Në afat prej tre muajve duke nisur nga nëntori i 2017 e deri në fund të janarit të vitit 2018 në Çair të Shkupit kanë ndodhur disa vrasje e dhjetëra incidente tjera të armatosura, ku fatmirësisht nuk ka pasur viktima në njerëz. Një pjesë tyre organet e rendit i kanë zgjidhur, e disa tjera jo. Shqetësimi më i madh i banorëve të kësaj ane mbetet vetëdija e ulët qytetarë dhe guximi i tyre që zënkat personale ti zgjedhin në rrugë
Omer XHAFERI
Shkup, 3 tetor – Brenda një viti Shkupin dhe rrethinën e kanë tronditur disa vrasje dhe përleshje ku janë përdorur armë zjarri. Seritë e incidenteve me pasoja fatale fillimisht nisën në Çair, më pas u bartën në Hasanbeg, një lagje periferike e Shkupit dhe së fundmi vrasja e cila i shqetësoi banorët e kryeqendrës u regjistruar disa metra larg zyrave të Prokurorisë Speciale Publike, po në Shkup, shkruan gazeta KOHA. Si rezultat i këtyre zënkave, gjatë periudhës së kaluar të vrarë kanë mbetur pesë persona, ndërsa mbi dhjetë qytetarë kanë shpëtuar të plagosur.
Vrasja e parë pas shumë kohës në Shkup, gjegjësisht në Çair, e cila vazhdon të mbetet e pazgjidhur, ishte likuidimi i Ismet Kokës. Rafalin dhe krismat e fundit të nëntori të vitit të kaluar vazhdojnë ti kujtojnë banorët e Fushë Tophanes, e cila njihet si një lagje e qetë urbane. Ky incident me pasoja fatale, ku pati të vrarë dhe të plagosur, e shtoi dozën e frikës te banorët për sigurinë e tyre.
Shqetësimi i banorëve të Çairit u shtua edhe më tepër kur pas një jave, në fillim të dhjetorit të kaluar në rrugën Xhon Kenedi u regjistrua një vrasje tjetër. Kësaj radhe shënjestra ishte Burim Idrizi, një djalë i ri i cili me breshëri plumbash, në sytë e dhjetëra qytetarëve u vra përball Shkollës së Mesme “Cvetan Dimov” në Çair.
Pavarësisht faktit se organet e policisë vepruan në kohë që ky rast të zgjidhet dhe vrasësit të zbulohen, për opinionin e gjerë siguria në vend paraqet njërën prej problematikave kryesor që duhet zgjedhur nga institucionet përkatëse. Brengën e qytetarëve të anës së vjetër të Shkupit më së mirë e arsyeton fakti se pas vrasjes së Idrizit, disa ditë më vonë në lagjen e Dizhoni ndodhi edhe një zënkë tjetër, kësaj radhe familjare, por që përfundoi me viktima në njerëz.
Kronika tragjike që përshkoi një afat prej tre muajve duke nisur nga nëntori i 2017 e deri në fund të janarit të vitit 2018 në Çair, ka regjistruar disa vrasje e dhjetëra incidente tjera të armatosura, ku fatmirësisht nuk ka pasur viktima në njerëz. Incidente të ngjashme dhe vrasje gjatë periudhës së fundit po thuajse janë regjistruar në çdo cep të Shkupit, megjithatë shumica prej tyre ndodhin mes qytetarëve shqiptar. I tillë mendohet të jetë edhe rasti i fundit në Hasanbeg të Shkupit, ku me breshëri plumbash u sulmua një 22 vjeçar nga fshati Luboten.
Organet e rendit duke raportuar për këtë ngjarje thonë se vetura e llojit “mercedes” ka qenë e sulmuar nga persona të panjohur, por se të njëjtit mbi të kanë shtirë mbi 30 fishekë. Fati i madh shënjestra në këtë rast ka kaluar me lëndime të rënda trupore. Motivet dhe arsyet e kësaj ndodhie flitet se lidhen me hakmarrjen për një vrasje të ndodhur në fshatin Luboten në prill të vitit 2015.
Dhe, incidenti më aktual ku u përdorën armë zjarri, ku mbetën të vrarë dy person ndodhi mu në qendër të Shkupi. Elementi i përbashkët që e lidh këtë ngjarje me rastet e sipërpërmendura është se viktimat dhe të plagosurit janë të etnisë shqiptare. Kjo ngjarje tragjike e cila vazhdon të hetohet nga policia e Shkupit dhe prokuroria, mendohet të ketë lidhje me nëntokën e kryeqendrës, respektivisht me faktin se viktima Naim Ajeti, ka qenë vëlla i Xhelal Bellanocës, i cili vite më parë, në rrethana ende të panjohur u likuidua para çajtores së tij në fshatin Hasanbeg. (koha.mk)