Krerët shqiptarë të institucioneve kosovare ia uruan koalicionit të partive politike shqiptare në Mal të Zi, “Forumi shqiptar”, fitoren në zgjedhjet lokale në komunën e sapoformuar malazeze në Tuz, njoftoi korrespondenti i MIA-së në Prishtinë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi vlerësoi se “fitorja në Tuz është fitore për të gjithë shqiptarët.
“Kjo është dëshmia më e freskët për atë që mund të arrijnë shqiptarët kur janë të bashkuar rreth një ideali”, shkroi Thaçi në fejsbuk.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se fitorja e djeshme e shqiptarëve në Tuz është “porosi për të gjithë shqiptarët kudo që janë”.
“Kur bashkohemi arrijmë atje ku duam. Çdoherë. Urime!”, shkroi Veseli.
Kryeministri Ramush Haradinaj, gjithashtu, vlerësoi se bashkimi i subjekteve shqiptare në Tuz paraqet shembull të shkëlqyer për atë se uniteti sjell suksese.
“Koalicioni i bashkuar i subjekteve politike shqiptare fitoi të drejtën për të qeverisur Tuzin. Shembull i shkëlqyer se uniteti i faktorit shqiptar sjell suksese. Urime për shqiptarët nga Tuzi për këtë fitore historike”, shkroi Haradinaj.
Mesazhe dhe urime të ngjashme për shqiptarët në rajonin malor malazez Malësia dërguan edhe zëvendëskryeministrat Bexhet Pacolli, Fatmir Limaj dhe Enver Hoxhaj, si dhe liderët e partive politike, shoqata qytetare dhe personalitete nga jeta publike në Kosovë.
Koalicioni “Forumi shqiptar” në zgjedhjet e djeshme në Tuz kanë marrë më shumë se 47 për qind të votave, me çka siguroi 16 vende në Këshillin 32-anëtarësh të komunës.(koha.mk)