Njerëzit nuk rrinë rehat, kërkojnë receta efikase, propagojnë optimizmin, i kapë kriza e makiatos dhe dalin në ndonjë vend të fshehtë për ta pirë me shoqëri…por vazhdojnë edhe zërat “inkurajues” që na thonë mos kini gajle, asgjë s’është kjo, një flamë e lehtë, që mund ta ulin e vigjilencës… (Shënime brenda katër mureve e shtëpisë)
Nga Daut DAUTI
E premte, 27 mars
Një javë pasi nisi pranvera, një paralajmërim për ditët e ardhshme nga sinoptikët, se do të bie temperatura nën zero. Kthehet dimri. Kuptohet, shkurt, sa për të treguar se ende nuk ka ikur, se moti ka shumë të papritura. Por kjo nuk ka ndonjë ndikim te lufta me pandeminë. A ndikon rënia e temperaturës me rrallimin e virusit, ekspertët thonë jo.
Nga ana tjetër, kur jemi ngujuar nëpër shtëpi(çdo respekt atyre që shkojnë në punët e tyre të përditshme), dhe s’kemi ndonjë alternativë.
Të paktën nga dy miq, në mesenxher, më vjen një “recetë” për ta luftuar virusin, sipas rekomandimit të mjekëve izraelitë, (përzierje të limonit me sodë bikarbone në ujë të nxehtë), pasi në Izrael falë saj nuk paska të infektuar!. Pastaj e shoh se edhe një mik e ka postuar në facebook, ku është zhvilluar debati “me kompetencë” është apo nuk është efikas. Së pari, disa demantojnë si të pasaktë se nuk ka pandemi në Izrael, kurse sa i përket vetë recetës, postuesi u thotë miqve të vetë: provojeni, edhe nëse nuk është efikas, prej saj nuk ke dëm!
Po sot më vjen në mesenxher një videomesazh ku një plaku 70 vjeçar, shqiptar në Zvicër, i cili bashkë me të shoqen kanë dalë pozitiv me coronavirus. Ai i porosit njerëzit “mos u tutni se kurgja s’kana”. Një grip i lehtë si çdo grip, që ndonëse i ka rënë atij, ka pirë çaj, paracetamol e vitamina dhe as ka pasur temperaturë të lartë e as komplikime me frymëmarrje.
Sa ma çoi kushëriri nga katundi këtë videomesazh, ia kthej shkurt, lere çka thotë plaku, ti ruaje veten, ruaje familjen. Edhe djali i atij plakut 80 vjeçar nga Kosova, viktima e parë e coronavirusit, kishte dalë me përshkrime të ngjashme… Shumë optimiste t’i dëgjosh ata. Të njëjtën ditë kur në Itali thanë se mbi 900 persona kanë vdekur, ditën kur kryeministri britanik ka dalë pozitiv me koronavirus-shih deri ku ka mbërritur virusi!- ka njerëz që ende thonë s’qenka asgjë, përhapin një lloj optimizmi ngushëllues. Nuk them që optimizmi nuk duhet të na shoqërojë, por të inkurajohet pakujdesia, këta njerëz vërtet janë të dëmshëm. Po të ishte luftë, këta do t’i kishin gjykuar për propagandë armiqësore!
E shtunë, 28 mars
Rri në shtëpi, e mendohu brenda mureve të banesës. Shiko televizion, hyn pak në internet, hidh pak syrin në dritare…Hë, sot e shtunë, si shpejtë humbën nga sytë të rinj të pakujdesshëm që luajnë basket te parku. Sepse në ora 16.00 hyri në fuqi “ora policore” që vlen gjatë ditëve të vikendit. Sigurisht se do të ketë efekt. Të paktën do të kufizojë lëvizjen e atyre që nuk i zë vendi vend. Na kanë mbetur veç filma e telenovelat, e “best-off”-et e shou-emisioneve, se askush më nuk prodhon, u prish edhe rendi i tyre. Kurse ngjarjet sportive ato “vdiqën” të parat, të gjitha kampionatet janë ndërprerë, asnjë garë nuk, s’ke më çka të shohësh as vikendeve sportive. Për të thyer monotoninë, të mbetet të bësh edhe ndonjë telefon “në distancë sociale”, se s’ka më as shkuarje-ardhje mysafirë.
