Shkup, 29 tetor – Komisioni Rregullator i Energjetikës, njofton opinionin se para se të miratohet vendimi për dendësitë dhe marzhat e derivateve të naftës gjatë muajit gusht, nga tregtarët e mëdhenj janë dërguar kërkesa të posaçme për ndryshim për rritjen e marzhës te derivatet e ndryshme të naftës.
Arsyeja kryesore se pse janë parashtruar kërkesat për rritjen e marzhës është që t’iu kthehet likuiditeti, i cili iu është dobësuar, për shkak të konsumit të ulur të derivateve të naftës.
Nga kompania Makpetrol SHA Shkup, është dërguar analizë krahasuese për trendin e konsumit nga muajt e parë nga viti 2020 në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019.
Nga ana e kompanive të tjera nuk është dërguar analizë, por kanë dërguar vetëm kërkesë për rritjen e marzhës te disa derivate të naftës. KRRE-ja i ka rishikuar të gjitha kërkesat dhe në përputhje me kompetencat e saj ligjore ka caktuar mbledhje konsultative me të gjithë parashtruesit në gusht të vitit 2020.
Në mbledhje janë diskutuar kërkesat dhe nga KRRE-ja, kompanive iu është kërkuar që të dërgojnë analiza, të cilat do t’i mbështesin kërkesat e tyre. Deri në momentin e miratimit të vendimit, analiza nuk janë dërguar.
Nga ana tjetër, me vendimin e miratuar të dendësive dhe marzhave të derivateve të naftës, reflektohet gjendja reale e tregut të derivateve të naftës dhe nëse KRRE-ja do të vepronte sipas kërkesave të tregtarëve për rritjen e marzhës, kjo do të nënkuptonte rritje të çmimeve të shitjes me pakicë të derivateve të naftës në shumë prej mbi 2 denarë për litër.
Sa i përket kompanive energjetike, të cilat janë në pjesën e energjisë elektrike Ju informojmë se në mbledhjen e mbajtur koordinative, përveç tjerash kemi diskutuar edhe për gjendjen financiare dhe nga gjashtë raportet e fundit mujore të dërguara deri te KRRE-ja janë regjistruar rezultate negative të punës, edhe pse kompanitë maksimalisht tentojnë që këto humbje të jenë sa më të vogla.
“Është fakt se për shkak të pandemisë pasojat reflektohen edhe në bilancet ekonomike. Për sanim dhe amortizim të pasojave, sa i përket masave të antikrizës ju udhëzojmë te krijuesi- Qeveria e RMV-së. Mbesim të hapur për bashkëpunim në suaza të kompetencave tona dhe në rast se arrijnë analiza, prapë nga ana e KRRE-së do të rishikohet kjo çështje dhe do të miratohet vendim përkatës”, – thonë nga KRRE.