Si duket kur çmimin për mjekësi t’ia japish një fizikani ose çmimin për pikturë t’ia japish një kompozitori! Ose një punëtori nga shkritorja e çelikut t’i ndash çmim për bujqësi! Dhe çmimin për art dhe kulturë, ndonjë sociologu a politikologu…
Nga Daut DAUTI
- FITUES NË KATEGORI KU S’PËRKET!
Sot desha të shkruaj pak për kriteret, ishte një shkas i drejtpërdrejtë që më frymëzoi. Ja shpjegimi i Fjalorit:”Kriter/i- Parim i qartë e i përcaktuar mirë, sipas të cilit jepet gjykimi për diçka, bëhet vlerësimi, klasifikimi, organizimi etj. i diçkaje: norma ku mbështetemi për të vlerësuar një ngjarje, a për të përcaktuar diçka…”
Kriteret janë shpesh të përcaktuara ose vetvetiu nënkuptohen, por nuk janë pa ndikim as shijet edhe këndvështrimet subjektive ndaj diçkaje. Kohë më parë u nda një çmim letrar në një manifestim të njohur. Fill pas kësaj kishte disa polemika nga një ish udhëheqës i manifestimit, i cili në një postim të tij në facebook se që para tre muajsh e ka ditur emrin e fituesit. Sipas tij, kur e ka marrë vesh kush janë në juri, e ka ditur edhe fituesin. Kishte dalë ashtu si kishte paralajmëruar. Dorën në zemër, fituesja e atij çmimi nuk ishte se nuk kishte vepër të mirë, larg asaj. Një tjetër, që s’ishte anëtar jurie, këmbëngul se jo fituesja por vepra e autorit që e ka botuar shtëpia botuese e tij, e ka merituar me të gjitha kriteret çmimin… Kriteret një, e subjektivizimi tjetër…
Njëri nga autorët që kishte qenë favorit i atij çmimi letrar, më vonë propozohet nga një fondacion për një çmim tjetër, kësaj radhe shtetëror. Me arsyetimin se autori, pas dhjetëra veprave poetike, prozaike e publicistike, dhe në moshë tashmë me gjashtë dekada, i plotëson kriteret për këtë çmim…
Dhe çka ndodh: këshilli i çmimit ndan për kontribut në shkencë dhe arsim një profesori të njohur universitar dhe krijuesi, me kontribut të mirëfilltë. Kriteret janë respektuar…Ndan edhe tri çmime të tjera, për “kulturë dhe art”. Një aktoreje të njohur(kriteret e plotësuara, sepse gjithë jetën ka krijuar art përmes roleve të saj. (A ka pasur ndonjë kundërkandidate aktore më të denjë, ajo është çështje subjektive, por vetë ajo ka opus rolesh që e meriton çmimin shtetëror.) I jepet edhe një piktori akademik, emër i njohur, i pakontestueshëm. Dhe, fituesi i tretë në këtë kategori, pra për “kulturë dhe art” është një politokolog. Pra, çmimi që do t’u takonte ndonjë poeti, shkrimtari, kompozitori, aktori, piktori, i jepet një politokologu? Do të ishte interesant arsyetimi që do ta ketë dhënë këshilli i këtij çmimi!
Kjo i bie sikur çmimin për mjekësi t’ia japish një fizikani ose çmimin për pikturë t’ia japish një kompozitori! Ose një punëtori nga shkritorja e çelikut t’i ndash çmim për bujqësi!
Kur jemi te kriteret e kategorizimeve, edhe Çmimi për Paqe që i është dhënë Nënë Terezës është i dështuar, sepse ajo nuk ka ndonjë kontribut në fushën e paqes, por në atë të humanizmit, të cilat nuk janë identike, por meqë çmimi Nobël nuk e ka atë kategori, e kanë futur te paqja!.
Edhe kur u ndanë ato mirënjohjet për mjekët që menaxhonin pandeminë, u bënë vërejtje se ishin harruar disa mjekë që e meritonin dhe kishin marrë disa që s’kishin kurrfarë lidhje me menaxhimin e pandemisë!…
Mund të diskutohen vlerësimet edhe kur janë brenda kritereve ose kategorisë përkatëse, sepse, përherë mund të luajë rol subjektivizmi, kualifikimi apo kultura e atij që vlerëson, por kur kjo ndodh si në rastin e këtij çmimin shtetëror, huqja e kategorisë është skandaloz dhe kërkon edhe sqarim institucional si ka mundur të ndodhë. Nuk është te çështja e vlerësimit të veprave të këtij apo atij, sepse ato janë të pakrahasueshme përderisa përkasin në kategori të ndryshme.
- KU MBETËN MASKAT?! NJË LEKSION I ARBEN VITISË…!
