Evis HALILI
Shkup, 6 mars – Nga 80 deri në 150 mijë denarë janë shumat me të cilat Ministria e Kulturës do të mbështesë projektet shqiptare të botimit të librave nga Programi i sivjetshëm nacional të kulturës, shkruan gazeta KOHA. Edhe pse lista me shumat përkatëse për çdo shtëpi botuese, shoqatë apo individ.., e të tjera nuk bëhen publike, nga ky institucion pohojnë se këto janë dy kufijtë minimalë dhe maksimale të vlerësimit. Në sektorin e botimeve, nga gjithsej 370 publikimeve të miratuara nga komisionit i botimit, 115 ishin për vepra në gjuhën shqipe, ose një total prej 31 për qind. Por, pavarësisht numrit më të lartë se vitet e kaluara botues e autorë thonë se kriteret dhe mënyra sesi po mbështetet libri shqip dhe autorët lë shumë për të dëshiruar. Ka më shumë sasi sesa cilësi, ndërsa filtrat nëpër të cilat kalojnë autorët dhe titujt janë joadekuatë, pohojnë pjesëmarrës në këtë konkurs. Gabimi më i madh, sipas shkrimtarit Salajdin Saliu, bëhet në vlerësimin e projektit dhe shumën për të është kur komisioni kalon vetëm tituj dhe jo libra të plotë, duke lënë pezull një pikëpyetje të madhe për cilësinë e atij botimi.
“Kjo mënyrë vlerësimi lë shumë çështje të hapura dhe një prej kryesoreve është e drejta autoriale, që zakonisht zgjidhet mes autorit dhe botuesit. Po ashtu mendoj se prioritet në këtë konkurs duhet t’i jepet jo shtëpive botuese, individëve e kështu me radhë, por vlerësimit të projekteve cilësore, që do të thotë se autorët kur të konkurrojnë nuk duhet të dorëzojnë vetëm tituj, por libra të gatshëm. Sepse mund të ndodhë ë në fund të kemi të bëjmë me një vepror të dobët, apo edhe e kundërta, brilante. Pra duhet të kemi një libër të plotë dhe një komision apo këshill që do të merret me selektimin”, thotë për KOHA, Saliu.
Nga ana tjetër, mënyra sesi trajtohen të gjithë autorët dhe llojet e veprave, shumat e të cilave nuk dallojnë shumë nga njëri-tjetri po krijon në një situatë kaotike dhe zhvlerësimi për libra dhe autorë që meritojnë më shumë. Botuesi Azam Dauti nga shtëpia botuese “Shkupi” thotë se kjo është një prej arsyeve kryesore që nga viti në vit shumë shtëpi botuese më të mëdha, si Logos A, Albas, por edhe autorë të njohur, të mos marrin pjesë në konkurs.
“Ndoshta edhe ‘Shkupi’ nuk do të marrë pjesë vitin e ardhshëm. Kur sheh rezultatet mund të duken shumë libra, shumë autorë, shtëpi botuese, apo të holla që ndahen, por në fakt janë pak, sidomos po të krahasohen me ato që marrin shtëpitë botuese maqedonase, janë dhjetëra herë më pak. Janë pak për një libër, botim apo studim serioz, autor të mirë. Dhe më e keqja është trajtimi që u bëhet autorëve të njohur dhe atyre fillestarë, shtëpive të mëdha, apo të vogla. Politikat që po ndjek kjo ministri prej shumë vitesh janë të gabuara, shumat ndahen paushall, dhe nuk marrin parasysh përveç të drejtave autoriale, as edhe shpenzimet e tjera, si grafike, lekturën. Në fakt e kanë një justifikim se Ministria merr vetëm pjesë, por nuk e mbështet tërësisht projektin”, thotë Dauti. Me mbështetjen e Ministrisë, këtë vit përveç botimit të librave, janë mbështetur edhe revista dhe për herë të parë janë mbështetur katër publikime elektronike, si edhe disa manifestime letrare, si “Ditët e Naimit”, “Takimet nën rrap”, Karvani i librit” e të tjera.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.