Fatos RUSHITI
Shkup, 17 janar – Skena politike shqiptare duket e ngarkuar me shumë liderë dhe parti politike, e ku mbisundon përçarja dhe lufta e pa kompromis për kreun e tyre. Derisa tek partitë e vjetra – BDI dhe PDSH, kemi liderët që nuk lëvizin nga kolltuku i partisë për shumë vite, në Lëvizjen BESA dy persona pretendojnë se janë lider partie, njëjtë sikurse më parë edhe tek RDK me Vesel Memedin dhe Fadil Zendelin, shkruan gazeta KOHA. Nga BDI, shumë vite më parë u shkëput Hysni Shaqiri që formoi parti ashtu sikurse tani shpejt me Gëzim Ostrenit dhe themelimin e UNITETI-t. Apo nga fraksioni i PDSH-së kur u krijua Demokracia e Re e Imer Selmanit, që më vonë të paraqitet LR-PDSH, tani Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës. Por çështja është pse kemi kaq përçarje nëpër parti, kryesisht opozitare? Sociologu politik Ali Pajaziti mendon se mosbesimi ndaj liderit ka derivuar në përçarje të brendshme, kjo për shkak të, siç thotë ai, bajraktarizimit tek lidershipi partiak për një kohë të gjatë.
KUR LIDERI S’KA BESIM
“Problemi i diversifikimit intern të partive politike shqiptare në Maqedoni, gjegjësisht përçarjet e brendshme, kanë të bëje me mosbesimin ndaj lidershipit për një kohë të gjatë, gjegjësisht me mendësinë tradicionale të bajraktarizmit që me sa duket e kemi në gjak apo në kodin kolektiv”, thotë Pajaziti. Faktor tjetër, mendon Pajaziti, janë klanet e krijuara që mbajnë epiqendrat partiake e që krijojnë një tavan të qelqtë që nuk lejon jashtësinë të zhvillojë mobilitetin brenda partiak.
“Pra, ngritjen vertikale të kuadrove dhe që krijon tendenca të atomizmit dhe tërheqjeve në drejtimin e rrathëve më të vegjël që rriten dhe pastaj sfidojnë prijësin me shpurën e tij”, thekson profesori universitar Pajaziti. Ai përmend dhe faktorët e jashtëm që mbysin konkurrencën për zhvillimin e liderizmit të ri duke fajësuar herë shtetin e herë konkurrentin më të madh politik. “Në këtë drejtim, ndikim ka edhe faktori i jashtëm, pra forcat eksterne që tetivat akiliane të konkurrentëve dhe i nxisin krisjet brenda organizmit amë. Herë është shteti e herë partitë tjera”, vlerëson për KOHA, Pajaziti. Ai flet për nevojën e krijimi të kulturës së qarkullimit të elitave, për të bindur – siç thotë ai, që dështimi nënkupton dorëzimin e stafetës tek tjetri.
“Tek ne ka shumë nevojë për krijim të kulturës së qarkullimit të elitave, pra të bindjes se dështimi nënkupton kalimin e stafetës, se s’ka lider të përjetshëm, se politika ka apogjeun e vet, por edhe ndërgjegjen për t’u tërhequr në momentin gjegjës”, thekson sociologu Pajaziti. Sipas tij, demokracia e brendshme është ende term politologjik që nuk ka gjetur jetësimin tek partitë politike shqiptare në Maqedoni. Sa i përket mungesës së demokracisë së brendshme, në një vijë me Pajazitin shprehet edhe analisti politik Ibrahim Mehmeti, madje duke e ndërlidhur këtë fakt me krizën ekonomike dhe mungesën e perspektivës.
