Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarović, ka mbërritur në Tiranë në një vizitë zyrtare me ftesë të presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, raporton Anadolu Agency (AA).
Presidentja kroate u prit nga Presidenti Meta me një ceremoni zyrtare në selinë e Institucionit të Presidentit të Shqipërisë, ndërsa pas pritjes dy homologët zhvilluan një takim kokë më kokë e më pas një takim dypalësh në krye të dy delegacioneve respektive.
“Shqipëria dhe Kroacia po punojnë që ta ngrenë nivelin e bashkëpunimit në partneritetit strategjik”
Pas takimit Meta dhe Grabar-Kitarović mbajtën një konferencë të përbashkët për media, ku presidenti Meta tha se marrëdhëniet e Shqipërisë me Kroacinë janë të shkëlqyera, ndërsa vlerësoi kontributin që Kroacia ka dhënë për Shqipërinë në proceset integruese.
“Kroacia ka qenë dhe mbetet një mbështetëse e fortë e çeljes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me BE-në. Modeli dhe eksperienca e Kroacisë në BE është shumë e vyer për ne shqiptarët”, tha Meta.
Sipas Metës, Shqipëria dhe Kroacia po punojnë që së shpejti ta ngrenë nivelin e bashkëpunimit në atë të “partneritetit strategjik”.
“Në kuadrin dypalësh, një vëmendje shumë domethënëse i kushtojmë bashkëpunimit ekonomik, pasi potencialet dhe burimet e të dy vendeve, si në aspektin dypalësh edhe në atë rajonal, janë të jashtëzakonshme. Interesat e të dy vendeve janë të përbashkëta dhe komplementare dhe kuadri i përbashkët ligjor në fuqi na krijon të gjitha mundësitë për të forcuar bashkëpunimin, veçanërisht në fushën e turizmit, energjetikës dhe infrastrukturës”, deklaroi Meta.
Duke folur për bashkëpunimin rajonal, Meta tha: “Theksuam vendosmërinë për të vijuar me kontributin konstruktiv për të forcuar qëndrueshmërinë dhe bashkëpunimin në rajonin tonë”.
“Shqipëria ka mbështetje teknike dhe politike nga Kroacia në rrugën e saj drejt BE-së”
Ndërsa presidentja e Kroacisë, Kitarović, në fjalën e saj tha se në takim kanë diskutuar për fuqizimin e bashkëpunimit të frytshëm ndërmjet Kroacisë dhe Shqipërisë.
“Shqipëria ishte miku jonë kur miqtë ishin të pakët, gjatë luftës për atdheun tonë. Komuniteti shqiptar në Kroaci është shembull i lidhjeve tona të forta, por është një shembull për fuqinë e këtij komuniteti që luftuan për lirinë e Kroacisë. Nga 18 mijë shqiptarët që jetonin në Kroaci, 2.500 prej tyre ishin vullnetarë, ishin në luftën e Kroacisë dhe fatkeqësisht 87 prej tyre humbën jetën dhe 37 prej tyre janë akoma të zhdukur. Ne i jemi mirënjohës popullit shqiptar për ndihmën që kanë dhënë për lirinë e vendit tonë”.
Duke folur për zhvillimet e mëtejshme të marrëdhënieve mes dy vendeve Kitarović tha: “Ne kemi potenciale të mëdha për zhvillime të mëtejshme, nëpërmjet marrëdhënieve tona bilaterale dhe për fuqizimin e marrëdhënieve tona në fusha të ndryshme, veçanërisht përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare, gjithashtu edhe lidhjet e transportit dhe infrastrukturës”.
Në vijim të fjalës së saj, Kitarović tha se duke njohur influencën e Shqipërisë që ka në vendet e Evropës Juglindore, duhet të ndërtohen marrëdhënie strategjike midis dy vendeve. Sipas saj, dialogu politik mes dy vendeve është shumë dinamik dhe duhet të fuqizohet bashkëpunimi.
Duke folur për integrimin e Shqipërisë në BE, Kitarović tha se Shqipëria ka mbështetje teknike dhe politike të fuqishme nga Kroacia në rrugën e saj drejt BE-së.
“Dëshiroj t’ju përgëzoj për vendimin e Këshillit, i cili e njeh këtë progres të kryer në Shqipëri dhe hap rrugën për hapjen e negociatave në qershor të vitit 2019. Ne jemi gati të vazhdojmë t’ju mbështesim për çdo gjë që ju keni nevojë në rrugën tuaj gjatë anëtarësimit në BE”, deklaroi Kitarović.
Gjatë qëndrimit në Shqipëri, presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarović, do të zhvillojë takime me drejtues të lartë të Shqipërisë, si dhe do të mbajë nesër një fjalë përshëndetëse në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë.