Prishtinë, 8 nëntor – “Kroacia nuk e mbështet idenë për korrigjim të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, pasi që nuk beson se një korrigjim i tillë do ta bënte rajonin më të qëndrueshëm”, deklaroi në një interviste për gazetën “Zëri” ambasadorja kroate në Kosovë Marija Kapitanoviq.
Ajo shton se përkundrazi një iniciativë e tillë mund të shkaktojë çështje shtesë në vend të zgjidhjeve.
“Sa i përket korrigjimit të kufijve nga pikëpamja e dikujt që vjen nga një vend i cili përjetoi një të kaluar të vështirë, ne nuk mendojmë që kjo është zgjidhja më e mirë e mundshme”, ka potencuar ambasadorja Kapitanoviq.
Në pyetjen për liberalizimin e vizave për Kosovën, ambasadorja e anëtares më të re në Bashkimin Evropian tha se momentalisht nuk mund të thotë se kur qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm në Evropë.