Një 27-vjeçare është arrestuar në Brazil pasi akuzohet se ka vrarë një grua shtatzënë dhe më pas i ka nxjerrë fëmijën nga barku. Suelen Coimbra do Carmo dyshohet se e mashtroi 22-vjeçaren Naiara Silva Costa, e cila ishte 8-muajshe shtatzënë, që të shkonte në shtëpinë e saj të martën e shkuar, duke i thënë se do t’i jepte një çantë me veshje dhe aksesorë për beben. Ajo mësohet se ka rrëfyer përpara autoriteteve se e kishte njohur atë në rrjete sociale, pasi nëna e ardhshme kishte kërkuar ndihmë për veshje për beben e saj. E akuzuara kishte pësuar abort dy muaj më parë, pasi ishte ndarë nga partneri, i cili dyshohet se nuk e donte fëmijën. Policia ra në gjurmët e gruas pasi një fqinj, të cilit iu kërkua që të hapte një gropë në oborrin e Carmo, dyshoi dhe e shprehu shqetësimin e tij tek autoritetet. Kur oficerët shkuan në banesën e 27-vjeçares, ajo u shfaq nervoze dhe nuk donte të hapte derë. Një polic hyri në pronë nga muri rrethues dhe zbuloi trupin e viktimës në një varr të improvizuar të mbuluar me dhe.