Evropa kaherë e ka hequr dënimin me vdekje dhe ua vuri kusht vendeve që pretendojnë të bëhen pjesë e saj. Shumë nga këto shtete kanë e kanë përkrahjen e SHBA-ve për t’u bërë anëtare të BE-së, por shumë shtete nga SHBA-të, nuk e kanë hequr dënimin me vdekje, edhe pse bëhet fjalë për një nga demokracitë më të avancuara ku shteti juridik është alfa e omega e shoqërisë. Dilema është cili është efekti i këtyre dy modeleve të drejtësisë?
Nga Daut DAUTI
Kohë pas kohe ndodh ndonjë ngjarje makabër dhe përherë më kthen te një dilemë njerëzore, qytetare, shoqërore, juridike…Dilema është kjo: duhet apo nuk duhet të ketë dënim me vdekje? Një nga standardet e avancuara e shoqërisë modern është pikërisht heqja e dënimit me vdekje. Bashkimi Evropian, si një bashkësi shtetesh dhe shoqërish me demokraci dhe shkallë të lartë të standardeve, këtë gjë ua imponon edhe vendeve në tranzicion, shoqërive të papërsosura në Maqedoni, Shqipëri, Kosovë…
- Si shembullin më eklatant të këtij “humanizimi” është kur një vrasësi serik, terroristit me motive fetare, Andreas Brejvik, që vrau pa i bërë syri pët 77 veta në një ishull të Norvegjisë, është dënuar 21 vjet! Ky ekstremist me ideologji naziste, nuk u kënaq që sistemi i drejtësisë nuk ia mori kokën si ai të tjerëve(sigurisht sepse nuk ka dënim me vdekje shteti i tij), por më vonë edhe e ka paditur shtetin për trajtim jo human në burg, se iu qenka cenuar privatësia, i vënkan pranga shpesh, se nuk paska shumë liri lëvizjeje…Dhe, gjyqi ia ka aprovuar ankesën!
Edhe një vrasësi serik nuk guxon shteti t’ia cenojë të drejtat, ka vlerësuar gjyqi dhe shteti i ka paguar dëmshpërblim! Sigurisht viktimave të tij u janë trazuar eshtrat, por këto janë standarde. E ka marrë dënimin maksimal që parashihet në shtetin e tij dhe vazhdon të bëjë hajgare. Paramendoni sa është tallur në sy të gardianëve pasi e ka fituar gjyqin!
Evropa kaherë e ka hequr dënimin me vdekje dhe ua vuri kusht vendeve që pretendojnë të bëhen pjesë e saj. Shumë nga këto shtete kanë e kanë përkrahjen e SHBA-ve për t’u bërë anëtare të BE-së, por shumë shtete nga SHBA-të, nuk e kanë hequr dënimin me vdekje, edhe pse bëhet fjalë për një nga demokracitë më të avancuara ku shteti juridik është alfa e omega e shoqërisë. Dilema është cili është efekti i këtyre dy modeleve të drejtësisë? Më mirë është ta heqësh dënimin me vdekje, ose ta mbash. Në ish-Jugosllavi ka ekzistuar dënimi me vdekje, por sikundër edhe në Shqipëri, ose te një pjesë e shteteve të bllokut socialist, dënimi me vdekje vlente vetëm për “armiqtë e popullit”.
Opinioni shqiptar këto ditë u trondit nga fati i një vajze të përdhunuar nga Drenasi. Si në filmat më të këqij të lemerisë. Shkon të denoncojë profesorin e saj për ngacmim, dhe has në një monstër tjetër. Hetuesi jo vetëm që i bën shantazh dhe e përdhunon, por e lë edhe me barrë…Nuk e di si quhet në psikologji rasti kur një viktimë i drejtohet dikujt për ndihmë dhe në vend se ai t’i ofrojë ndihmë e ngushëllim nga traumat, ai keqpërdor ligështinë (fizike, psikike…) të viktimës, për ta cenuar edhe më shumë dinjitetin e saj. Plus që edhe është person zyrtar që ai e ka për detyrë të ofrojë ndihmë…Të thuash katil, ose xhelat…ndoshta dhe nuk gabojmë. Vragat që i lënë viktimës nuk janë fizike, ato janë njollë në sytë e njerëzve dhe vragë shpirtërore për gjithë jetën.
