Zagreb, 3 janar -Kroacia sot i vendosi Izraelit afat të fundit deri më 11 janar për tejkalimin e mosmarrëveshjeve me SHBA-në rreth shitjes së 12 aeroplanëve të llojit “F-16 Barak” për Forcat ajrore ushtarake kroate.
Siç lajmëroi DPA, Ministria kroate e Mbrojtjes kumtoi se më së voni deri më 11 janar Izraeli “do të duhet të sigurojë leje nga SHBA-ja dhe t’i dërgojë aeroplanët në pajtim me marrëveshjen”.
Kroacia dhe Izraeli vitin e kaluar në mars nënshkruan marrëveshje për shitjen e 12 aeroplanëve izraelitë Zagrebit për shumë prej 445 milionë dollarëve, por meqenëse bëhet fjalë për fluturake të prodhimit amerikan të sendërtuara dhe modernizuara në Izrael, për shitjen e tyre vendeve të treta nevojitet pajtueshmëria nga SHBA-ja.
“Nëse Kroacia nuk mund t’i marrë aeroplanët që i zgjodhi, do ta anulojë furnizimin e fluturakeve”, ceket në kumtesën e Ministrisë kroate. Kroacia është anëtare e NATO-s prej vitit 2008.