Cilido që të jetë vendimi i gjykatës, fatkeqësisht drejtësia nuk do t’i kënaq palët. Ashtu si u nis dhe ashtu si u zhvillua ky rast do të vazhdoj të keqpërdoret nga politika dhe politikanët edhe në të ardhmen. Politikanët e kësaj gjenerate mbi supet e tyre do të mbajnë edhe një proces i cili s’do mend që do të keqpërdoret për të nxitur ndasi dhe që do të thellojë edhe më tej mosbesimin ndaj tyre dhe institucioneve që drejtojnë. Ky rast do të vazhdoj të jetë tokë pjellore për të mbjellë e për të rritur ide ekstreme nga të gjitha palët dhe në fund, ata që do të vuajnë më shumë nga kjo janë pikërisht qytetarët, në emër të të cilëve “jepet drejtësia”
Nga Sefer SELIMI Jr.
Fjalët përfundimtare të rastit “Monstra” rikthyen në opinion publik debatin për mosbesimin e thellë të qytetarëve, e posaçërisht të shqiptarëve tek sistemi i drejtësisë në Maqedoninë e Veriut. Ky mosbesim nuk është ekskluziv vetëm për pushtetin e gjyqësorit, përkundrazi, ai shtrihet mbi të gjithë sistemin qeverisës dhe është rezultat i politikës së mbrapsht e të korruptuar që ka udhëhequr shtetin tash e 30 vite. Për shqiptarët gjeneza e mosbesimit drejt pushtetit, posaçërisht ndaj atij të drejtësisë, shkon përtej 3 dekadave dhe është ndërtuar me raste konkrete e të vërtetuara për procese të montuara me qëllime specifike kundër tyre si bashkësi etnike. Prandaj, pse një rast ku të etshëm duhej të gjithë të pritnim dënimin e fajtorëve kthehet në një debat për vërtetësinë e akuzave? Përgjigjen më të thjeshte dhetë plotë mund ta gjejmë tek kronologjia e këtij rasti.
Më 12 Prill të vitit 2012 buzë Liqenit të Smilkovës në rrethinën e Shkupit ndodhi një rast makabër ku u vranë pesë persona, katër nga të cilët rreth moshës 20 vjeçare. I gjithë opinioni publik u shtang nga ky akt çnjerëzor që nuk mund të behej nga askush tjetër përveçse nga një përbindësh me fytyrë njeriu. Nuk e vë në dyshim se të gjithë ndjemë dhembje dhe prisnim me padurim që fajtorët të vihen para drejtësisë për të marrë dënimin e duhur. Më 1 Maj të atij viti, policia përmes një operacioni të gjerë me mbi 800 policë arrestoi 20 persona. Me senzacionalizëm dhe triumfalizëm para opinionit u prezantuan të akuzuarit që kishin konspiruar për ta kryer këtë akt barbar, “me motivin terrorist për të nxitur pasiguri dhe frikë mes popullatës”. Që në fillim akuzat ishin shumë të turbullta, konfuze dhe u ngatërruan për të hedhur baltë mbi persona të cilët aspak nuk ndërlidheshin me rastin. Në defiletë e “fakteve” para opinionit u paraqitën emblemat e UÇK-s, Kurani dhe një sasi armësh me të cilën u dha përshtypja se nuk po kërkohej fajtori por ai kishte qenë aty gjatë gjithë kohës “duke bërë roje” dhe duke pritur momentin e akuzës. Dy ditë më vonë, më 3 Maj nga akuza për terrorizëm dhe nga paraburgimi ishin liruar 13 nga 20 të arrestuarit dhe për ata u ngritën akuza të tjera që s’kishin lidhje me rastin. Megjithatë përshtypja ishte krijuar, fajtori që bënte roje ishte gjetur dhe natyrisht që ndarja u bë në baza etnike: Për shqiptarët kjo ishte edhe një tentativë për të njollosur të gjithë komunitetin përmes rasteve të montuara; Për maqedonasit se me shqiptarët nuk bëhet shtet dhe ato gjithmonë do të punojnë për rrënimin e tij.
Pas një gjykimi 18 mujor më 30 Qershor 2014, gjashtë nga 7 të akuzuarit u shpallën fajtor duke u dhënë dënimin kapital me burg të përjetshëm. Në mungesë besimi të plotë për procesin dhe në vërtetësinë e akuzës, shqiptarët u ngritën në protestë duke kërkuar gjykim të drejtë dhe duke shprehur qartazi dyshimet se ky proces është edhe një proces tjetër i montuar. Edhe në këto protesta, pati një tentativë për t’i njollosur duke nxitur elemente të dyshimtë që në protestë të valëvitnin flamujt e ISIS-it dhe të bëhej një ndërlidhje direkte me akuzat për terrorizëm islamik.
Në Shkurt të vitit 2015, lideri i atëhershëm i opozitës dhe kryeministri aktual Zoran Zaev nisi zbardhjen e bisedave të përgjuara me fushatën “E vërteta për Maqedoninë”. Përmes tyre ai zbuloi jo vetëm indicie për korrupsion të lartë dhe keqpërdorim të pushtetit por edhe biseda të cilat vërtetonin pafajësinë e banorëve të Sopotit të cilët u akuzuan me 156 vjet burg për “vendosjen e një mine shpërthyese” në vitin 2003 nga shpërthimi të cilës humbën jetën 2 ushtarë të NATO-s dhe një përkthyes. Zoran Zaev gjatë gjithë fushatës e kërcënonte Qeverinë e atëhershme se do t’i publikoj përgjimet që kanë të bëjnë me rastin “Monstra” e që tërthorazi aludonte se ky rast është i montuar nga vetë qeveria. Këto akuza të Zaevit u konkretizuan kur në Maj të vitit 2015 në intervistë për gazetën prestigjioze gjermane “Di Cajt” ai jep deklaratën e drejtpërdrejtë se të akuzuarit për rastin e Liqenit të Smilkovës janë të pafajshëm dhe “ata qëndrojnë padrejtësisht në burg”. Zoran Zaev në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016 morri një numër të konsiderueshëm votash nga shqiptarët pikërisht edhe për premtimin e zbardhjes së “të vërtetës” për rastin “Monstra”, vota të cilat e bënë diferencën dhe i mundësuan atij të bëhet kryeministër. Në fund të vitit 2017, Prokuroria e Maqedonisë kërkoi anulimin e vendimit dhe kthimin në rigjykim të lëndës “për shkak të fakteve të reja”.
Rigjykimi i kësaj lënde filloi në Prill të vitit 2018 dhe nisur nga deklaratat e Kryeministrit Zaev dhe funksionarëve tjerë të lartë të LSDM si Muhamed Zeqiri për pafajësinë e të akuzuarve opinioni ishte përgatitur të mësoj “të vërtetën e vërtetë”të kësaj vepre makabre. Më 21 Janar të këtij viti u thanë fjalët përfundimtare nga prokuroria. Kësaj radhe nga prokuroria u kërkua dënimi kapital për 4 nga të akuzuarit për veprën “Terrorizëm” dhe dënime të rënda për dy të tjerë për ndihmë në kryerjen e veprës. Sami Luta është lënë i lirë nga akuza për mungesë provash, e që fakt vërteton se të paktën njëri nga të dënuarit po të mos kishte proces të rigjykimit do të qëndronte në burgim të përjetshëm padrejtësisht.
Nuk do mend që askush, tekstualisht askush, nuk mund të mbroj apo shfajësoj me cilëndo arsye ose motiv të logjikshëm vrasës të njerëzve të pafajshëm. Nuk do mend, që ashtu si prindërit e viktimave të gjithë duam drejtësi, dhe as më të voglin kompromis me drejtësinë e plotë. Nuk do mend që të gjithë duan dënim kapital për fajtorët, madje më shumë se vetë prokuroria. Por kronologjia e këtij rasti, vepra e të cilit nuk duhej të vinte në dyshim aspak drejtësinë për viktimat dhe të jepte dënimin e merituar për kryerësit e kësaj vepre çnjerëzore po kthehet edhe në një burim për pakënaqësi historike mes komuniteteve. Ky gjykim që duhej ti bashkonte palët rreth dhimbjes për jetët e humbura po krijon ndasi të reja.
Cilido që të jetë vendimi i gjykatës, fatkeqësisht drejtësia nuk do t’i kënaq palët. Ashtu si u nis dhe ashtu si u zhvillua ky rast do të vazhdoj të keqpërdoret nga politika dhe politikanët edhe në të ardhmen. Politikanët e kësaj gjenerate mbi supet e tyre do të mbajnë edhe një proces i cili s’do mend që do të keqpërdoret për të nxitur ndasi dhe që do të thellojë edhe më tej mosbesimin ndaj tyre dhe institucioneve që drejtojnë. Ky rast do të vazhdoj të jetë tokë pjellore për të mbjellë e për të rritur ide ekstreme nga të gjitha palët dhe në fund, ata që do të vuajnë më shumë nga kjo janë pikërisht qytetarët, në emër të të cilëve “jepet drejtësia”.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)