Tibo Kurtua nuk po kalon momentin e tij më të mirë në Madrid. Por portieri belg përbën lajm edhe për deklaratat e tij, ku akuzon shpesh për golat e pësuar edhe shokët e skuadrës. Nuk bën përjashtim as ndeshja e fundit kundër PSG.
Reali pësoi tre gola në “Parc des Princes”, për të cilët askush nuk mund të drejtojë gishtin nga portieri, përveç rastit të golit të parë të Di Marias, ku ndoshta ai mund të kishte bërë diçka më shumë. Megjithatë, ai e drejton përgjegjësinë edhe nga pjesa tjetër e skuadrës për golat që pësoi mbrëmjen e së mërkurës. “Ne duhet të sulmojmë me 11 vetë dhe mbrojmë me 11 vetë. Te goli i parë unë isha pozicionuar në qendër dhe Di Maria goditi shumë shpejt.
Të gjithë kanë pjesën e tyre për të mbrojtur. Portieri është gjithnjë i zhgënjyer kur pëson gol. Kjo duhet parë si një punë në grup dhe jo thjesht si paraqitja e një lojtari të vetëm”, deklaroi gardiani i Zinedin Zidanit pas humbjes në Champions. Francezët i dominuan rekordmenët e Europës nga minuta e parë deri tek e fundit në ndeshjen e parë në grup, duke i detyruar spanjollët që të mos e godasin asnjëherë portën e Kejlor Navasit gjatë 90 minutave.
“Trajneri na tha se ne nuk duhet të mendojmë për mungesat e tyre (Nejmar, Mbape dhe Kavani), sepse ajo skuadër ka futbollistë që luajnë mirë dhe ne duhet të ishim gati për çdo lojtar që do të luante. Por ne do të analizojmë se çfarë nuk shkoi një e nga një. Pjesa e parë kishte më shumë agresivitet”, shtoi Kurtua. Zizu akuzoi ekipin për mungesën e intensitetit dhe Kurtua është dakord: “Po, mund të punohet për të. Luanim kundër një skuadre të madhe. Duhet të krijonim raste. Por tani duhet të nisim që të mendojmë me gjakftohtësi për të korrigjuar.