Ka prej tyre që nuk u rrihet në shtëpi. Njëri prej tyre më merr në telefon. E pyes si është situata në fshat. Më tregon se e kishte marrë malli për një kafe, po ku ta pinte se. Kishte dëgjuar se në një fshat punoka një kafeteri “ilegalisht”. “Shtrak” çelësin veturës, dhe për 15 minuta atje. Kur hyn te lokali, fryma të zihej nga tymi. Jo veç duhan, kafe, makiato, por dhe domino e karta. Rras lokali. Kur kishte hyrë ky, gjithë lokali kishte heshtur. Kishin kujtuar se është ndonjë inspektor… Nejse, s’po e vazhdoj më tutje. Çka të thuash për këtë? Në këtë fshat sigurisht ka prej tyre që janë kthyer nga Italia, Gjermania, Belgjika, Zvicra…Sigurisht se kur janë kthyer u kanë thënë të rrinë në izolim shtëpiak, e jo të dalin nëpër kafe, të cilat edhe ashtu e kanë të ndaluar të punojnë….Gjithë shteti merr masat e vetme të mundshme në luftë kundër koronavirusit, e këta për shkak të një krize makiatoje, janë në gjendje të infektojnë një katund ose një Dërven…Një guxim riskant i pronarit të kafenesë, dhe një marrëzi e paparë e atyre që për një kafe rrezikojnë veten dhe të afërmit dhe miqtë e tyre. Nuk e kanë kuptuar se rreziku më i madh është që ky virus askush nuk e di nëse e ka gjersa nuk shfaqet. Kur shfaqet, mund të ketë hyrë në “vuxhutin” e dhjetëra të tjerëve…
Në ditët e pandemisë, gjithkush ka bërë ndonjë plan si ta kalojë kohën. Unë iu ktheva librave dhe sot e përfundova leximin e vëllimit të parë të librave të Jusuf Buxhovit, “Kosova”. Ja, kaherë i kisha planifikuar t’i lexoj, por për shkak të vëllimit të tyre, vazhdimisht e shtyja për kohë më të mira. Ishalla kjo situatë nuk zgjat sa për t’i lexuar të gjitha vëllimet me mbi 500 faqe secili.
E diel, 29 mars
Jemi bërë si detektorë. Në çdo ditë të re kur ministri Venko Filipçe jep raportin ditor të të infektuarve, mundohemi të gjejmë tendencën, nëse shkon kah e mira, ose më keq. Sot ka diç më pak se një ditë më parë, thua, ja, kanë nisur të japin rezultate masat. Por të tmerron bilanci i vdekjeve, sepse përveç një 91 vjeçari, koronavirusi shuajti jetën e një 31-vjeçari. Ky fakt, dhe një argument më tepër që t’i mbledhin mendtë gjithë ata nënçmues të rrezikut që thonë se koronavirusui është si çdo virus tjetër i gripit! Nuk është çuar për kot e gjithë bota kundër tij…
E martë, 31 mars
Dje kishte një tendencë të uljes së rasteve të reja, por 44 rastet e reja ma prishën sot disponimin e ditëlindjes! A është kjo shenjë për një shpërthim që ia kisha frikën që më parë pas kthimit nga shtetet evropiane të qindra qytetarëve tanë? Duket se ditëve të fundit kanë gjetur mënyrën për t’i çuar në izolim të kthyerit(drejt në hotele), prapë se prapë dhjetëra raste që i përmendën sot se kanë bërë shkelje dhe dënimet e shqiptuara, flasin se disiplina vazhdon të jetë kërcënim. Më habiti padurimi i njërit i cili një ditë para se t’i skadojë afati i izolimit shkon në “frizer” për t’u qethur…për çka i ishte shqiptuar dënimi prej 5000 eurosh!
Sot gjithë ditën në parkun tonë kanë lodruar një grup të rinjsh duke luajtur basket. Paramendoni, të nxehur dhe vrushkujt e frymës që ia lëshojnë njëri tjetrit në zellin e lojës. Larg qoftë, vetëm njëri të kishte qenë në kontakt me dikë me virus, sa veta mund të rrezikohen nga kjo pakujdesi?
