Kryebashkiakët i kërkojnë senatit të marrë masa për mbrojtje nga armët

Më shumë se 200 kryetarë bashkish, përfshirë edhe ata të dy qyteteve ku ndodhën incidentet më të fundit me armë, në El Paso dhe Dejton, po i kërkojnë Senatit të veprojë për të garantuar mbrotje nga armët e zjarrit. Ky zhvillim vjen në mesin e kritikave se Kongresi nuk po arrin t’i përgjigjet ngjarjeve të njëpasnjëshme që lanë pas 31 të vdekur.

Në një letër bërë publike të enjten drejtuar udhëheqësit të mazhorancës në Senat Mitch McConnell dhe udhëheqësit të demokratëve Chuck Schumer, kryetarët e bashkive shprehen se “kombi nuk mund të presë më, qeverinë federale të ndërmarrë veprimet e nevojshme për të parandaluar njerëzit të cilët nuk duhet të kenë qasje tek armët e zjarrit, që të mos jenë në gjendje t’i blejë ato”.

Kryetarët e bashkive i kërkuan Senatit të votojë dy projektligje të miratuara më herët gjatë këtij viti nga Dhoma e Përfaqësuesve, të cilat zgjerojnë kontrollin në të shkuarën ndaj atyre që blejnë armë.

Presioni vjen në një kohë kur udhëheqës i mazhorancës republikane në Senat po i reziston presionit për të mbledhur senatorët që ndodhen në një kohë pushimi vjetor, megjithë thirrjet shqetësuese për “të bërë diçka” pas incidenteve me armë zjarri.