turke-gjyshi i tij ishte Osman kemal i cili kishte ndryshuar emrin në Vilfred Xhonson përderisa gjyshja e tij është pasardhëse e lidhjes jashtë martesore të mbretit Xhorxhi i Dytë.(koha.mk)