Shkup, 2 prill – Kriza aktuale në vend dukshëm ndikon edhe në tregun e Bit Pazarit. Për këtë, sidomos ankohen shitësit, të cilët thonë se kriza politike dhe papunësia që ka kapluar vendin, po reflektohet edhe në punën e tyre. “Çmimet janë gati të njëjta, përveç portokajve dhe limonëve. Luleshtrydhet tani kanë rënë nga 150 denarë në 120-100 denarë. Rënie të çmimit ka edhe te domatet, te trangujt, mirëpo edhe përskaj kësaj, përsëri s’kemi shitje. Politike po ndikon keq, sa që edhe njerëzit frikohen të dalin “, thotë Shaban Adili, shitës. “Lëvizje ka shumë pak. Mendoj se kriza politike po ndikon shumë. Njerëzit e frikësuar gjitha këto gjëra i blejnë nëpër marketet e tyre të afërta. Është fakt se populli nuk ka para. Edhe çmimet e volitshme atyre përsëri ju duken të shtrenjta”, shprehet një shitës. Nga ana tjetër, qytetarët mendojnë që çmimet janë rritur në këtë treg, por që janë të një mendimi me shitësit në lidhje me krizën aktuale politike. “Çmimet janë të larta. Në fakt, këto çmime nuk dallojnë shumë nga çmimet e marketeve, prandaj njerëzit më shumë shkojnë në markete, sepse i kanë afër”, tha një qytetare. Ka edhe të atillë që mendojnë se shkas i rënies së shitjes në Bit Pazar është edhe papastërtia e madhe që mbretëron në të. Ka kohë që thuhet se në vend të tregut aktual, do të ndërtohet një i ri me kushte të mira. Nga Komuna e Çairit kohë më partë njoftuan se Qyteti i Shkupit ka dhënë leje për ndërtimin e tregut të ri, por akoma nuk dihet data e nisjes së punimeve. Sipas parashikimeve, në Bit Pazar do të vendosen 1 mijë tezga dhe do të zgjidhet edhe problemi i parkingut. Por, para kësaj, gjithsesi, nevojitet një stabilitet politik, pa tensione dhe me marrëdhënie ndëretnike të relaksuara. (koha.mk)