Kryeministri Hoti

34

Të gjitha këto duken të pamundura marrë parasysh faktin se Hoti, si kryeministër, nuk gëzon një fuqi politike të derivuar drejtpërdrejt nga populli dhe qeveria e tij gëzon një mbështetje minimale në Kuvendin e Kosovës, e si e tillë lehtë mund të rrëzohet. Por, nuk duhet të jemi pesimistë apriori. Duhet të presim për të parë se si do të rrjedhin gjërat. Natyrisht, jo gjatë. Politika është me shumë të papritura. Në shumë raste, nga ata prej të cilëve nuk pritet asgjë, dalin gjëra të mira. Hoti ka mundësinë që nesër të renditet në mesin e këtyre rasteve, por, kuptohet, i duhet shumë mund, dinakëri e guxim. Në politikë, thotë Makiaveli, fati u buzëqesh vetëm guximtarëve.

Blerim Latifi

Ata që largohen nga pushteti, rëndom përjetojnë dëshpërimin. Ndërkaq, ata që vijnë në pushtet, nuk e fshehin entuziazmin. Është mirë që gjërat të shihen përtej dëshpërimit dhe entuziazmit. Do të thotë, është mirë të shihen me realizëm e gjakftohtësi. Bota nuk përmbyset kur ndërrohen pushtetarët. Ky është leksion themelor i demokracisë. Është lajm i mirë që rotacioni i pushtetit ndodhi paqësisht dhe duke respektuar rregullat demokratike. Lëvizja Vetëvendosje duhet vlerësuar për faktin se hoqi dorë nga skenarët e kundërshtimit me forcë të këtij rotacioni. Të frenosh zemërimin tend, me qëllim që të mos cenohet interesi i vendit për stabilitet, kjo gjithsesi është virtyt dhe pjekuri politike.

Tash e kemi një qeveri dhe kryeministër të ri! Shihet qartë se Avdullah Hotit i mungojnë ato cilësi të cilat i ndezin emocionet e masave. Nuk është demagog, nuk është populist, nuk di të deklamoj poezi politike në mitingje e studio televizive dhe këtë do ta shfrytëzojnë kundërshtarët e tij në të ardhmën për ta portretizuar si kryeministër të dobët. Ai nuk ka shkathtësi për të na servirur spektakle politike, por kjo nuk na jep të drejtë të mendojmë se ai nuk do të na japë ndonjë zgjidhje të dobishme për problemet e vendit. Në javët dhe muajt në vazhdim, Hotit do t’i duhet të na bindë se mungesa e populizmit dhe demagogjisë është favor i tij dhe se ai nuk është vënë kot në krye të qeverisë. Një punë kjo tejet e vështirë për një politikan që nuk është as dhelpër as luan, ndërsa vepron në një ambient të populluar kryesisht prej këtyre dy lloje kafshësh.

Detyra e tij e parë duhet të jetë demonstrimi praktik në moslejimin e përsëritjes së gabimeve të qeverive të kaluara, në të cilat kanë marrë pjesë partia e tij dhe partitë tjera që i ka në koalicionin qeverisës. Këto gabime kanë të bëjnë me praktikat e abuzimit me pushtetin, të tilla si korrupsioni me tenderë publikë, klientelizmi me bizneset private, mbushja e administratës publike me militantë partiakë, partizimi i bordeve të ndërrmarrjeve publike dhe shpenzimi abuziv i parasë publike nga zyrtarët e lartë dhe nivelet e ndryshme të burokracisë shtetërore. Nëse Hoti ia del t’i parandalojë këto praktika, qeveria e tij do të marrë përkrahjen e publikut të gjërë, përkrahje e cila aktualisht nuk duket të jetë në nivelin e kënaqshëm. Nëse nuk ia del, atëherë është e qartë se kundërshtarët e tij në opozitë, dhe ata brenda LDK-së, nuk do të kenë mëshirë për të. Një qeverisje e keqe e Hotit do të dëmtoj rëndë LDK-në dhe, njëkohësisht, do të shtoj rradhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo e fundit nuk do të ketë asnjë konsideratë për Hotin dhe qeverinë e tij. Me qëllim që të mos bjerë nën hijen e opozitarizmit të Vetëvendosjes, edhe PDK-ja do të detyrohet të sulet pamëshirë mbi këtë qeveri. Pra, gjakrat nuk do të qetësohen dhe Hotit do t’i duhet të ruaj gjakftohtësinë e tij për të mbetur në lojë.

Sfida tjetër e Hotit është përballja me feudalizmin qeveritar, i cili, tradicionalisht, i ka karakterizuar koalicionet qeverisëse në Kosovë.

Hoti duhet të dëshmoj se ai është kryeministër real dhe jo vetëm kordinator ministrash, të cilët u japin llogari shefave të tyre partiakë. Këtë problem së pari duhet ta trajtoj me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën, i cili, nëse ia do të mirën Hotit dhe LDK-së, duhet të heq dorë nga ndërhyrja në vendimmarrjen e Hotit, diçka që për cinikët është vështirë e mendueshme. Thënë me fjalë të tjera : Hoti duhet të dëshmoj se nuk është marionetë në duart e të tjerëve. Fati i tij si kryeministër do të varet krejtësisht nga kjo gjë.

Natyrisht sfida tjetër po aq e madhe është ajo e dialogut me Serbinë.

Në këtë sfidë çështje në vete është ajo e raportit që Hoti do ta ndërtoj me presidentin Thaçi, i cili politikën e jashtme të Kosovës dhe ballafaqimin me Serbinë e konsideron kapitalin e tij kryesor politik. Nëse Thaçi ia del ta margjinalizoj rolin e Hotit në dinamikën e dialogut me Serbinë, kundërshtarët e Hotit në LDK do të gjejnë arsye më shumë për ta goditur dhe poshtëruar. Në rradhë të parë Vjosa Osmani dhe Lutfi Haziri, të cilët hapur janë shprehur se nuk besojnë në qeverinë Hoti.

Të gjitha këto duken të pamundura marrë parasysh faktin se Hoti, si kryeministër, nuk gëzon një fuqi politike të derivuar drejtpërdrejtë nga populli dhe qeveria e tij gëzon një mbështetje minimale në Kuvendin e Kosovës, e si e tillë lehtë mund të rrëzohet. Por, nuk duhet të jemi pesimistë apriori. Duhet të presim për të parë se si do të rrjedhin gjërat. Natyrisht, jo gjatë. Politika është me shumë të papritura. Në shumë raste, nga ata prej të cilëve nuk pritet asgjë, dalin gjëra të mira. Hoti ka mundësinë që nesër të renditet në mesin e këtyre rasteve, por, kuptohet, i duhet shumë mund, dinakëri e guxim. Në politikë, thotë Makiaveli, fati u buzëqesh vetëm guximtarëve.

Comments are closed.