Ekonomistët thonë se krahas planifikimit dhe menaxhimit jo të mirë të realizimit të investimeve kapitale, në këtë periudhë ndodhi edhe kriza e pandemisë ku kishim masa shtrënguese si dhe ngadalësim në përgjithësi të aktiviteteve ekonomike në vend
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 28 qershor – Në periudhën janar-maj në Maqedoninë e Veriut janë realizuar vetëm 20 për qind e investimeve kapitale. Kohë më parë janë shkurtuar dhe riorientuar 68 milionë euro nga 383 milionë të planifikuara për nevojat më urgjente të arkës së shtetit për tu ballafaquar me krizën e pandemisë. Me fjalë të tjera në pesë muajt e parë të vitit janë harxhuar vetëm 59 milionë euro nga shuma e planifikuar prej 315 milionë euro për ndërtimin e rrugëve, shkollave,ujësjellësve dhe kanalizimeve, banesave sociale, hekurudhës etj.
Edhe në vitin 2019, nga 420 milionë euro prej të vilave u shkurtuan 50 milionë euro me rebalanc, apo nga 370 milion euro në dhjetë muajt e parë të vitit të kaluar u realizuan 41 për qind e investimeve kapitale. Në fund të vitit 2019, sipas të dhënave zyrtare janë harxhuar 290 milion euro apo 78.8 për qind e totalit të investimeve të planifikuara kapitale.
Ekspertët ekonomike thonë se shteti as në periudhën e kaluar nuk mund të lëvdohet me realizimin e tërësishëm të investimeve kapitale që në 10-15 vitet e kaluara janë realizuar në mesatare me 70 deri 80 për qind
Ata shtojnë se krahas planifikimit dhe menaxhimit jo të mirë të realizimit të investimeve kapitale, në këtë periudhë ndodhi edhe kriza e pandemisë ku kishim masa shtrënguese si dhe ngadalësim në përgjithësi të aktiviteteve dhe rrjedhave ekonomike në vend. Gjithashtu, është e pritshme që në periudhë para dhe post zgjedhore të kemi ngadalësim të punës si në administratën shtetërore ashtu edhe të realizimit të investimeve kapitale.
Ekspertja ekonomike Vesna Garvanlieva thotë se në vend me vite me radhë po shënojmë jo realizimin e investimeve kapitale, apo ajo çka planifikohet në buxhet nuk po realizohet tërësisht deri në fund të vitit. Ajo shton se realizimi i investimeve kapitale që parashikohen në buxhetin e shtetit në vazhdimësi problematizohet si rrjedhojë e aftësisë së pamjaftueshme të administratës publike që të menaxhojë projekte të tilla.
“Nevojitet të përmirësohet cilësia e planifikimit të harxhimeve kapitale që do të bazohet në kapacitetet për realizimin e tyre nga ana e pushtetit lokal dhe qendror Me fjalë të tjera , trendi i mos realizimit të plotë të investimeve kapitale në periudhën 2008-2019, udhëzon se mungon planifikim më i mirë i tyre, harmonizim me prioritetet si dhe tregon kapacitet të dobët administrative për një menaxhment projektues”, shton Garvanlieva.
Sipas saj, mos realizimi i investimeve kapitale me aq mjete sa janë planifikuar në fund sjell edhe humbje për zhvillimin ekonomik të Maqedonisë së Veriut për shkak se nuk po përmirësohet më tej infrastruktura për biznesin si dhe dobësohet konkurrenca dhe potenciali i saj për eksport.
Ndryshe, ekonomistët thonë se realizimi i tërësishëm i investimeve kapitale që dikton edhe dinamikën dhe lëvizjen e ekonomisë së shtetit, por edhe rritjen ekonomike, kërkon krahas planifikimit më të kujdesshëm, edhe një vëmendje më të madhe ndaj procesit të fizibilitetit apo frytshmërisë që duhet të tregojë se sa dhe si projekti është i realizueshëm brenda kostos së parashikuar dhe sa është i mundshëm apo i realizueshëm në aspekt teknik. (koha.mk)