KRRE propozon zgjerimin e listës së kategorive të rrezikuara të konsumatorëve

29

Shkup, 27 janar – Komisioni Rregullator i Energjisë synon të zgjerojë përfshirjen e kategorive të rrezikuara të konsumatorëve, të cilët në pjesën më të madhe përballen me pamundësinë për të mbuluar faturat e energjisë elektrike, në intervistën e sotme për emisionin “Magazina Ekonomike” në Alsat, këtë e theksoi kreu i këtij organi rregullator, Marko Bislimoski.

Sipas tij, pas takimeve me persona nga Ministritë e Ekonomisë dhe Punës dhe Politikës Sociale, u vendos që të formohet grup pune që do të punojë mbi këtë propozim.

“Sipas propozimit të Komisionit Rregullator të Energjisë, kemi propozuar që të përfshihen familje që nuk kanë asnjë të punësuar dhe të cilët nuk janë përfitues të ndihmës sociale. Ky është propozimi i parë, i dyti janë familjet që kanë një person të papunë i cili është përfitues i ndihmës në rast të papunësisë dhe ato para i merr nga Agjencia e Punësimit. Propozuam të përfshijmë familje me më shumë se dy anëtarë, në të cilat ka një pensionist që merr pension minimal dhe nuk ka të ardhura të tjera. Kemi propozuar familje me më shumë se dy anëtarë në të cilët ka vetëm një të punësuar me pagë minimale dhe kategoria e fundit, propozojmë të përfshihen familje që kanë person të papunë nga 1 prilli 2020 dhe i cili merr kompensim financiar në rast të papunësisë nga Agjencia e Punësimit,” shpjegoi Bislimoski.