Qeveria sot i kishte shpëtuar administratorët nga shkurtimi i pagave, por kryetari i shtetit, pas mbledhjes së Këshilli i Sigurimit, paralajmëron periudhë të rëndë për ekonominë. Vetëm për këto dy muaj kushedi sa janë pasojat, e lere më po të vazhdojë…
E mërkurë, 1 prill
Eh, ja dhe 1 prilli… Por s’është kohë shakaje, askujt s’i kujtohet t’i bëjë ndokush ndokujt ndonjë rrenë. Së paku te ne jo. Edhe Google kishte ndaluar shakatë që do të bëheshin me korona-virusin. S’ka shaka me atë që po mbjell frikë e vdekje nëpër botë…
Sot na befasoi bora. Një borë jo dosido, por ashtu rahat-rahat, pa ndërprerë, ra gjithë ditën. Sa thamë se na harroi dimri që e lamë pas. Më asocoi në “pranverën e vonuar” të Fadil Hoxhës, por jo, sivjet pranvera erdhi më herët, sepse praktikisht nuk patëm dimër në muajt e vet, ndaj dhe kjo borë që zbardhi kryeqytetin, e në vende të larta sigurisht ka rënë mbi 20 centimetra, mund të themi se dimri u kthye kur s’e pritnim. Veç fëmijëve që iu gëzuan borës, sigurisht shumë prej ne të rriturve do të kishim menduar vallë a ndikon te virusi. Gjithë kjo shtresë bore, do të duhej ta mbulonte apo jo?
Nga shifrat shokuese të ditës së djeshme me dy vdekje e 44 të infektuar, sot trendi u përgjysmua. Por frika nuk kalon, sepse janë mbi 350 të infektuar në total dhe qindra shtetas tanë që do të kthehen ditëve në vijim. Rrimë në shtëpi dhe herë hyjmë në internet, herë shikojmë diçka në televizion. E në mbrëmje, ngjitemi për këto debatet televizive. Veçmas na tërheq në Kosovë takimi i liderëve politikë te kryetari Hashim Thaçi, ku për çudi kishte shkuar edhe Albin Kurti, për t’ia bërë me dije që të mendojë vetëm për një opsion, atë të zgjedhjeve të reja, e jo t’ia japë mandatin ndokujt tjetër. Por në debatet televizive, turlifarë interpretimesh se cilat janë mundësitë. Sikur të mos lexonin të njëjtën kushtetutë.
Ndonëse kam version ndaj intervistave të gjata me politikanë, megjithatë mblodha veten dhe u kurdisa me durim dhe ndoqa intervistën e Hashim Thaçit te T7-shi. Çka të them? Gjithë ato dyshime për “projektin” e dyshimtë të këmbimit të territoreve, i hodhi poshtë. Sikur të mos kishim ndjekur do debate të kaluara, ose lexuar shkrime e komente pa fund, ku pikërisht kjo mundësi e kishte trazuar opinionin publik. Por tash, asgjë prej atyre ideve që thoshin se i ka biseduar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Tash njeriu rri e kujtohet çka po ndodh? A thua e ka trimëruar presidentin kosovar qëndrimi i treshes diplomatike amerikane Palmer-Grenel-Kesnet dhe veçanërisht intervista e ambasadorit Grenel se as ka marrëveshje të gatshme, e as që është opsion ndarja…Ai duhet ta dijë më mirë se ç’është biseduar deri tash dhe deri ku ka arritur procesi . Por me aq siguri të fliste se as ka ndarje, as ka këmbim territoresh…kjo është për admirim. Dhe inkurajuese. Nga ana tjetër, kur e kthejmë filmin prapa, nëse gjithë kjo është e vërtetë, atëherë gjithë ajo që është folur më shumë se një vit në këtë temë, sikur ka qenë e kurdisur për ta futur në grackë Albin Kurtin, që duke iu besuar këtyre rrëfimeve, ta vënë përballë administratës amerikane, dhe me këtë edhe për ta zbritur nga pushteti. Ec e merre vesh. Nga ajo që tha presidenti i Kosovës, hem qenka afër marrëveshja me Serbinë, hem territori i Kosovës mbetet i pa cenuar, hem s’do të ketë as asociacion komunash serbe. Ku ka më mirë?!