“Problemi me përçarjet brenda partiake tek subjektet politike shqiptare qëndron tek mungesa elementare e demokracisë së brendshme, por edhe te mungesa e besimit ndaj liderëve partiak. Kjo dukuri sidomos është shpeshtuar në periudhën më të re, ku kriza ekonomike dhe mungesa e perspektivës euro-atlantike bëri që politika në përmasa të mëdha të bëhet mënyra e ekzistencës dhe e perspektivës së njerëzve”, thekson Mehmeti. Kur kjo kombinohet, shton ai, me mungesën e zhvillimit të kulturës politike dhe sidomos me mungesën e demokracisë së brendshme në subjektet politike, atëherë nuk duhet të habitemi pse aq shpesh jemi dëshmitarë të përçarjeve brenda partive. Ai jep analizë të veprimit politik të liderëve partiak që posa të zgjidhen, siç thotë Mehmeti, luftojnë mendimin ndryshe në parti.
“Nga ana tjetër, në momentin që zgjidhen, liderët e partive krijojnë distancë ndaj bashkëpunëtorëve të afërt dhe mbyllen në rrethin e njerëzve të besueshëm, mbi të cilët mund të ushtrojnë kontrolle dhe i largojnë të gjithë ata të cilët kanë mendim ndryshe ose shprehin çfarëdo dyshimi ndaj politikave të liderit”, thekson Mehmeti. Ai më tej thotë se kriza për lidership ka të bëjë më atë se mungojnë strategjitë për zhvillimin e shqiptarëve, ndërsa liderët partiak, sipas Mehmetit, ngushtohen politikisht tek interesat personale. Që të ndryshohet kjo gjendje, ai thotë se fjalën kryesore e kanë qytetarët dhe presioni i opinionit publik.
“Kësaj duhet t’ia shtojmë edhe faktin se partitë shqiptare në përgjithësi janë në krizë të thellë politike për shkak të mungesës së strategjisë për kahen e zhvillimit të shqiptarëve këtu në Maqedoni dhe politikat e tyre i mbështesin mbi interesa afatshkurtra të cilat krijojnë huti dhe pakënaqësi në opinion dhe rrjedhimisht – edhe brenda vetë subjekteve politike. Që të ndryshohet ky trend negativ, nevojitet presion më i madh nga opinioni publik me qëllim që partitë t‘a kuptojnë se ata janë aty ku janë me pëlqimin e qytetarëve dhe për interesat e tyre jo për t’i kënaqur ambiciet personale. Mirëpo, ky presion është i vështirë të bëhet përderisa mediat dhe mjetet e komunikimit publik në përgjithësi janë inferiorë ndaj partive politike dhe pozicionohen sipas afiniteteve partiake dhe jo të opinionit publik. Që të mund të bëhet ndryshim cilësor, nevojiten më shumë hapa, por fjalën kryesore duhet ta kenë qytetarët dhe opinioni publik”, thekson për gazetën KOHA analisti politik Ibrahim Mehmeti.
KALKULUES TË ULËT POLITIK
Kur jemi tek mungesa e liderëve bashkëkohor, profesori universitar i drejtësisë, Bekim Kadriu, thotë se aktualisht kemi liderë që nuk dinë gjëra elementare në kompjuter – edhe atë siç thotë ai, në shekullin e teknologjisë. Por arsyeja kryesore pse kemi krizë liderësh, Kadriu mendon se të rinjtë nuk kanë hapësira për të shfaqur individualitetin politik. Kemi dhe lider të përgatitur profesionalisht, mendon Kadriu, por që bien pre e kalkulimeve të ulëta politike dhe janë larg edukimit politik bashkëkohor.
“Fatkeqësisht, ne ende kemi liderë që ndoshta nuk dinë të hapin një kompjuter edhe atë kur jetojmë në shekullin e teknologjisë. Deri tek kriza për lider bashkëkohor kemi ardhur për shkak se qendrat partiake mbyllin hapësirat për të rinjtë që njëmend kanë afinitet për të zhvilluar individualitetin politik dhe këta shihen si konkurrentë e jo si vlerë e partisë. Nga ana tjetër, përkrahen ata që janë të dëgjueshëm për çdo gjë ndaj liderit partiak. Ndoshta kemi lider të përgatitur profesionalisht, por që shpejt bien pre e kalkulimeve të ulëta politike dhe nuk bëjnë asnjë rreth edukimit politik qoftë përmes trajnimeve nga jashtë apo bashkëpunimeve me parti të modernizuar në vendet perëndimore”, thotë Bekim Kadriu. (koha.mk)