Kreu i Zyrës për Regjistrimin e Popullsisë nuk ishte njoftuar për urdhrin për imigrantët

22

Drejtori i Zyrës amerikane të Regjistrimit të Popullsisë dëshmoi të mërkurën se nuk ishte njoftuar paraprakisht lidhur me një urdhër të administratës së Presidentit Donald Trump, për përjashtimin e imigrantëve pa dokumenta nga regjistrimi i popullsisë.

Presidenti Donald Trump nxorri një urdhër ekzekutiv këtë muaj, në të cilin argumentonte se “të lejosh përfshirjen e imigrantëve të paligjshëm në numërimin e përgjithshëm të popullsisë, ku synimi është akordimi i fondeve, do të krijonte përfitime pa vend, si për shembull shpërblimin e shteteve që inkurajojnë shkeljen e ligjit federal të imigracionit. Kjo minon sistemin tonë qeverisës”. Ai gjithashtu shprehej se kjo do të ndikonte në mënyrë të padrejtë tek përfaqësimi në Kongres.

Steven Dillingham ishte thirrur para një Komisioni të Dhomës së Përfaqësuesve për të diskutuar urdhrin që do të ndikojë tek numërimi i popullsisë këtë vit, gjë që bëhet çdo 10 vjet në Shtetet e Bashkuara dhe pesë territoret e saj.

Numërimi i popullatës ndikon në numrin e përfaqësuesve që çon çdo shtet në Dhomën e Përfaqësuesve si dhe në ndarjen e distrikteve zgjedhore si edhe përcaktimin e qindra-miliarda dollarëve nga buxheti federal.

Zoti Dillingham u tha ligjvënësve se nuk e dinte nëse ndonjë zyrtar i agjencisë së tij ishte përfshirë në formulimin e urdhrit që është quajtur jokushtetues nga nga grupet e të drejtave civile.

Anëtarët demokratë të Kongresit thanë se urdhri i zotit Trump binte ndesh me garancitë e mëparshme që kishin dhënë zyrtarët e administrates, që kishin premtuar të numëronin të gjithë banorët e Shteteve të Bashkuara.

Por republikanët thanë se urdhri ishte kushtetues, duke thënë se ai vlente vetëm për caktimin e kufijve të distrikteve të Kongresit dhe jo po mënyrën se si shpërndahen fondet federale prej 1.5 trilion dollarësh.

Zoti Dillingham tha gjithashtu në dëshminë e tij se megjithë pandeminë, përgjigjia në regjistrimin e popullsisë kishte qenë një sukses i madh.

Comments are closed.