Kryeepidemiologu suedez pranon se Suedia ka mundur të bënte më tepër kundër koronavirusit

17

Kryeepidemiologu i Suedisë, Anders Tegnell, ka thënë të mërkurën se shteti i tij është dashur të bënte më tepër për të luftuar koronavirusit, por ai ka mbështetur strategjinë e gjerë, ku janë evituar masat strikte kufizuese, siç janë marrë në shumë shtete të tjera, shkruan agjencia Reuters.

Tegnell në një intervistë për një radio-stacion suedez sot ka thënë se Suedia, që grupi i hulumtimit “Ourworldindata.org” thotë se zë vendin e tetë për numrin e të vdekurve nga koronavirusi për kokë banori, “qartë” ka mundur të bëjë më tepër në luftimin e virusit.

Por, ai më vonë tha në një konferencë për media se mbështetë strategjinë e plotë, të cilën ai ka ndihmuar ta formojë dhe mbështetet kryesisht në veprimet e vullnetshme të qytetarëve, distancën sociale dhe këshillat për higjienë.

“Ne vazhdojmë të besojmë se strategjia është në rregull, por ka gjithmonë mundësi për përmirësime, veçanërisht nëse shikon prapa. Do të ishte çuditshëm nëse jep përgjigje tjetër në këtë pyetje”, ka thënë Tegnell në konferencë për media.

Ai ka thënë se Suedia ka mundur të përgatitej më mirë dhe të fillonte me testime më herët dhe të testonte më gjerësisht.

Suedia ka një numër të ulët të vdekjeve nga COVID-19 krahasuar me shtetet tjerave evropiane si Britania, Spanja e Italia, që ka aplikuar masa strikte kufizuese.

Por, “Ourworldindata.org” llogaritë se numri i të vdekurve në Suedi është 443 për një milion banorë, dhe thotë se ka numrin më të lartë në Evropë gjatë majit.

“Po të përballeshim me sëmundjen e njëjtë, e të dinim atë që e dimë tashmë, mendoj se do të bënim diçka mes asaj që ka bërë Suedia dhe pjesa tjetër e botës”, ka thënë Tegnell për radion suedeze.

Kryeministri i Suedisë, Stefan Lofven, që ka premtuar hetim, nuk ka reaguar ndaj kërkesës për koment, por ministrja e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, Lena Hallengren, është kundërpërgjigjur.

“Qeveria ka qenë, gjatë gjithë kohës, e përgatitur për të prezantuar masa më të gjëra të rekomanduara nga autoriteti i ekspertëve”, ka thënë Hallengren, duke iu referuar Agjencisë së Shëndetit Publik, ku punon Tegnell.

Lofven i ka thënë Aftonbladetit se strategjia e përgjithshme duke limituar sëmundjen dhe po ashtu duke mbrojtur punëtorët dhe kompanitë, ka qenë e duhura.

“Në të njëjtën kohë, duhet të pranojmë se kur vjen te kujdesi i të moshuarve dhe përhapja e infeksionit, nuk ka funksionuar. Shumë njerëz kanë vdekur këtu”, ka thënë Lofven. “Kanë vdekur shumë të moshuar këtu”.

Në Evropë shumica e shkollave, shitoreve dhe bizneseve janë mbyllur. Suedia ka mbyllur shtëpitë e kujdesit për vizitorët në fund të marsit, por gjysma e të vdekurve nga koronavirusi kanë qenë në mesin e të moshuarve që kanë jetuar në shtëpitë e kujdesit.

Në testimet e fundit për antitrupa po ashtu ka dhënë indikacione se numri i personave të infektuar është dukshëm më i ulët se që ka parashikuar Agjencia e Shëndetit Publik dhe imuniteti i turmës mund të jetë dukshëm më larg se që është parashikuar.

Qeveria po ashtu është përballur me kritika se ka dështuar të arrijë shënjestrën e realizimit të 100 mijë testimeve në javë.

Tegnell ka thënë se do të jetë e vështirë të dihet se çfarë masa tjera Suedia ka mundur të marrë, por do të bëhet më e qartë derisa shtetet po zbutin masat.

Bjorn Olsen, profesor i Mjekësisë Infektive në Universitetin Uppsala, ka thënë se strategjia e Suedisë ka qenë katastrofale.

“Turpërimi më i madh i Suedisë dhe një nga ngjarjet më tragjike”, ka thënë Olsen.

Ai ka bërë thirrje për më tepër gjurmime të kontakteve dhe më tepër testime për koronavirus, ndërsa ka shtuar: “Përderisa njerëzit po vdesin, ne duhet të tentojmë të ndryshojmë”.

Comments are closed.