Çfarë duhet të jetë dënimi për këta katilë që nëpërkëmbin dinjitetin njerëzor në këtë mënyrë çnjerëzore? Çfarë ndëshkimi do të marrë nga sistemi i drejtësisë? Është radikal, vërtet, mund të duket ashtu, një krahasim i këtij monstrumi “të vogël” karshi një monstrumi që vret 77 veta dhe pastaj tallet me drejtësinë. Por, çdo krim ka peshën e vet. A meriton ky hetuesi kosovar 21 vjet burg, apo ndoshta lakun si në do kohë tjera. Nuk është për t’u krahasuar, por diku edhe përfundojnë ashtu. Për të qenë shembull për të tjerë.
Një imam, nga ana tjetër, kishte gjetur (jo)pak faj edhe te vajza. Te veshja, sjellja provokative, te edukata familjare… Përfundimi: të gjitha këto pastaj, janë bërë pjesë e një mozaiku veprimesh të ulëta…Dakord mund të jemi se nxënësit duhet të sillen si nxënës, por këtu ka një element të paevitueshëm nëse duam të peshojmë. Vajza ka qenë e moshës së MITUR, nuk mund të ketë asnjë pretekst për të ngacmuar një fëmijë. As me ligj, as me kanun.
Kur ndodhin këso rastesh, vërtet më shkrep në kokë ajo dilema. Duhet apo nuk duhet të kemi dënime më drastike? Para më shumë se një viti këtë dilemë e kisha ndarë publikisht kur kishte ndodhur një vrasje në Shqipëri, për një karrikues telefoni. Edhe më herët, për një biletë furgoni?! Ose, për ca lekë dy vëllezër vrasin babanë sepse nuk u jep para për bastore? Kisha pyetur veten dhe kisha ndarë dilemën me të tjerë edhe për një rast tjetër, kur një i ri paska hipur te një taksi dhe e lut vozitësin ta dërgojë në një vend. Pastaj i ka thënë më gjithë çka ke dhe taksisti i shkretë ia ka dhënë. Pastaj e ka therë me thikë! A meriton të jetojë një përbindësh i këtillë pasi për shkaqe banale vret njeri pa i bërë syri pët?!
Ndoshta duket jodemokratike, ataviste ose kushedi si, por për shkak të këtyre përbindëshave që sillen përreth nesh, që nuk e çmojnë jetën ose dinjitetin e njeriut, duhet TË KTHEHET DËNIMI ME VDEKJE! Pasi të kenë rënë në nivel bishërimi, NUK MERIRTOJNË TË JETOJNË mes njerëzish! Nuk është qëndrim në afekt, sepse ndëshkimi pas një vrasje makabër, mund të jetë epilogu logjik. Që të pengohen vrasje të reja.
P.S. Nuk e di dhe nuk më intereson ç’thonë hulumtimet apo përvojat e vendeve që e kanë dënimin me vdekje. Edhe sikur të ketë ndonjë “mungesë efekti”, të paktën ka një lloj drejtësie kundrejt viktimave?! Hajt të jem dhe unë “human” ndaj këtij monstrumit nga Kosova, që të mos përfundojë si në Kinë ku dënohen me vdekje keqpërdoruesit e pozitës zyrtare, të paktën të futej përjetë prapa grilave…Le të kujtojë gjithë jetën ç’bëri dhe t’i fusë në “mejtime” të tjerët që të mos bëjnë si ai….
