Për momentin, në Prokurorinë për luftimin e krimit të organizuar, me të cilën udhëheq prokurorja Villma Ruskoska, punojnë dy prokurore shqiptare – Engjëllushe Kadriu-Leshi dhe Valentina Bislimovska. Mirëpo, sipas Mexhit Jusufi nga KPP, prokurorë shqiptarë do të zgjidhen edhe nga mesi i shtatë prokurorëve të rinj, të cilët i kërkon Prokuroria për luftimin e krimi të organizuar
Omer XHAFERI
Shkup, 28 qershor – Prokuroria për krim të organizuar e Maqedonisë se Veriut, duke u mbështetur në dispozitat e reja të Ligjit për prokurorin publike, deri te Këshilli i Prokurorëve Publike ka parashtruar kërkesë për rritjen e numrit të prokurorëve. Zëvendësi i KPP-së, Mexhit Jusufi për gazetën KOHA e konfirmon lajmin dhe njofton se kjo kërkesë do të shqyrtohet pas 30 qershorit, kur edhe zyrtarisht hyn në fuqi Ligji i ri për prokurorinë publike. “Shefja e krimit të organizuar ka dërguar një kërkesë deri te KPP, ku thuhet se në bazë të sistematizimit, janë tre vende të zbrazëta për prokurorë dhe kërkon të shtohet sistematizimi edhe për shtatë vende (prokurorë) tjerë. Ne jemi të obliguar në afat prej 30 ditëve ta shqyrtojmë këtë kërkesë, pas të cilës do të sjellim vendim për zgjerim të kësaj prokurorie”, tha Jusufi.
Për momentin, në Prokurorinë për luftimin e krimit të organizuar, me të cilën udhëheq prokurorja Villma Ruskoska, punojnë dy prokurore shqiptare – Engjëllushe Kadriu-Leshi dhe Valentina Bislimovska. Mirëpo, sipas Mexhit Jusufit nga KPP, prokurorë shqiptarë do të zgjidhen edhe nga mesi i shtatë prokurorëve të rinj, të cilët i kërkon Prokuroria për luftimin e krimi të organizuar. “Patjetër se do të ketë prokurorë shqiptarë edhe në shtatë vendet e reja të cilat i kërkon Prokuroria për krim të organizuar. Votimi i dyfishtë me Bandeter vlen edhe për këto prokurorë. Ndërkohë, shefen e Krimeve të rënda, sipas Ligjit të ri të prokuroreve, nuk e zgjedhim ne, por këtë e bëjnë e prokurorët”, tregon Jusufi. Meqë dispozitat e reja të Ligjit për Prokurorinë publike i japin kompetenca shtesë Prokurorisë për krim të organizuar, siç është hetim i korrupsionit të lartë, larje parash, keqpërdorimi i detyrës zyrtar – të drejtë konkurrimi për vendet reja të prokurorëve do të kenë edhe ish-prokurorët e PSP-së.
Ndryshe, risi e këtij ligji është edhe vendimi që “bombat” nga përgjimet e jashtëligjshme nga viti 2008 e deri në 2015 të mos vlejnë si dëshmi për lëndët e iniciuara nga ish-PSP pas datës 30 qershor të vitit 2017. Ligji i ri për Prokurorinë publike parasheh që audiomaterialet dhe transkriptat, të cilat në vitin 2015 i publikoi opozita e atëhershme – LSDM, të shfrytëzohen vetëm si indice dhe jo si dëshmi mbi të cilat do të mbështetet një aktakuzë apo propozim-akuzë. Miratimi i Ligjit të ri për prokurorinë publike u bë më 16 shkurt të këtij viti. Debati për ndryshimet e këtij ligji zgjatën më tepër se dy vite. Përderisa pushteti këmbëngulte se ky ligj është i rëndësishëm për hapjen e negociatave për aderim në BE, opozita e kryesuar nga VMRO-DPMNE akuzonte se ligji në fjalë është ligj partiak i LSDM-së. Pasi bëhej fjalë për ligj sistemor dhe për miratimin e të cilit nevojiteshin dy të tretat e votave, votimin e këtij ligj në shkurt të këtij viti e mbështetën edhe grupi i tetë deputetëve të pavarur të VMRO-DPMNE-së.
Boki 13 ankohet në PTHP
Bojan Jovanovski – Boki 13 dje paradite erdhi në Prokurorinë Publike Themelore Shkup për të shtruar ankesa për procesverbal. “Gjykata Themelore dorëzoi njoftim me shkrim në Prokurorinë Publike Themelore Shkup se personi i gjykuar ka kërkuar dhe se Gjykata do t’i japë leje të vijë në PTHP Shkup që të japë deklaratë”, thonë për MIA-n nga Prokuroria Publike. Jovanovski javën e kaluar për rastin “Zhvatja” u dënua me nëntë vite burgim ndërsa ish-prokurorja speciale Katica Janeva mori dënim me burg prej shtatë vitesh.