“Ngjarje e madhe emocionale në Mynih: Ermonela Jaho në rolin e Madama Butterfly”- me këtë titull e ka hapur revista “bachtrack.com” artikullin kushtuar sopranos së shquar shqiptare.
Ndiqni në vijim si është shprehur kritika gjermane për interpretimin e Ermonelës. Shqipëroi Elvi Sidheri, pwrcjellw KOHA.
“Ngjarje e madhe emocionale në Mynih: Ermonela Jaho në rolin e Madama Butterfly
Ka nga ato mbrëmje operistike kur njeriu në fund thjesht e ndien se ka parë e dëgjuar diçka të këndshme, paskëtaj shkon në shtëpi dhe fle i qetë. Por ka edhe shfaqje të Ermonela Jahos. Mbas mbrëmjeve të tilla, njeriu shpesh e gjen veten të përlotur në sallë, duke menduar se do t’i nevojitej një njësi e ndërhyrjes së shpejtë për t’u përballur me çfarë ka parë e gjithaq orë të tëra më vonë akoma ndihet i tronditur. Kjo grua është një ngjarje e madhe emocionale në vetvete dhe interpretimi i saj i Madama Butterfly të Giacomo Puccini do të nevojitej të kishte një paralajmërim paraprak.
Duket sikur sopranoja shqiptare të kish ardhur në Operën Shtetërore të Bavarisë për t’i shkaktuar dënesa të përbashkëta publikut, dhe faktikisht ajo i përmbushi pritshmëritë në çdo këndvështrim. Zëri dhe performanca janë të pandashëm te Ermonela Jaho, e kështu zëri i saj në aktin e parë tingëllon fuqimisht rinor e miklues porsa kjo Butterlfy del në skenë e ndrotjur. Ajo duket tepër prekëse më tutje e përfshirë në shpresën e dëshpëruar në aktin e dytë dhe kur zëri i saj në fillesën e “Un bel di” ushton befasisht, dridhërimat janë të pashmangshme.
Njëlloj siç mjeshtrat e ëmbëlsirave arrijnë të tjerrin fijet më të holla të karamelizuara, njëlloj edhe Ermonela Jaho arrin të tjerrë me “Piani” të saj joshës prej sopranoje, ku jehon krejtësisht shpirti i saj. Kur Cio-Cio – San tashmë e kupton se Pinkertoni nuk do të kthehet pranë saj, Ermonela Jaho u duk sikur po zhytej e largohej nga timbri i saj vokal, e timbri i ngrohtë dhe i dashuruar i dëshpërimit të mirëfilltë mbizotëroi nga ai moment e tutje. Tejet tronditëse, pastaj ajo do t’i jepte lamtumirën birit të saj përmes disa shpërthimeve vokale dhe vetëvrasjes përfundimtare; e tërë skena finale do të interpretohej aq tmerrësisht realisht, saqë publiku do të ndihej thellësisht i lehtësuar kur sopranoja u kthye me shëndet të plotë pas ngritjes së siparit vetëm për të. (koha.mk)