Është 38-vjeç dhe Leo Varadkar pritet të bëhet kryeministri i ardhshëm i Republikës së Irlandës, pasi fitoi zgjedhjet për lidershipin e partisë Fine Gael. Varadkar do të jetë gjithashtu lideri i parë homoseksual dhe më i ri në moshë në vend. Ai mundi rivalin e tij, ministrin e Brendshëm, Simon Coveney, me 60 për qind të votave dhe do të pasojë në këtë detyrë Enda Kenny, si lider i partisë së qendrës së djathtë brenda pak javësh. Varadkar është fëmi i një infermiereje irlandeze dhe një doktori nga India dhe pjesa dërrmuese e mediave britanike është fokusuar tek origjina dhe seksualiteti i tij. Ish-kryeministrja e Irlandës së Veriut, Arlene Foster e uroi atë në telefon e po ashtu bëri edhe kryeministrja britanike Theresa May. Duke folur në përfundim të procesit zgjedhor, lideri i ri i Fine Gael tha se ndihej i nderuar që u zgjodh për të përballuar “sfidën e madhe” që ka përpara, të cilën, siç tha, do ta kryejë me përulje. “Nëse zgjedhja ime tregon diçka, ajo është se paragjykimet nuk kanë vend në këtë Republikë”, tha Varadkar.