Bizneset e vogla shprehen të zhgënjyer nga masat ekonomike të Qeverisë. Ata thonë se ndihma është minimale, ndërsa që nga fillimi i krizës shëndetësore dhe ekonomike të shkaktuar nga Covid-19, është vënë në rrezik vazhdimi i mëtejmë i punës së tyre. Kërkohen masa urgjente për të mbijetuar nga pasojat e krizës
Arbër KADRIU
Shkup, 26 tetor – Kriza e shëndetësore me Covid-19 dukshëm ka ndikuar edhe në ekonominë e vendit. Si rrjedhojë, shumë biznese të vogla private janë buzë kapitullimit. Ndihmat shtetërore nuk mjaftojnë për mirëmbajtjen dhe jetëgjatësinë e këtyre bizneseve, ndërkaq rrezikohet kapitullimi i tyre. Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri Perëndimore thonë se autoritetet duhet të jenë më të sinkronizuara në luftën kundër përhapjes së pandemisë, për shkak se tani për të dytën herë pësojnë subjektet afariste dhe ekonomia në përgjithësi.
“Padyshim se vendosja e restrikcioneve të tilla rëndon subjektet ekonomike në përgjithësi, dhe tani kthehemi tek sektori privat i bizneseve të vogla, të cilët fillimisht ishin më të dëmtuarit, dhe përsëri me këto masa të paralajmëruara restriktive ata janë në qendër të goditjes. Periudha pas mbylljes sadopak ngjalli ekonominë dhe shpëtoi nga papunësia një numër të konsiderueshëm të qytetarëve si dhe shpëtoi shumë subjekte afariste nga falimentimi pa marrë parasysh se në mozaikun e gjerë ekonomia vazhdonte të pësojë rënie. Vlerësojmë se autoritetet duhet të jenë më të sinkronizuara në luftën kundër përhapjes së pandemisë, për shkak se tani për të dytën herë pësojnë subjektet afariste dhe ekonomia në përgjithësi”, thonë për KOHA nga OEMVP. Nga atje vlerësojnë se Qeveria duhet ti qaset luftës kundër pandemisë me kujdes duke përllogaritur mirë çdo kosto dhe rezultat paraprakisht, me qëllim që të minimizohen dëmet e mundshme, e jo si në rastet e deritanishme ku ekonomia pësonte si dëm kolateral, sepse edhe ajo është shtyllë e rëndësishme e shoqërisë.
Muhamet Shabani, i cili që nga viti 1984 merret me biznesin e tij familjar, nga ku siguron të ardhurat mujore, thotë se kriza shëndetësore dhe ekonomike e shkaktuar nga Covid-19, skajshmërish i ka goditur bizneset që janë të pavarura dhe private “Unë konkretisht që nga viti 1984 merrem me biznesin tim familjar, kryesisht me tekstil, nga ku edhe sigurojë të ardhurat mujore, por vërtet që gjatë gjithë periudhës së pandemisë së koronavirusit, tmerrësisht e kemi ndjerë krizën ekonomike. Përveç sezonit të sivjetshëm që nuk kishte as dasma, ahengje apo matura shkollore, nuk kemi pasur asnjë fitim të shitjes së mallit. Pothuajse kemi ardhur deri në një shkallë që të mos kemi mundësi t’i paguajmë edhe qiratë e dyqaneve”, deklaroi për KOHA, Shabani. Ai, madje thekson se pakot ndihmëse që u janë ofruar nga Qeveria nuk janë të mjaftueshme dhe se me ato nuk mund të i mbulojnë as nevojat elementare.
“Nga shteti kemi marrë vetëm tre herë me radhë, një shumë prej 14.500 denarësh, gjë e cila nuk na mbulon harxhimet tona që i kemi, pavarësisht asaj ne e kemi vërtet dert të madh që në rast se kapitullojnë bizneset tona, kush vallë do të na sigurojë bukën e gojës?!”, shprehet Muhamet Shabani, afarist. Të njëjtat brenga për biznesin e tij i ndan me ne edhe afaristi Ilir Imeri. Ai ka në pronësi firmën e tij private për prerjen dhe shitjen e druve, për të cilën thotë se ka shënuar rënie të të ardhurave gjatë kohës sa po zgjatë pandemia.
“Vërtet pandemia ka prekur mbarë botën, përfshirë edhe bizneset e ndryshme, por nuk ka mbetur pa u goditur as biznesin im. Ne si punëtorë të sektorit privat vlen të përmendim se më së shumti e ndjejmë krizën financiare që e solli pandemia Covid-19. Problemi kryesor qëndron se nuk ka shitje të druve si vitet e kaluara, shpresoj se shteti dhe Qeveria do të na ketë parasysh. Momentalisht shohim padrejtësi në ndarjen e ndihmave shtesë për qytetarët. Urgjentisht duhet që ndihmat të shfrytëzohen për popullin dhe vetëm për popullin”, deklaroi për KOHA, Imeri. Ndryshe, së fundmi – zëvendëskryeministri Fatmir Bytyqi ka deklaruar se Qeveria do të ketë në konsideratë të gjitha bizneset e vendit që në përputhshmëri me nevojat e tyre të u jepet mbështetje financiare me paketat e parapara ekonomike për ndihma. (koha.mk)