Arsyeja e arratisjeve të të dënuarve dhe të akuzuarave në lëndët e ngritura nga Prokuroria Speciale dhe Prokuroria Publike, është koordinimi i dobët mes Prokurorisë, gjykatës dhe policisë. Njohësit çështjeve në jurisprudencë vlerësojnë se këto arratisje janë pasoja e sistemit të kapur në dekadën e kaluar. Por, edhe politika aktuale nuk është e impenjuar në këto truqe
Destan JONUZI
Shkup, 6 nëntor – Shtatë të akuzuar me akuza të ngritura nga Prokuroria Speciale Publike (PSP) gjatë dy viteve të fundit janë arratisur nga vendi dhe kanë arritur që ti ikin vuajtjes së dënimit me burg. Mes tyre gjendet edhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski, i cili disa orë para se të shkonte në burg për të vuajtur dënimin prej më shumë se dy vite për rastin “Tanku”, е që po hetohej nga Specialja, arriti që të arratiset, shkruan gazeta KOHA. Për arratinë e Gruevskit sot e kësaj dite askush nuk mban përgjegjësi, pasi institucionet si ato hetimore, gjyqësore dhe Ministria e Punëve të Brendshme, i hedhin fajin njëra-tjetrës. Ndërsa, së fundmi është arratisur edhe Igor Spasov, pjesëtari i policisë i dënuar për vrasjen e Martin Neshkovskit në vitin 2011. Ai për 14 muaj ishte jashtë grilave të burgut me arsyetimin se gjendet nën kujdes shëndetësor, ndërkaq vitin e kaluar ishte parë në krahë të kryeministrit Zoran Zaev, gjatë vizitës së tij në burgun e Idrizovës.
Ai së fundmi u locua se po strehohet në Holandë. Mes të arratisurve ndodhen edhe dy “kokat” e përgjimeve, ish-shefi i Shërbimit Sekret të DSK-së, Nikolla Boshkovski dhe Goran Grujevski, të cilët gjenden në Greqi, ku edhe kanë fituar statusin e azilantit. Një tjetër i arratisur është edhe Nikolla Vojminovski, i cili është pjesë e grupit që sulmoi deputetin Ziadin Sela më 27 prill të vitit 2017 në Parlament. Ai u arratis para se të vuaj dënimin për tentim vrasje. Në faqen zyrtare të MPB-së janë emra edhe të dhjetëra personave të tjerë që me vite e dekada kërkohen nga autoritetet e vendit.
Arsyeja për arratisjen është koordinimi i dobët mes Prokurorisë Publike, gjykatave dhe policisë, vlerëson juristi Qenan Aliu. “Këto arratisje janë pasoja e sistemit të kapur në dekadën e kaluar. Por nuk përjashtohet mundësia se edhe politika aktuale nuk është e impenjuar në këto truqe. Pra, është dyshim i bazuar se vërtetë si ishte e mundur të arratisej Nikolla Gruevski, dy ish-agjentët e shërbimit sekret, njëri nga sulmuesit e Ziadin Selës, vrasësi Martin Neshkovski etj. Dhe për çudi, asnjë nga strukturat nuk dhanë përgjegjësi. A ju kujtohet se për arratisjen e Gruevskit pushteti tha ‘po detektohet përgjegjësia’, dhe asgjë nuk doli nga ajo. Pushteti i kaluar s’do mend se ka etabluar njerëz në vende të caktuara për ti pasur në ndihmesë kur ata ta kenë humbur pushtetin. Dhe nuk thonë kot se, për ta çrrënjosur një të keqe, duhet dyfish kohë për sa ajo është etabluar”, komenton për KOHA, Aliu. Sipas tij, politika aktuale nuk është e mundur të mos gjejë përgjegjësit në procedura përkatëse. “Siç duket, jo edhe aq shumë është e interesuar për këtë. Bazuar në të gjitha ndodhitë në PSP dhe këto të tjerat në Maqedoni, pandëshkueshmëria thuaja se është bërë zakon, jo vetëm kulture”, shprehet Aliu.
Ndërkohë, për më pak se dy javë bëhen plot një vit prej kur është arratisur Nikolla Gruveski në Budapest, ku gëzon edhe statusin e azilantit hungarez. Për arratisjen e tij, përgjegjësi nuk mori askush. Prokuroria Publike hapi hetim për locimin e përgjegjësisë për ikjen e tij, por në komunikatën e fundit të publikuar me 6 shkurt nuk ka asnjë informacion se ku janë lëshimet dhe dështimet për ikjen e Gruevskit.
“Deri në këtë moment, Prokuroria nuk ka vërtetuar përgjegjësi penale të personave zyrtar të cilët kanë ndihmuar dhe marrë pjesë në organizimin dhe realizimin e arratisë së Nikolla Gruevskit”, ka qenë sqarimi me shkrim i Prokurorisë. Ndërsa, tetë muaj pas kësaj komunikate, ende nuk ka asnjë epilog për përgjegjësi për këto arratisje. Kohë më parë edhe kryeministri Zoran Zaev tha se Prokuroria në disa raste ka treguar se ka faj dhe përgjegjësi për këto arratisje, ndërsa u zotua se do të marrë masa në rast se konstatohet përgjegjësi për cilindo funksionar dhe do të shkarkohet nga detyra. (koha.mk)