Veç mbetet druajtja se mos vehet në pozitë që të japë sqarime të tjera nëse nga idetë e përfolura gjenden sërish në tavolinë…Por do t’i besoj edhe presidentit edhe kolegut Milaim Zeka, në një televizion tjetër, se Thaçi nuk mund ta tradhtojë Kosovën. Një kundërthënie jo e vogël me vetveten ishte angazhimi Hashim Thaçit se me veprimet për të dalë nga kriza politike, do ta respektojë kushtetutën, por kur ishte fjala se kush duhet ta udhëheqë procesin negociator, duke e ditur qëndrimin e Gjykatës Kushtetuese se atë duhet ta udhëheqë Qeveria, ai gjeti disa argumente nga përvojat e huaja, për të thënë se presidenti është reprezent i shtetit dhe se politikën e jashtme e udhëheq ai. Shihet qartë se nuk i jepet pozicioni i Njëshit në këto negociata, edhe përkundër qëndrimit të Gjykatës Kushtetuese! Hajt, Isë e Avdulla, nëse vini në krye të Qeverisë, si do t’ia bëni me presidentin që edhe ju nuk e doni njësoj si Albini, nëse ai këmbëngul të vazhdojë të udhëheqë bisedimet? Në pozitën që janë në LDK, me minus 3-4 deputetë të rreshtuar nga Albin Kurti, pa partinë e Thaçit(PDK-në), do ta kenë vështirë të bëjnë shumicë parlamentare për qeveri të re.
Hë, mos të harroj, sot hyri në fuqi heqja e plotë e tarifës për mallrat serbe e boshnjake, por dhe vendosja e reciprocitetit. Për të mos e lënë rehat Albinin, administrata amerikane nuk kishte mbetur pa thënë se kjo nuk është e pranueshme. Në të vërtetë, shpjegimi nuk më është dukur bindës as nga ana e Albinit, sepse reciprociteti (barazia midis dy vendeve) arrihet me marrëveshjen, e jo para saj(kjo do të ishte ideale) e as kundërshtimi amerikan se kjo është në dëm të ekonomisë së Kosovës. Veç BE-ja është e kënaqur. Zaten këtu dhe është çelësi i mjegullnajës, sepse në kurrizin e dobët të Kosovës, përthehen dallimet SHBA-BE. Mendoj se si gjest të vullnetit të mirë, pavarësisht se janë marrë vesh edhe me LDK-në ta heqin tarifën bashkë me vendosjen e reciprocitetit, nuk është ndonjë shkelje e rëndë premtimi, sepse ndonjëherë vetë rrethanat e krijuara, të shtyjnë të veprosh ndryshe nga ç’e ke menduar më parë. Pastaj, kur e sheh se nuk mbushet mend Serbia dhe nuk e çmon vullnetin e mirë, reciprocitetin kur të duash e vendos.
E enjte, 2 prill
Pandemia vazhdon të jetë e paparashikueshme, para dy ditësh 44 të infektuar, dje për gjysmë më pak, e sot përsëri 30 raste. Nuk ka lëvizje të njëtrajtshme, nuk ka kontinuitet të dukurisë, por nga dita më ditë ndryshon. Në shtetrrethimin e gjithë botës nga COVID-19, megjithatë, shënohet një trend rënie e vdekshmërisë në Itali, për mbi 100 raste më pak se dje. Sikur të vazhdonte ky trend, për dhjetë ditë s’do të kishte më raste të tilla.
Kur jemi te pandemia, në dallim nga Maqedonia, në Kosovë sot nuk ka dalë asnjë i infektuar me virus! Duket se “orientimi” i të dyshuarve drejt në izolim, mund të ketë ndikuar pozitivisht. Ndoshta edhe ngase nuk ka pasur valë të kthyerish nga jashtë si në Maqedoni. Një mjek egjiptian dhe një mjek italian iu bashkëngjiten shumë amatorëve të tjerë të shëndetësisë dhe me kompetencë thonë se vërtet rreziku është i stërmadhuar! Hajt të thotë dikush nga Afrika ku ndoshta nuk ka valë kaq të madhe pandemie, po një mjek italian ku nga 900 persona i nxjerrin nga karantina në arkivole, kjo më duket shkurtpamësi…
Mbrëmja përsëri rutinë, për të ikur nga lajmet e virusit, alternativa tjetër mbeten përplasjet në fqinjësi. Kosova, sipas të gjitha gjasave po hyn në krizë institucionale. Kështu lexova një mendim të publicistit Ramush Tahiri, sipas të cilit as do të ketë qeveri të re, e as zgjedhje të reja, do të vazhdojë qeverie në detyrë. Kështu mendon ai pasi presidenti Thaçi ka vendosur që mandatin t’ia jep edhe një herë LVV-së, e cila, siç dihet, kërkon zgjedhje të parakohshme, të cilat, natyrisht nuk mund të mbahen në këtë situatë pandemie dhe kështu e ka ndërmend ta mbajë pezull procesin.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)