Pak më shumë se një muaj e gjysmë bëra krahasim për trendin e pandemisë: më 21 gusht, në Kosovë kishte 2.279 raste të reja me kovid: 8 të vdekur, kurse në Maqedoninë V. 1250 raste të reja dhe 22 të vdekur!!! Teza e krahasimit ishte përshpërputhjen e numrave, që nuk vlente vetëm për ato ditë, por për gjithë kohën e pandemisë, ku Maqedonia V. është rekorderë dhe radhitet ndër tri vendet e para në botë(!?) për nga përfundimet fatale.
Në kohën kur e shkruaj këtë tekst, 7 tetor, realiteti ka ndryshuar: në Kosovë, kishte 30 raste pozitive, dhe asnjë të vdekur(një ditë më parë kishte vetëm një vdekje),e në Maqedoni, 393 raste pozitive me 20 vdekje! Në Maqedoni pothuajse rastet e vdekjeve janë barazuar me rastet pozitive të Kosovës! Mu për këtë Britania e hoqi Kosovën nga lista e zezë e vendeve me shumë kovid!
Nuk do mend se dy vende fqinje që kanë dalë nga ish-shteti i përbashkët, ndajnë shumë veçori shtetërore, natyrore, moshore, shëndetësore… të ngjashme. Në këtë krahasim, megjithatë, Maqedonia për Kosovën konsiderohet se ka shëndetësi shumë më të avancuar, si atë publike, si atë private… Si të thuash, siç është Turqia për Maqedoninë, Maqedonia është për Kosovën! Edhe në këtë pandemi, shumë biznesmenë e fytyra të tjera publike, shpëtimin e kanë kërkuar në Maqedoni! Paramendoni, shpëtimin e kanë kërkuar te ne, ku kjo shëndetësi “e avancuar” vazhdon të “prodhojë” kaq fatalitete për qytetarët e saj! Spitalet private të Maqedonisë edhe para edhe pas pandemisë vazhdojnë të jenë destinacioni shpresëdhënës për shumë sëmundje.
Ka një paradoks që s’ka kush të na e shpjegojë, kjo është konstatuar kaherë! Është terapia e gabuar, apo masat e dështuara kundër kovidit 19? Si mundi Kosova ta zbresë infektimin ditor të dyfishtë kundrejt Maqedonisë kaq shumë, në më pak se dhjetëfishin kundrejt rasteve aktuale në Maqedoni? Mos ka ministri Arben Vitia shkop magjik?
Edhe pse OBSH-ja theksin e ve te terapia, ku mbase ka gjëra që duhet hulumtuar ose dhe rishikuar te praktika në Maqedoni, unë prapë mendoj se është te masat. Nëse i shikojmë masat në vendet e rajonit, ato janë të ngjashme: ka avancim në vaksinimin e popullatës, janë hapur shkollat, stadiumet, sallat sportive, aty këtu në gastronomi është vënë kusht vaksinimi, por, ajo që e dallon Kosovën nga Maqedonia, është se atje mbajtja e maskës është e detyrueshme, diçka që është fakt për t’u habitur që nuk bëhet edhe në Maqedoni!
Nëse virusi qarkullon nga goja e hunda, të prekurit prej tij mund ta shpërndajnë edhe në parqe, tregje, e gjithkund dhe mënyra më e mirë e mbrojtjes, madje edhe para vaksinës, është mbajtja e maskës. Kjo nuk i kushton asgjë shtetit, po as e ngarkon shumë qytetarin duke e pasur parasysh se maskat kirurgjikale kanë rënë në 2-3 denarë, e ato pak më të sofistikuarat KN95, që ishin 4-5 euro në fillim të pandemisë, mund të blihen për 20 denarë dhe me dezinfektim mund të përdoren pa ndërprerë… Ministri Venko Filipçe u apeloi qytetarëve të mbajnë maskat, por apeli si duket po arrin në veshë të shurdhër, kurse masa e vërtetë do të ishte pikërisht mbajtja e detyrueshme. Nëse vaksinimi i detyrueshëm për shkak të mosbesimit të njerëzve edhe mund të jetë çështje që cenon të drejtat e njeriut, interesi publik e do që mosmbajtja e maskave të sanksionohet dhe kjo nuk shkel të drejtat e askujt, se nëse dikush me mosdisiplinë rrezikon të tjerët, aty tolerancë nuk mund të ketë në emër të asfare lirie.
Ktheni maskat, z.ministër i Maqedonisë, nuk do të pendoheni! Shkoni me zëvendësin tuaj gjer te Arben Vitia dhe pyetni si ia ka arritur ta zbresë pandeminë në përmasa pothuajse të papërfillshme për këtë lloj kërcënimi.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)