Talin, 13 janar – Kryeministri estonez Juri Ratas dha dorëheqje sot për shkak të skandalit me korrupsion lidhur me mundësimin e huas shtetërore për sipërmarrësin “Porto Franko”. Ai e dha këtë deklaratë para gazetarëve dhe në Fejsbuk.
“Në politikë, për të zgjidhur situata të vështira, duhet të bësh zgjedhje shumë të vështirë. Në situatën aktuale, bazuar në vlerat e mia, kam vendosur të jap dorëheqjen si kryeministër i Republikës së Estonisë. Ky vendim është marrë në konsultim me bordin dhe fraksionin e Partisë së Qendrës, si dhe me kolegët e mi më të ngushtë. Shumë vendime ishin të mundshme, por vetëm njëri prej tyre është i saktë”, deklaroi Ratas.
Ai shtoi se kjo në të vërtetë do të thotë fundi i koalicionit aktual qeverisës, i cili përfshin Partinë Konservatore Popullore dhe Partinë e Atdheut.
“Partia e Qendrës po konsideron të jetë pjesë e politikës estoneze, si në opozitë ashtu edhe në koalicion”, shtoi Ratas.
Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Qendrës, Mihail Korb, gjithashtu njoftoi se do të japë dorëheqje për shkak të skandalit të korrupsionit, duke shtuar se ai nuk e konsideron veten fajtor.
Prokurori estonez Taavi Pern deklaroi dje se Mihail Korb, këshilltar i ministrit të Financave Kersti Kraht, biznesmeni Hilari Teder dhe dy të tjerë, u dyshuan për akuza korrupsioni në lidhje me ndarjen e huas shtetërore për sipërmarrësin “Porto Franko”.
Sipas prokurorisë, Korb u pajtua me Teder të dhurojë rreth një milion euro për Partinë e Qendrës para zgjedhjeve lokale, të planifikuara për 17 tetor të vitit 2021. Si përgjigje, Porto Franko, i cili është i lidhur me Teder, duhet të marrë hua prej 39,3 milionë euro nga shteti për të zbatuar një projekt, i cili është në vazhdim e sipër.
Qeveria estoneze e miratoi huanë vitin e kaluar për një periudhë gjashtëvjeçare me normë interesi prej dy për qind. Konkurrentët e “Porto Franko” tregojnë se norma standarde e interesit për kredi të tilla në Estoni është dhjetë për qind në vit. Dje, policia kontrolloi ambientet e “KredEx”, përmes së cilës u dha huaja.
Sipas medias estoneze, Hilari Teder, pasi miratoi huanë, bëri disa donacione për partinë vitin e kaluar në shumën prej rreth 60.000 eurove.