Anëtari i opozitës ruse dhe kritiku i njohur i Kremlinit, Vladimir Kara-Murza është shëruar pasi që për herë të dytë ishte në prag të vdekjes për shkak të helmimit me substancë të panjohur. Vladimir Kara-Murza (35), i cili punon për fondacionin “Rusia e hapur” i Mihhail Hodorkovski, në shkurt ka xhiruar një film mbi Boris Njemcovin, liderin opozitar i cili është vrarë në shkurt të vitit 2015, përcjellë gazetametro.net. Kur u deshtë të fluturoj me aeroplan në SHBA për ditëlindje të vajzës së vet, u zgjua në orën 5 të mëngjesit me vështirësi në frymëmarrje dhe rrahje të shpeshtuar të zemrës. Mjekët kanë konstatuar se organet kishin filluar që të pushojnë së punuari prandaj i kanë induktuar komën. Në spitalin e njëjtë më 2015 u shërua kur i pushuan së funksionuari veshkat për shkak të helmimit të cilin e ka mbijetuar. “Mjekët thonë se nëse vjen deri te hera e tretë, do të jetë fundi. Nuk do të mbijetojë”, ka thënë ai. Kaluan gjashtë javë prejse u helmua përsëri dhe përsëri mezi mbijetoi. Tani gjendet në shtëpi në Uashington ku po shërohet, por planifikon që të kthehet në Rusi dhe të vazhdoj, si njëri nga personat udhëheqëse të opozitës, të luftojë kundër regjimit të presidentit Putin. Ai thotë se nuk është i guximshëm. “Unë nuk jam trim. Unë jam kokëfortë”, ka thënë ai për The Independent. Kara-Muza ka thënë se mendon edhe për përgjegjësitë e veta jo vetëm ndaj atdheut, por edhe ndaj gruas së vet dhe tre fëmijët e tyre. “Për pak e humbën babain, dy herë. Shqetëson mendimi që dikush do t’ju vras çdo dy vjet”, thotë ai. Ai thotë se kanë tentuar ta vrasin për shkak se i kundërvihet Putinit. “Nuk e di a ka urdhëruar Putin, por nuk dyshoj se është në pyetje motivi politik. Mënyra se si është kryer kjo është aq i sotisfikuar saqë asgjë nuk kam vërejtur. Është përdorur helmi i cili zbulohet shumë vështirë, prandaj besoj që sulmuesit kanë qenë të lidhur me shërbimet speciale ruse. Këtu nuk ka dyshime”, ka thënë Kara-Muza.