Fatos RUSHITI
Shkup, 3 tetor – Në mes të fushatës parazgjedhore janë shtuar premtimet nga partitë politike në të dyja taboret për zhvillimin e komunave – si në aspektin ekonomik, ashtu dhe në sferat tjera si infrastrukturë, shkolla, sheshe, çerdhe, parqe, por që kryefjala e të gjitha premtimeve – edhe përkundër që jetojmë 27 vite në demokraci, prapë janë kanalizimet dhe ujësjellësit, shkruan gazeta KOHA. Përveç kandidatëve për kryetarë të komunave, edhe liderët partiak janë më se aktiv në fushatë, duke u lëshuar edhe në tema konkrete. Kur jemi tek premtimet, jo vetëm partitë politike shqiptare, por edhe ato maqedonase – LSDM dhe VMRO, siç ndodh zakonisht në vendet që janë në BE dhe në vendet që janë afër integrimit e që flasin për pushtet të decentralizuar, në këto zgjedhje liderët e partive dhe kandidatët për kryetar të komunave rrallë ose hiç nuk e zënë në gojë këtë problematikë. Bile, as nuk flitet për dhjetëra komunat rurale që vazhdimisht janë me borxhe dhe që nuk kanë dëshmuar kapacitete për të mbijetuar si komunë, për mundësinë e fuzionimit me komunat që kanë brenda qytete të mëdha. Në këtë pikë, mbetet diskriminuese ndarja territoriale për vendbanimet shqiptare që janë pakicë në komunat me shumicë maqedonase dhe këto temë fare nuk preken nga partitë politikë shqiptare. Në zgjedhje parlamentare ishte premtuar rritje e TVSH-së deri në 14 për qind nga BDI, dhe deri në 13 % premtoi edhe Aleanca për Shqiptarët, por tani gjatë fushatës parazgjedhore – nuk përmendet asgjë nga rritja e TVSH-së, që lë të kuptohet se Qeveria e Zoran Zaevit nuk e ka në agjendë rritjen e e TVSH-së dhe rrjedhimisht, edhe rritjen e buxheteve komunale të cilat do të vazhdojnë të jenë të varura nga Qeveria. Nuk përmendet edhe zhvillimi i barabartë rajonal, ku opozita e atëhershme kritikonte VMRO-në se nuk bënte shpërndarje racionale të buxhetit qendror, por atë e bënte më shumë për komunat prej nga vinin ministrat e qeverisë së saj. Tek pushteti i tanishëm vetëm se kemi zotime gjatë debateve të fushatës, por pa dhënë ndonjë plan konkret të shpërndarjes racionale të buxhetit për zhvillim të barabartë rajonal, i cili aktualisht është sa që 1% e Bruto Prodhimit të Brendshëm të Maqedonisë. Kur jemi tek fjalimet e liderëve politikë shqiptarë, lideri i BDI-së, Ali Ahemeti, thekson fragmentarizmin e votës shqiptare, duke bërë thirrje për bashkimin e forcave ndaj partive politike shqiptare në komunat ku rrezikohet përfaqësimi i shqiptarëve. Lideri i integristëve jo vetëm për tema të mëdha, por gjatë paraqitjeve të tij prek edhe tema konkrete si cilësia në arsimin fillor dhe të mesëm, dhe investime në ndërtimin e shkollave, në infrastrukturë dhe në sferën e kulturës. Në lidhje me bashkëpunimin me LSDM-në, Ahmeti vë theksin edhe tek forcimi i këtij bashkëpunimi në nivelin qendror, duke përmendur dhe presidentin konsensual duke bërë më dije tërthorazi se bashkëpunimi në nivel lokal është i qëndrueshëm ashtu si ai në nivel qendror. Bashkëpunimi, ka thënë Ahmeti, ka të bëjë me mbështetjen që LSDM-ja do t’ia japë BDI-së në Çair, Tetovë, Gostivar, Kërçovë, kurse elektorati i BDI-së në Qytetin e Shkupit dhe të Kumanovës. “Dhe jo vetëm kaq. Ma do zemra që të fillojmë të përgatisim hapësirë që në të ardhmen të kemi edhe president të përbashkët, konsensual, të pranueshëm për të dyja palët, palët që përfaqësojnë dhe kanë legjitimitet, si nga komuniteti shqiptar, ashtu edhe komuniteti maqedonas, të dakordohen për një kryetar të përbashkët shteti. Sepse, kreu i shtetit është figurë përfaqësuese, emblematike dhe mbase këto zgjedhje – edhe ky partneritet që është ndërtuar tani, mund t’i shërbejë edhe këtij qëllimi që në të ardhmen të mos ndodhë dhe të mos përsëritet, sikurse ndodhi para katër vitesh, kur shqiptarët nuk kishin vullnet të dalin dhe të votojnë një president, i cili nuk i përfaqëson ata”, deklaroi Ahmeti para anëtarëve dhe simpatizantëve të BDI-së në Prespë. Në ndërkohë, lideri i BESËS, Bilall Kasami, theksin në fushatë e ka vënë në projektet ideore që ka gati partia e tij për çdo komunë, duke përmendur ndërtimin e shesheve, shkollave të reja, stadiumeve të futbollit dhe ngritjen e parqeve teknologjike edhe atë përmes partneritetit publiko-privat. Ndërkaq lideri i Aleancës, Zidain Sela, fokusohet tek guximi i partisë së tij përmes insistimit dhe këmbënguljes së vazhdueshme që të hapë dhe realizojë tema të mëdha si Ligji për gjuhën shqipe dhe po njëjtë, Sela premton realizimin konkret të projekteve të partisë së tij në nivel komunal. (koha.mk)