- Te ne është e pamundur të mos ndodhë kohë pas kohe ndonjë ngjarje që na kujton se shoqëria nuk mund të lirohet nga disa mendësi. Në shkollën e mesme “Marija Kiri Sklladovska” profesorët maqedonas kanë ndërprerë mësimin sepse një profesor shqiptar, koleg i tyre, është caktuar ushtrues detyre drejtor. Argumentet e tyre se ky emërim është bërë “papritur”. Pastaj përkujtojnë një tjetër detaj: se kur para disa vitesh ka ardhur një drejtor shqiptar, qenkan larguar nxënësit maqedonas…
Tezat e profesorëve maqedonas janë të çuditshme. Ta zëmë se “pa pritë e kujtuar” është një emërim për të diskutuar, por këtu nuk është fjala për emërim drejtori jashtë procedurave, por vetëm për një ushtrues detyre. Drejtori do të emërohet, gjithsesi, në një procedurë të rregullt kur të vijë koha, apo jo. Manipulimi kryesor sigurisht mbetet me tezën e gjoja ikjes së nxënësve për shkak të një drejtori shqiptar. Nuk bëhet fjalë për kompetenca ose sjellje kështu ose ashtu, por vetëm pse është shqiptar! Të qenit shqiptar është argumenti kryesor që të mos emërohet në një “shkollë maqedonase” dhe në “mjedis maqedonas”. Është ky një kthim prapa, kthim në eufori nacionaliste që kanë ditur të shpërthejnë në kohë të kaluara. Përherë në raste të këtilla ka pasur manipulime me ndjenjat e njerëzve.
- Kohë më parë lexova këtë titull në një portal: MAGJUPI VULIN KËRCËNON KOSOVËN ME LUFTË!
Si ju duket, titull i fortë, ë! Mua më shtyri të mendoj. E analizova. Autori i atij titulli ka pasur një qëllim që t’ia bëjë “8 me dy” ministrit serb të mbrojtjes. Ej, mblidh mendjen, more ti maxhup! Ka dashur t’i shprehë edhe atë urrejtjen e akumuluar të çdo shqiptari nga Kosova që ka ndaj të gjitha regjimeve serbe që veç keq kanë bërë. Dhe, për ta shprehur atë urrejtje që ndonjëherë t’i errëson sytë dhe të bën të mos e dish çka flet e çka shkruan dhe rezultati është ky: një ministër serb magjup i kërcënon kosovarët. E nuk mundet një magjup të kërcënojë…
Por, urrejtja e natyrshme pas gjithë bëmave të regjimeve serbe, sidomos në kohën e konfliktit, del si “breshëri” shpirtërore por duke errësuar vetëdijen. Sepse…
Sepse, autori është zhytur pa vetëdije në një fjalor urrejtës të dënueshëm për gjuhë mediatike. Ai një pjesëtar të një populli, që është ministër, për ta fyer, e quan magjup! Fyerje në baza etnike. Të qenit magjup (pra, rom) apriori shpallet si kategori negative, aq negative sa ta sa është “e fortë” që ta “negativizojë” një pjesëtar të popullit tjetër. Poashtu, ka gjasë që autori të ketë ndonjë të dhënë biografike se ministri i Serbisë me kombësi është magjup dhe vetë të qenit magjup sipas tij është një kategori e ulët dhe e meriton çdo urrejtje, para se ai të jetë ministër serb që “është armik i Kosovës” by default.
Sherri nuk vjen ngase dikush është magjup ose se si të tillë e përjeton dikush, por nga politika shovene, e cila assesi nuk mund t’i vishet një epitet që fyen një grup etnik që s’ka faj për politikat e tilla. Të nderuar kolegë të portaleve amatore, lexoni dhe analizoni para se të shkruani. Ju duket ndonjëherë shumë e fortë diçka që keni botuar, por ajo mund të jetë e kundërt në thelbin e saj. Dhe mos na turpëroni para botës me këtë lloj shfryrjesh emotive që s’na bën nder. Fundja, edhe ngase gjuha e urrejtjes në baza etnike, fetare, gjinore(…) është e sanksionuar.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)