Prishtinë, 27 shkurt – Përfaqësues të Këshillit nacional për siguri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës u pritën sot në kabinetin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në takim në të cilin morën pjesë edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
Shefi për çështje evropiane pranë Këshillit amerikan, Xhon Erat dhe anëtari i Këshillit, Uilliam Berkli para vizitës së sotme në Prishtinë, dje dhe pardje qëndruan në Beograd, ku u takuan me ministrin serb të Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq dhe me përfaqësues të tjerë të autoriteteve serbe.
Haradinaj, i cili i pari e braktisi takimin, nuk dha deklaratë për mediumet, por “Gazeta Express” merr vesh se ai sërish e ka refuzuar propozimin amerikan për heqjen e taksës prej 100 për qind për mallrat nga Serbia dhe BeH.
Pak më vonë, Haradinaj në faqen e tij në Fejsbuk shkroi se në takim me përfaqësuesit amerikanë ka cekur se “Kosova është përgatitur për marrëveshje obliguese ligjore me Serbinë e cila do të rezultojë me njohje të ndërsjelltë të kufijve ekzistues, përkatësisht me njohjen e Kosovës nga 1q7 shkurti i vitit 2008”.
“Gjithashtu, Kosova është e gatshme për ndërmarrje të të drejtave dhe obligimeve nga anëtarësimi në NATO, në KB, BE dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, si dhe për marrëdhënie të mira fqinjësore”, shkroi Haradinaj.
Pjesëmarrësit e tjerë në takim tani për tani nuk kanë dhënë deklarata për rrjedhën dhe rezultatet e mundshme nga takimi.
Vizita e delegacionit amerikan në Serbi dhe Kosovë realizohet në kohën kur Uashingtoni e rritë presionin ndaj Prishtinës për heqjen e taksës kontestuese, me qëllim që të zhbllokohen negociatat me ndërmjetësim të BE-së për zgjidhje të kontesteve mes dy vendeve.
Përderisa Haradinaj është i vendosur në vendimin që taksa të mos hiqet, gjithnjë derisa Serbia nuk e njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës, presidenti Thaçi insiston që të përmbushet kërkesa e SHBA-së dhe e BE-së, me qëllim që të vazhdohet dialogu me Beogradin, i cili refuzon të ulet në tryezë negociuese derisa Qeveria në Prishtinë nuk e tërheqë vendimin për taksën.(koha.mk)