Mos marrja e mbeturinave është aktuale edhe në disa pjesë tjera të qytetit sidomos tek një pjesë e rrugës Lenin, me arsyetimin se rrugët janë të ngushta dhe nuk mund të depërtojnë kamionët e ndërmarrjes për të grumbulluar mbeturinat. Poashtu problem është paraqitur edhe në afërsi të Teleferikut ku nuk janë marrë mbeturinat
Urim HASIPI
Tetovë, 8 korrik – Banorët e që jetojnë në lagjen “Kiro Ristovski Dërnc” në Tetovë, janë ankuar për shkak se disa ditë me radhë nuk janë marrë mbeturinat në këtë pjesë të qytetit të Tetovës. Banorët janë shprehur se është grumbulluar sasi e madhe e mbeturinave dhe kundërmon erë, për shkak të temperaturave të larta. Ata janë shprehur se mbeturinat është dashur që të merren që ditën e enjte në mbrëmje por nuk është bërë grumbullimi, shkruan gazeta KOHA.
“Mbeturinat këtu janë që dy javë, mund të përhapen sëmundje të ndryshme, askush nuk ka ardhur që të marrë mbeturinat, kurse ne të gjithë këtu paguajmë. Nëse nuk paguajmë, pagesat na i marrin përmes përmbaruesve. Këtu ka sëmundje, kemi fëmijë dhe duhet që të pastrohen menjëherë”, thotë një banorë i lagjes Kiro Ristovski Dërnc. Ata kanë kërkuar që të sillen edhe më shumë kontejner të mëdhenj.
”Kërkojmë që të sjellin më shumë kontejner, sepse mbushen menjëherë. Ka sasi të mëdha të mbeturinave dhe kur ka vonesa, ne nuk mund t`i hedhim në kontejner, sepse janë të stërmbushur”, shprehen banorët.
Nga Ndërmarrja Publike Komunale thonë se gjatë këtyre ditëve ka patur probleme me marrjen e mbeturinave, ndërsa gjatë ditës së djeshme janë marrë mbeturinat Xhepçisht dhe Poroj, kurse këtyre ditëve do të jenë të fokusuar në këta lagje që kanë mbetur pa u marrë. Sipas Mirosllav Simoskit, nga Ndërmarrja Publike Komunale, theksoi se kanë njohuri që në këtë lagje nuk janë marrë, por shumë shpejt do të pastrohet. Sipas tij, probleme të këtilla ka patur edhe në disa pjesë qendrore të qytetit të Tetovës.
“Kemi patur probleme në disa lagje të Tetovës për shkak të sasisë së madhe të mbeturinave. Kishim më shumë punë në Xhapçisht, gjatë ditës së shtunë nuk kemi punuar, kurse të njejtat do të merren shumë shpejt. Kemi qenë të fokusuar edhe nëpër disa lagje tjera në pjesën qendrore sidomos tek ish objekti i EVN-së, ku ka patur sasi e madhe e mbeturinave, prandaj kemi patur ngecje në lagje tjera. Por kjo situatë do të tejkalohet shumë shpejt”, deklaroi Simoski. Ai ka potencuar se janë vonuar në një lagje në Tetovë, ku tek kontejnerët janë hedhur goma dhe janë djegur të njëjtat duke shkaktuar telashe edhe vetë ndërmarrjes gjatë marrjes së mbeturinave. Mos marrja e mbeturinave është aktuale edhe në disa pjesë tjera të qytetit sidomos tek një pjesë e rrugës Lenin, me arsyetimin se rrugët janë të ngushta dhe nuk mund të depërtojnë kamionët e ndërmarrjes për të grumbulluar mbeturinat. Po ashtu problem është paraqitur edhe në afërsi të Teleferikut ku nuk janë marrë mbeturinat. Nga Ndërmarrja Publike Komunale e Tetovës, janë shprehur se mbeturinat merren gjatë natës, ditën e martë dhe ditën e enjte dhe nëse eventualisht ka probleme gjatë grumbullimit në këta ditë, atëherë në mënyrë enorme rritet sasia e mbeturinave. Probleme të këtilla pritet që të ketë gjatë verës kur dihet se ka edhe shtim të popullatës në Tetovë me kthimin e mërgimtarëve. (koha.mk)