A mund të ndodhë që në të ardhmen përkrahja e krimit nga ana e shkrimtarëve, siç veproi Handke, të bëhet një prej kritereve të fshehta të Akademisë suedeze të Nobelit?
Nga Emin AZEMI
Akademia suedeze e Nobelit, pasi e sqaroi qëndrimin e saj se nuk ka tërheqje nga vendimi për ndarjen e çmimit për letërsi, për shkrimtarin austriak Peter Handek, e pritshme ka qenë që ndaj një vendimi të tillë kontrovers të reagojnë fituesit e deritanishëm të këtij çmimi, disa prej të cilëve ende gëzojnë shëndet të mirë, siç janë Kazuo Ishiguro, Mario Vargas Llosa, Orhan Pamuk. Por kjo nuk ndodhi, të paktën deri sa po shkruhet ky editorial.
Përpos Peter Handke, ishte edhe një nobelist tjetër që ishte adhurues i krimeve serbe në Ballkan. Dramaturgu dhe prozatori britanik, Harold Pinter, ka qenë anëtar i Komitetit Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Sllobodan Millosheviqit, i formuar në vitin 2001. Sipas tij, “arrestimi dhe mbajtja në paraburgim e Millosheviqit ka qenë antikushtetuese”.
Pra, nuk është kurrfarë befasie që sivjet Nobeli shkoi në duart e një shkrimtari tjetër, që përpos letërsisë – pasion ka pasur edhe dashurinë ndaj kriminelëve.
Dilema morale që hapet tash e tutje, është nëse shkrimtarët që do të nominohen në të ardhmen, a do të pranojnë të barazohen me Handekn, Pinterin, Andriqin e ndonjë tjetër, apo do ta ulin kokën dhe do të mjaftohen me përkëdhelinë që ta jep fama e kësaj mirënjohjeje ndërkombëtare, e cila ka edhe peshë monetare.
Nuk mund të bësh letërsi të mirëfilltë pa kaluar nëpër këto dilema, kurse shkrimtarët janë mjeshtrit më të kualifikuar për të nxjerrë dimensionet e brendshme të shpirtit njerëzor përballë tundimeve që të ofron jeta.
Peter Handke po të mos ishte deklaruar me gojën e tij në anën e errët të historisë, ai sigurisht sot do të gëzonte përkrahje shumë më të madhe, për shkak se vepra e tij tejkalon shumëfish natyrën e tij si njeri. Ka shumë studiues që duan të ndajnë si me thikë veprën letrare nga shkrimtari-njeri, por kur angazhimi shoqëror i shkrimtarit bëhet në emër të njëfarë kauze që ai e konsideron normale, siç e konsideronte normale Peter Handke vrasjen masive të boshnjakëve, atëherë refuzimi që mund ti bëhet këtij angazhimi nuk lë pa prekur edhe veprën e tij.
Në këtë drejtim ka vend për një korrigjim substancial sa i përket qëndrimit ndaj shkrimtarit-autor dhe shkrimtarit-njeri. Historia e letërsisë njeh plot shkrimtarë që në jetën e zakonshme kanë qenë personazhe me biografi kontroverse, por në një plan tepër privat që nuk ka pasur pasoja për fatet kolektive të njerëzve. Një shkrimtar i tillë ka mundur të jetë mizor në raport me gruan, me miqtë, me probleme financiare si puna e Balzakut, por kauzat e tyre morale nuk kanë rënduar autoritetin e tyre letrar për shkak të ndonjë pozicionimi, prej të cilit kanë mundur të varen fatet e mijëra njerëzve.
Peter Handke është një kategori tjetër. Ai nuk po kritikohet pse është grindë me gruan, apo ka pasur raporte të këqija me fqinjët. Angazhimi i tij, që buron nga autoriteti i të qenit shkrimtar, është tepër problematik, për arsye se fjala e tij ka prodhuar frymëzim negativ për qindra kriminelë serbë në Bosnjë dhe Kosovë. Disa procese gjyqësore edhe në rang ndërkombëtar që janë zhvilluar kundër këtyre kriminelëve, i kanë shpallur ata fajtor të drejtpërdrejt për bilancin e shumë krimeve të kryera.
A mund të ndodhë që në të ardhmen përkrahja e krimit nga ana e shkrimtarëve, siç veproi Handke, të bëhet një prej kritereve të fshehta të Akademisë suedeze të Nobelit, kurse kriminelët e të gjitha ngjyrave nesër të thirren në aleanca të hapura me shkrimtarët? (koha.mk)