Krisjet Trump-Europë po kthehen në hendek!

32

Në vitet e kaluara, Brukseli i ka përqendruar armët e tij tek çështjet e mëdha ndërkombëtare ndërsa Trump prishte gjithçka. Mendoni pak për Marrëveshjen e Klimës në Paris, marrëveshjen bërthamore të Iranit, 5G, dhe do të filloni të shihni një model sjelljeje në të cilën BE-ja mund të perceptohet se ka marrë anën e Kinës përballë aleatit të saj më të vjetër

Nga Luke MCGEE

Për më shumë se 70 vjet, aleanca transatlantike ka shërbyer si gur-themeli i palëkundur i stabilitetit europian dhe mbështetëse e vlerave të rendit perëndimor të udhëhequr nga SHBA. Në vitin 2020, duket se kjo marrëdhënie është duke u rimenduar në të dy anët e Atlantikut. Në fillim të kësaj jave, Bashkimi Europian nuk pranoi ta përfshijë SHBA në listën e tij të “vendeve të sigurta”, që do të thotë se udhëtarët amerikanë do të jenë të padëshiruar për disa kohë e shkaku janë numrat e infektimeve me koronavirus në Amerikë. Në një mënyrë shumë polemizuese, lista përfshinte Kinën, vendin nga e ka origjinën virusi, me kushtin e marrëveshjeve të ndërsjella. Zyrtarët e BE-së këmbëngulin se vendimi nuk ishte politik dhe bazohej tërësisht në prova epidemiologjike, me shpresën se kjo do ta qetësonte Presidentin amerikan Donald Trump, një njeri që ka e sulmuar bllokun në disa raste. Sidoqoftë, të tjerët e pranojnë privatisht se po të kishte dashur ta bënte pilulën më të pranueshme për publikun amerikan, Brukseli do t`i kishte shtuar një “shtresë sheqeri”.

“Në të kaluarën, ne mund të mos e kishim përfshirë Kinën vetëm që ta bënim SHBA të lumtur”, pranon nën zë një diplomat i BE-së i pa autorizuar të flasë zyrtarisht për mënyrën sesi u mor vendimi. Mund të duket e tepruar të merret ky incident si dëshmi e një krisjeje të fortë në marrëdhëniet transatlantike, por kjo derisa ta vendosni në kontekstin aktual gjeopolitik.  Nuk është sekret që Washingtonit i interesojnë gjithmonë e më pak çështjet europiane këto ditë. Dhe dihet që kombet europiane po kërkojnë në mënyrë aktive autonomi më të madhe diplomatike nga Amerika. Kjo është veçanërisht e vërtetë për 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian. Një nga mënyrat që Brukseli mendon se mund ta përdorë për t`u distancuar nga Washington DC është angazhimi me Kinën si partner strategjik dhe ekonomik, duke zvogëluar besimin e saj në njërën prej superfuqive të botës e duke balancuar marrëdhëniet me tjetrën.

Në vitet e kaluara, Brukseli i ka përqendruar armët e tij tek çështjet e mëdha ndërkombëtare ndërsa Trump prishte gjithçka. Mendoni pak për Marrëveshjen e Klimës në Paris, marrëveshjen bërthamore të Iranit, 5G, dhe do të filloni të shihni një model sjelljeje në të cilën BE-ja mund të perceptohet se ka marrë anën e Kinës përballë aleatit të saj më të vjetër. “Duke ditur se çfarë dimë në lidhje me të dhënat e Kinës, si ka vepruar ajo gjatë pandemisë dhe qëndrimit të Shtëpisë së Bardhë, unë mendoj se në një botë tjetër, Pekinin do ta kishim mbajtur larg”, thotë i njëjti diplomat. Bota tjetër së cilës ai i referohet nuk është thjesht bota përpara se Trump të merrte detyrën. Një zyrtar i Brukselit i cili punon në politikën e jashtme të BE, por gjithashtu nuk është i autorizuar të flasë në lidhje zyrtarisht, thotë se largimi I fokusit nga Europa si përparësi gjeopolitike nisi që në kohën e ish presidentit  Barack Obama. “Obama nuk kishte aq interes të madh për Lindjen e Mesme sa presidentët e mëparshëm, që gjeografikisht është më shumë një problem evropian.

Ai gjithashtu i zhvendosi përparësitë nga Europa në Kinë dhe Azi,” shprehet zyrtari në fjalë. Sigurisht, aleanca transatlantike nuk do të reshtë së qeni e rëndësishme. Ajo do të mbetet thelbësore për atë çka përfaqëson Perëndimi, dhe SHBA do të jetë gjithmonë një aleat më i rëndësishëm për Europën nga sa mund të jetë ndonjëherë Kina. Por ajo shtresë e venitur miqësie, me Europën që kërkon një vend të ri në skenën botërore pasi roli global i SHBA po bëhet më i paparashikueshëm – mund të shihet vetëm si një lajm i mirë për ata kundër të cilëve këto fuqi historike perëndimore ishin bashkuar jo shumë kohë më parë. (gazeta shqip)

Comments are closed.