Kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss, ka dhënë dorëheqjen, duke e bërë atë kryeministren me mandatin më të shkurtër në historinë britanike. Por ka liderë të tjerë në historinë e kohëve të fundit, të cilët janë larguar nga detyra shumë më shpejt se sa prisnin
Pas 45 ditësh në detyrë, ballinat e gazetave u mbuluan me emrin Liz Truss. Kryeministrja dha dorëheqjen pas një periudhe trazirash politike për një buxhet të kritikuar gjerësisht, figura të larta të kabinetit që largoheshin nga Qeveria e saj dhe një votim kaotik në Dhomën e Përfaqësuesve. Truss ka vlerësimin kundërthënës të të qenët kryeministrja me mandatin më të shkurtër të Mbretërisë së Bashkuar ndonjëherë. Por ka edhe kryeministra të tjerë në historinë e kohëve të fundit, të cilët kanë qeverisur për kohë të shkurtër.
Alec Douglas-Home mbajti detyrën e kryeministrit për vetëm 363 ditë. Ai pasoi Harold Macmillanin në vitin 1963 në mes të një krize të Partisë Konservatore, por humbi zgjedhjet e përgjithshme ndaj Harold Wilsonit vitin pasues.
Anthony Eden nuk i kaloi as dy vjet si kryeministër. Ai mori detyrën nga Winston Churchilli në prill të vitit 1955 dhe rriti shumicën parlamentare të konservatorëve në zgjedhjet e muajit pasardhës. Por menaxhimi i dobët i krizës së Kanalit të Suezit në vitin 1956 tërhoqi kritika ndërkombëtare. Ai dha dorëheqjen më 9 janar 1957.
Koha e Gordon Brownit në detyrë është pak më e freskët në kujtesë. Ai mori detyrën nga Tony Blair, më 27 qershor 2007. Blair ishte kryeministri më jetëgjatë i laburistëve, duke mbajtur postin e kryeministrit për më shumë se një dekadë. Megjithatë, nuk pati fat të tillë për Brownin, i cili humbi zgjedhjet e vetme në të cilat garoi si kryeministër në maj të vitit 2010.
As Neville Chamberlain nuk e ka thyer barrierën trevjeçare. Ai u bë kryeministër në maj 1937. Koha e tij në detyrë u dominua nga lufta në Evropë. Ai u takua me udhëheqësin gjerman Adolf Hitler në vitin 1938 dhe të dy kombet ranë dakord të mos luftonin me njëri-tjetrin. Por pushtimi i Polonisë nga Gjermania do të thoshte që marrëveshja nuk zgjati dhe Chamberlaini shpalli luftë më 3 shtator 1939. Ai dha dorëheqjen në maj 1940 në mes të Luftës së Dytë Botërore.
Mandati i Theresa May u dominua nga një lëvizje sizmike e ndryshme në Evropë – Brexiti. Ajo u bë kryeministre më 13 korrik 2016, si gruaja e dytë që mbajti këtë post. May u përpoq të negocionte marrëveshjen e daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian, por marrëveshjet e saj dështuan vazhdimisht në Parlamentin britanik. Ajo u largua nga detyra më 24 korrik 2019, duke kaluar pak më shumë se tre vjet në detyrë.
Një tjetër kryeministër jetëshkurtër ishte pikërisht personi që ndoqi Mayin dhe nga i cili mandatin e mori Liz Truss – Boris Johnson. Duke hyrë në Downing Street nr. 10, më 24 korrik 2019, ai siguroi një marrëveshje daljeje nga BE-ja,aty ku May kishte dështuar. Por mandati i tij në detyrë, u dëmtua nga një sërë skandalesh dhe nga një ridekorim diskutabil i rezidencës kryeministrore, si dhe ahengjet në Downing Street, që ishin mbajtur në kohën e mbylljes gjatë COVID-it. Emërimi i tij në një detyrë kyç, i një politikani të akuzuar për sjellje të pahijshme seksuale ishte skandal shumë i rëndë për partinë konservatore dhe ai u detyrua të largohej. Johnsoni njoftoi dorëheqjen e tij më 7 korrik 2022 dhe qëndroi në detyrë derisa Liz Truss mori detyrën. (AP)