Kur parashikohet që do të jetë vështirë për vendet e fuqishme industriale, imagjinoni se si do të jetë për ne. Ky është realiteti i cili nuk duhet të na bëj më pesimist, por përkundrazi, duhet të nxisë që secili të marrë më shumë në dorë situatën
Nga Dr. Arben TARAVARI
Shefja e Organizatës Botërore të Tregtisë, zonja Ngozi Okonjo-Iweala që është shefja e Organizatës Botërore të Tregtisë, duke pasur gjithë sytë e globit drejtuar tek ajo, deklaroi në një konferencë alarmante që bota është duke rrëshqitur drejt një recesioni global. Pasi ishim mësuar me daljet e shpeshta të OBSH-së që na mbante nën lajm me pandeminë, pa u mbyllur mirë kjo e fundit, tani një OB…tjetër po familjarizohet me njerëzimin, OBT-ja e cila jep alarmin për recension. Recension me fjalë të tjerë domethënë mbyllje e bizneseve, pakësim i prodhimit, rritje çmimesh për ato pak produkte që do të ketë, dhe rënie e vlerës monetare. Kjo krizë vjen si pasojë jo vetëm e luftës që po ndodh në Ukrainë por edhe krizës që la pandemia e si për të dhënë goditjen finale janë ndryshimet klimaterike. Me ashpërsimin e kushteve atmosferike planeti sa vjen dhe po përballet me katastrofa natyrore të cilat po shkaktojnë dëme të drejta për drejta në jetën e njeriut, në natyrë, dhe në ekonomi.
Kriza të tilla kanë qenë pararendëse të luftërave dhe viteve të tëra dramatike për njerëzimin. Është ironike të mendosh që në kohën kur Kristiano Ronaldo nuk e di sa se makina ka (sepse ka shumë), apo familja Kardashian është supermiliardere, sepse shesin buzëkuq dhe skandale familjare, OBT-ja paralajmëron se jemi në prag të një varfërie me pasoja të tmerrshme.
Në treg çdo çmim është rritur. Edhe ato çmime të cilat janë të mbrojtura nga politikat fiskake të shtetit dhe janë ndaluar të rriten, i gjen në vlera stratosferike sepse shteti vendos rregulla por jo edhe rregullator. Një nga lajmet bombë të rritjes së çmimeve, në kufijtë e një anektode, ishte ai i djathit kaçkavall, i cili disa si thashetheme e disa si paralajmërim flitet që do të kapë shifrën e 1200 denarëve për kilogram. Me këtë shifër miu i famshëm i kartonave të animuar, Xherri, kur rrëmben djathin kaçkavall, nuk të duket më si një krijesë e pafajshme që do thjesht ushqim, por si një bandit alla Pablo Escobar. Me fjalë të tjera do të thotë që një picë do të shkoj në vlerat e një peshku Koran, e një tost do të jetë i barabartë me një biftek. Kjo e thënë në kontekstin e humorit të zi sepse nëse rritet kaq shumë çmimi i djathit kaçkavall, çmimi i biftekut ka për të shkuar sa një frigorifer, e për të marrë një peshk Koran do të duhet të hymë në kredi bankare. Nëse rritja e çmimeve është një shqetësim global, në Maqedoni merr përmasat e një tragji-komedie groteske.
Por në fund të së cilës nuk duartroket assesi pasi ka shumë pasoja të rënda. Qeveria e cila ka barrën kryesore në këtë moment, është në hall të madh. Tani nuk ka asnjë spektakël që mund të devijoj vëmendjen nga gjendja kritike që kemi. Edhe tradita e famshme dhe cinike e Panem et Circenses (bukë dhe cirk) që e bënin në Romën e Lashtë për të shmangur vëmendjen nga ndonjë skandal politik, nuk bëhet dot, sepse nuk ka bukë për të shpërndarë. Dramat e vërteta si varfëria, papunësia, uria janë duke përfshirë fillimisht vendet e vogla dhe sidomos në tranzicion. Maqedonia në këtë rast është një shtet tipik ku kriza do të rëndoj ndjeshëm.
Pra është një nga momentet më të vështira në të cilat jemi gjendur ndonjëherë dhe për fat të keq parashikohet që situata të vështirësohet dhe më tej. Duhet të bëhemi gati prej individit e deri në instancat më të larta që të dalim fitimtar kundrejt këtij tërmeti që po na afrohet çdo ditë e më shumë, magnituda e të cilit do të jetë një test i fortë për botën e sidomos për shtete të brishta si ky i yni.
Në profesionin tim të mjekut është ligj që kur kemi ndonjë gjendje akute të hemorragjisë apo ndonjë atak kardiak apo sulm cerebral, pra kërcënohet jo cilësia e shëndetit por vet shëndeti, duhet ndërhyrë menjëherë për të marrë nën kontroll sisteme me rëndësi kapitale të organizmit si janë zemra, qarkullimi i gjakut në trup apo truri që është një organ suprem në organizimin tonë. Prandaj edhe quhet Ndihmë e Parë ose Ndihma e Shpejtë pasi çdo sekondë vendos mbi jetën ose vdekjen. Vendi tani është në gjendjen e Ndihmës së Parë dhe të Shpejtë. Nuk kemi qenë ndonjëherë mirë por tani jemi në një situatë e cila mund të shënojë një nga motet të vështira në historinë tonë.
Kur parashikohet që do të jetë vështirë për vendet e fuqishme industriale, imagjinoni se si do të jetë për ne. Ky është realiteti i cili nuk duhet të na bëj më pesimist, por përkundrazi, duhet të nxisë që secili të marrë më shumë në dorë situatën. Të korruptuarit të ndalojnë menjëherë aferat e tyre se tek e fundit, ata janë përgjegjës për një listë të gjatë problemesh që ky vend kishte edhe pa ardhur kjo krizë globale, të fjeturit të zgjohen nga gjumi – sepse asgjë nuk e dallon një të vdekur nga një i fjetur, të inatosurit që ka shumë të vendosin të falin dhe të shohin të ndihmojnë në këtë krizë, pasi inati nuk ka zgjidhur kurrë asgjë!
Do të jetë një kohë e vështirë të cilën kemi në dorë ta kujtojmë si një kohë dramash ekstreme ose si një periudhë që na bëri më të mençur e më altrusit ndaj njëri-tjetrit. Zoti na ndihmoftë!
(Autori është kolumnist i gazetës KOHA)