Edhe shumë ujë do të derdhet nëpër Danub derisa të zhvillohet miqësia midis Kroacisë dhe Serbisë, por dy shtetet kanë për obligim për shkak të interesave dhe mirëqenies së popujve, të bëjnë gjithçka për të ndërtuar marrëdhënie sa më të mira, deklaroi dje presidentja kroate Kolinda Grabar Kitaroviq. Ajo, në fjalimin e saj në solemnitetin e “Sinjska alka” në Vukovar, theksoi se Kroacia dëshiron të bashkëpunojë me Serbinë në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe t’i ndihmojë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
“Si presidente kroate, por edhe si nënë nuk dua të shoh asnjë grua të vuajë për fëmijën e vrarë në luftë. Do të bëjmë gjithçka që ta ruajmë paqen dhe stabilitetin dhe prandaj është kyç hapi i ri në marrëdhëniet Kroaci-Serbi”, theksoi Grabar Kitaroviq. Ajo shtoi se është koha që Kroacia dhe Serbia të tërheqin një vijë dhe të fillojë të ndërtojnë marrëdhënie të respektimit të ndërsjellë.