Krijohet laseri super i fuqishëm X

28

Laseri më i madh në botë me rreze X (European XFEL) do të inaugurohet të premten në Gjermani, duke i mundësuar shkencëtarëve të analizojnë në thellësi sekretet e materies duke shpresuar në përparime të konsiderueshme kryesisht në biologji dhe mjekësi. Kjo pajisje shumë e sofistikuar, e mbështetur nga 11 vende, kryesisht nga Gjermani dhe Rusia, por edhe Franca dhe Zvicra, shtrihet në 3.4 kilometra në periferi të Hamburgut. “Ky është burimi më i madh dhe më i fuqishëm me rreze X të fabrikuara nga njeriu në botë”, deklaroi Olivier Napoly i CEA (Komisariati i Energjisë Atomike) franceze, që ka marrë pjesë në ndërtimin e kësaj pajisjeje.

Laseri Evropian me Elektrone të Lira dhe Rreze X (X-Ray Free Electron Laser) përbëhet nga shumë tunele nëntokësore nga të cilët një prej tyre, që arrin deri në 38 metra nën tokë, ka një përshpejtues të gjatë me elektrone. Ky laser X mund të prodhojë deri në 27000 blice me rreze X në sekondë. Një sasi me të vërtetë gjigante nëse krahasohet me 120 blice në sekondë që krijon një laser i të njëjtit lloji në SHBA, apo 60 blice që prodhohen nga një tjetër në Japoni. “Laseri evropian me elektrone të lira dhe rreze X do të ketë ndriçimin mesatar më të lartë në botë”, deklaroi Robert Feidenhans, presidenti i këshillit të administrimit të “European XFEL”. Shkëlqimi mat numrin e fotoneve (grimca të dritës) të gjeneruara në një madhësi të caktuar vale. “Në maksimumin e tij, shkëlqimi i laserit European XFEL do të jetë një miliard herë më i lartë se ai i burimeve më të mira të rrezeve X aktuale”, garantoi konceptuesi i tij.

Comments are closed.