Shkup, 11 qwershor – Kryeministri i Republikës së Çekisë, Andrej Babish, i cili sot po qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, paradite u prit me nderime të larta shtetërore para Qeverisë.
Në Qeveri në rrjedhë është takimi i kryeministrit çek me nikoqirin e tij, kryeministrin Zoran Zaev.
Është paraparë kryeministri Babish të ketë takime edhe me shefin e shtetit, Stevo Pendarovski, me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, me zëvendëskryeministrin për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev dhe me ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Para ardhjes në Shkup, Babish deklaroi se do të ofrohet mbështetje nga Republika e Çekisë për eurointegrimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Me nikoqirët e tij do të bisedojë për bashkëpunimin bilateral dhe për ngjarjet aktuale në Ballkan, në Evropë dhe në botë. Bisedat do të fokusohen edhe në mundësitë për investime çeke në vend.
Në orët e pasdites kryeministri çek Babish së bashku me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski do ta vizitojnë vendkalimin kufitar Bogorodicë.
Çekia dërgon kontigjent të vet policor në kufirin jugor të Republikës që prej shkurtit të vitit 2016 për parandalim të valës së emigrantëve. Deri më tani përmes kontigjentit çek në vend kanë kaluar mbi 1.000 policë.